Leonard Veizi
2015-ta ishte një vit i mbarë
për shqiptarët e administratës. Tym fare. Dhe kjo mbarësi filloi që prej datës
1 janar që në kalendar shënohet me ngjyrë të kuqe. Pra pushim. Është njëlloj si
të futesh me këmbën e djathtë në shtëpinë e re që të të eci mbarë. Lere pastaj
kur dita e parë e pushimit shoqërohet edhe me ditën pasadhëse.
Se pas kësaj vijnë beneficet e
tjera pa kursim: 14 ditë festash pushim, nja 20 ditë pune që merren si “leje e
zakonshme” dhe 104 ditë fundjava. Këtu po kursej të numëroj dhe ca bishta, si
në rastin e dëmshpërblimit shtetëror që sakrifikon ditën e hënë nëse një festë
qëllon të bjerë në ditën e pushimit zyrtar, por edhe festat e 7-8 marsit që bëhen “de facto” pushim edhe pse nuk janë
shënuar me të kuqe në kalendarin zyrtar.
Pra me një llogari të thjeshtë
ndër 365 ditët kalendarike të vitit, nja 145 prej tyre kalohen në relaks të
plotë, apo duke shëtitur kafe më kafe, për t’u çlodhur e marrë veten.
Nejse, kur t’i jep qeveria
ditët e pushimin s’ke pse të mos ia marrësh më gjumë. Veç ne je idiot e të bësh
të kundërtën. Apo më keq akoma, si dikur, të ngrihesh në mbledhjen e kolektivit
për të rritur normat. Deri këtu nuk mund t’i hash haku njeriu se “të vret
Zoti”. Por nëse guxon të thuash me zë të lartë se kjo është disi e tepruar,
pasi ka dhe sektorë të tjerë të jetës publike në vend që nuk e kanë një
privilegj të tillë, të kthehen plot mllef për të shpjeguar me detaje se, vite
më parë, kaq shumë janë lodhur e kanë djersitur duke punuar për të ndërtuar
socializmin në vend, me të “diela vullnetare” e “ditët e Enverit”, dhe nuk doli
kërkund ndonjë gjë e hajrit, sa tani e kanë hak që më shumë se një të tretën e
vitit ta bëjnë pushim e të mos u lëvizë qerpiku.
Për këtë arsye, dhe jo për
punë lekësh e rrogash, se administrata nuk dallohet për norma të larta pagash,
shumë nënshtetas të kësaj Republike bëjnë çmos të marrin një pozicion në
administratën publike. Përpos kësaj ideja se në zyrat e shtetit mund të punosh
sa ta shohësh të arsyeshme e mund të qëndrosh në kafe sa të të dojë qefi është
kthyer në një “legjendë urbane” dhe shihet me zili nga pjesa tjetër. Ndërkohë,
në raportin “ditë pushimesh – orë pune”, administrata shqiptare ia kalon edhe
disa vendeve të zhvilluara perëndimore edhe pse në statistika për nga ecuria
ekonomike është e fundit në listë.
Viti 2016 ka po të njëjtin
trend, dhe nuk ndryshon aspak nga të mëparshmit, me përjashtim të faktit që
këtë herë do të sakrifikohen katër të hëna, meneqëse ca nga festat e
zyrtarizuara bien në fundjaven e pushimin. Lum si punonjësit e administratës,
se me sektorët e tjerë të punës në vend as që mendohet se mund të ndodhi
kështu.
Shkurt ajo që pëlqejnë
shqiptarët sot dhe jo vetëm, është: sa më pak kohëqëndrimi në punë dhe ca më
shumë se kaq në kafe. Ndaj rradha për të hyrë në një punë shtetërore do jë jetë
gjithmonë e gjatë, ndërsa makinacioni për t’u përshtatur si militant i një
force politike do të sofistikohet edhe më shumë.
Postuar në Mapo 05 Dhjetor
2015
No comments:
Post a Comment