Monda Shima
“I çmenduri i pavijonit 3”, romani juaj më i fundit është
një triller i vërtetë që të ngërthen fjali pas fjalie. Si lindi ky roman, cila
ishte zanafilla e tij?
Duke qene se vazhdimisht jam në kërkim të një lënde,
shkëndija për të formuluar një ngjarje me problematike lindi si pasojë e
përplasjes së vetë mendimeve që fillimisht ishin më tepër se kaotike në mendjen
time. Pra nuk kemi të bëjmë me një realitet të cilit iu përshtata në mënyrë
letrare. Ngjarja u vendos në pavionet e një spitali psikiatrik, sepse mendova
se vetëm kështu mund të shpëtoja nga autocensura ndaj vetes, gjë që do t’i
jepte lirinë e duhur dhe personazheve të lëviznin lirshëm brenda “çmendurisë”
së tyre. Në një farë mënyre vetëm kështu mund të përligjja gjithçka që do
përpunohej në laboratorin tim si një fantazi gjysmë e shfrenuar apo e shfrenuar
krejt.
Me gjuhën e personazhit kryesor Mandit, ju thoni se
“shkrimtarët kanë fantazi të shfrenuar”. Sa të vërteta dhe sa fantazi shkrimtari ka “I
çmenduri…”?
“I çmenduri” është thuajse tërësisht fantazi, dhe vetëm kur
e ndjeva se ndoshta mund t’i kaloja caqet dhe mund të futesha në rrugina nga të
cilat vështirë të dilet, ndërmora një
“aksion” personal, u takova me mjek psikiatër të cilët, në fakt nuk është se më
hoqën ndonjë presje nga “çmenduria ime” përkundrazi më dhanë disa fakte që
ç’është e vërteta e kalonin dhe imagjinatën time prej tokësori. Kështu që mbi
bazë të tyre e thellova trillerin tim fiksional. Më pas romani kaloi dhe në
dorën e disa miqve të mi gjithashtu letrarë, të cilët më ndihmuan me vërejtje
që kishin të bënin me vërejtje në pjesën letrare të veprës.
Shkrimtari kalon disa faza gjatë krijimtarisë së tij. Ju
vetë ku do ta klasifikonit romanin “I çmenduri...”?
Mund të them me plot gojën se është vepra më e plotë e
shkruar nga unë deri tani, një krijimtari e cila mban shtatë tituj veprash
letrare në prozë. Për herë të parë në një krijim timin lëvizin shumë
personazhe, të ndryshëm nga njëri-tjetri dhe secili prej tyre sjell
problematikën e tij. Në një farë mënyrë është një mozaik. Natyrisht kompozimi
nuk ka qenë i lehtë, administrimi i vetë personazheve dhe përvojës që ata
sillnin në seancat e psikoterapisë ishte i lodhshëm, por ndoshta këto
vështirësi e kanë bërë veprën edhe më të suksesshme
Gjatë leximit të romanit pa kuptuar përfshihesh mendërisht
dhe emocionalisht në ngjarje. Fundi pastaj të shokon. Jo një, por tre të tillë.
Si erdhi kjo zgjedhje?
Ideja fillestare ka qenë për të dhënë vetëm një zgjidhje.
Por duke parë se personazhi im kryesor kishte sindromën e një personalitetit të
dyfishtë, mendova të luaja me dy variante të fundit të librit me qëllim që dhe
vetë lexuesi të zgjidhte atë që i pëlqente më shumë, apo e ndjente më pranë vetes.
Varianti i tretë erdhi pasi romani ishte mbyllur. Janë vetëm pak rreshta por
mendoj se ka fuqinë e duhur për të rrëzuar dy variantet e para. Nëse nuk do të
ishte kështu, pra nëse nuk do kisha tre versione të mbylljes së librit, ai mund
të ishte shumë më i zakonshëm, edhe pse në brendësi mbart një problematikë të
madhe. Fundi do ta bëjë lexuesin të mendojë më gjatë për të gjetur rrugëdaljen.
Një nga gjërat më të bukura në roman janë dhe historitë
brenda historisë. Ajo që të mbetet në mendje është tregimi “Autopsia” e
Princit. Një gjetje e bukur. Ka një histori më vete “Autopsia”?
“Autopsia” fillimisht ka qenë i projektuar si një tregim, i
cili në fakt është botuar në një revistë pretigjoze letrare “Mehr Licht”, por
që kur i hodha një sy m’u duk se i përshtatej fort romanit tim. Në të kundërt
ai do të mbetej në pritje për t’u botuar në ndonjë vëllim me tregime që
asnjëherë nuk I dihet se kur do të dalë. Madje edhe ditari i Princit gjithashtu
ka qenë projektuar për një tjetër roman, por që duke qenë në të njëjtën logjike
veprimi unë i bashkova për të dhënë një titull të vetëm.
Dhe pse falë Zotit nuk kemi pasur fatin të jemi brenda një
spitali psikiatrik, historia dhe personazhet janë shumë të vërtetë. Ke pasur
mundësi të eksplorosh brenda atyre mureve?
Tentova, por në fakt ishte e vështirë të hyje në një spital
psikiatrik pasi duheshin marrë lejet përkatëse. Meqenëse qëllimi im nuk ishte
formulimi i një manuali didaktik por i një libri fiksional, u mjaftova me atë
çka mjekët më përcollën nga brenda mureve. Kështu mendova se një realitet i
suportuar mirë nga një logjikë fiksionale bën më shumë se dyfishin e energjisë,
pra krijon sinergji. Them se ia kam dalë ta modifikoj realitetit dhe trillin
duke qenë i vëmendshëm ndaj të dyjave.
Në roman nuk bëhet moral, por shpërfaqen shumë shqetësime që
ka shoqëria sot. Sa të ka ndihmuar puna e gazetarit për të mbledhur material
për romanin?
Them se nuk ka gjë më tmerrshme se sa një letërsi që bën
moral. Fatmirësisht socrealizmi e ka mbyllur prej kohësh ciklin e tij. Por
është krejt normale që edhe letërsia të përcjelli mesazhe herë të
drejtpërdrejta e herë tërthorta apo të padukshme. Unë preferoj këtë të fundit,
pasi mendoj se vetëm kështu nuk e “dhunoj” lexuesin tim, për ta drejtuar atë
drejt një mesazhi që ndoshta nuk i pëlqen ta marrë ashtu siç e detyroj unë.
Padyshim që puna si gazetar më ka ndihmuar të jem më i plotë dhe të grumbulloj
materiale të cilat i përdor kur e shoh të nevojshme. Ky material vjen nga
ballafaqimi i shumtë që kam pasur me njerëzit, pjesë e rubrikave që kam
mbuluar.
Cila është historia e radhës që ‘fle’ në fantazinë tënde?
Janë disa, por realisht ende nuk kam vendosur dorën mbi
dosjen që duhet të zgjoj nga përgjumja. Them se më duhet një histori edhe më e
fortë se sa “I çmenduri…” Pretendoj që fundi në historinë e radhës duhet të
jetë më i skajshëm dhe më tronditës. Lexuesi që ka besim në letërsinë time nuk
duhet të zhgënjehet nga një letërsi e përgjumur, apo edhe më keq se kaq, rozë…
No comments:
Post a Comment