Ndonjëherë habitem me veten, me vetëdijen a nënvetëdijen,
s’di ta them. Jetojmë në vitin 2015 apo 1000 vjet prapa!? Nuk ka të bëjë me
kthim a fluturim në kohë. Se nuk është e nevojshme të sforcohesh për të bërë
një udhëtim aq të gjatë dhe që s’ia vlen as bara qiranë. Ka të tjerë që ta
sjellin te hunda sa të hapësh e të mbyllësh sytë. Janë njerëz që i takojmë çdo
ditë, në bilardo, qebaptore apo te “15 katëshi”. Pra jemi ne me njëri-tjetrin,
që ndonjëherë na mbulon idiotizmi i theksuar e ndonjëherë servilizmi i tepruar.
Nuk ka gjë më qesharake kur gjatë një bashkëbisedimi hyn
si pykë shprehja “pronari im”, apo më keq akoma “pronari yt”. Mirë me veten, po
me mua pse…? Jemi në mijëvjeçarin e tretë që nga koha kur përfundoi numërimi
mbrapsht. Dhe prej kohësh as “pronari im” nuk ka ndonjë të drejtë mbi mua,
ashtu si dhe unë s’di që të kem ndonjë të drejtë mbi “pronarin tim”. Por kjo
nuk do të thotë që të mos ketë dhe ca të tjerë, të cilëve u pëlqen tutela e
“pronarit” dhe e kanë me qejf, se tek e fundit janë te “padroni” që u tregon
rrugën e u mban frerët.
Unë e pranoj që ka njerëz të cilëve u pëlqen të kenë nga
një pronar mbi vete, por ka shumë të tjerë që nuk e pranojnë këtë vartësi.
“Ç’thotë ai pronari yt?”, – të pyet tjetri dhe buzët i shkojnë vesh më vesh a
thua se të ka pyetur për shëndetin e rrobve të shtëpisë. “Pronari im…???” Të
ndizet gjaku sa bëhesh gati t’i futesh sherrit vënçe. Ai është pronar i vetes,
domethënë i biznesit të tij, i klubit, i mejhanes, magazinës, fabrikës,
kompanisë, e ç’t’i dojë qejfi kur bie fjala për hekura, tavolina e karrige… por
jo pronari im. Se unë vetëm një pronar kam: vetveten.
Epo hajde se për kompromis po e mbyllim një sy për pronarin, pasi te e fundit të jep rrogën nga paratë e vete, por thika të shkon deri në kockë kur në skenë del drejtori. "Ky është drejtori im". Çfarë thua more, pse qenke bërë me drejtor? Habi e madhe sa s'ka ku të vejë. Se qëllon që drejtori të jetë i institucionit, po i punonjësve. Por me sa duket qenka dhe e kundërta. Po ky çdo o byrazer, ky rri në shtepi me qera e ka marë kredi që e shlyen çdo fund muaji, përse ma prezanton si Mesian. Apo vetëm pse firmos që paratë e shtetit të kalojnë në llogarinë private?
Epo hajde se për kompromis po e mbyllim një sy për pronarin, pasi te e fundit të jep rrogën nga paratë e vete, por thika të shkon deri në kockë kur në skenë del drejtori. "Ky është drejtori im". Çfarë thua more, pse qenke bërë me drejtor? Habi e madhe sa s'ka ku të vejë. Se qëllon që drejtori të jetë i institucionit, po i punonjësve. Por me sa duket qenka dhe e kundërta. Po ky çdo o byrazer, ky rri në shtepi me qera e ka marë kredi që e shlyen çdo fund muaji, përse ma prezanton si Mesian. Apo vetëm pse firmos që paratë e shtetit të kalojnë në llogarinë private?
Sa për njohuri fillestare, koha e skllavo-pronarëve ka
shekuj që ka perënduar. Janë bërë luftra e është derdhur gjaku lumë të paktën
që kur u revoltua Spartaku. Por edhe epoka e bujkrobërve e ka mbyllur ciklin,
madje për këtë punë janë sakrifikuar edhe koka mbretërish. Pa u bënë revolucione,
u shkruan manifeste e konventa. Dhe ja tani kemi “njeriun e ri”, të pa shtypur
të pashfrytëzuar, me 40 orë pune në javë, të shtunë e të djelë pushim, e mbi të
gjitha të mbrojtur nga një tufë kode e nenesh ligjorë, sa duhet të ngjeshësh libra në të dy
sqetullat e jarebi t’ia dalësh dot e t’i mbash.
Por me ç’duket, “njeriu i ri” pa fre qenka si puna e atij
kalit të harbuar, si dihet ku e mban yryshin. Ndaj i duhet një tjetër që ta
administrojë, një pronar e kam fjalën. Dhe kur sheh se nuk e zë njeri me dorë
ofrohet vetë, me zell të madh madje.
“Ky është pronari im”, e nis tjetri prezantimin e radhës
gjithë entuziasëm. “Pronari” fodull të zgjat dorën. Prangat kanë dalë nga moda.
Ai ka mbushur gishtat dhe kyçin me unaza e byzylykë floriri. Epo pronar hesapi.
Mban dhe sejmenë që si shqiten asnjë çast për t’i ruajtur “fasadën e pasme”.
Vetëm se kohët kanë ndryshuar vërtet. Skllevërit modernë, nuk punojnë më për
një “çapë buke” apo për ca metilike në fundin e ditës, por marrin rroga të mira
një herë në muaj, o me zarf në dorë ose paratë u kalojnë drejt e në llogari
bankare. Dhe ec e mos thuaj pastaj: Pronari im.
Gjene mirë, “po të kërkosh, do ta gjesh”, thotë populli.
Se, përderisa ti ofrohesh si një “skllav”, patjetër që do të të duhet edhe një
“pronar”. Dhe sigurisht që do ta gjesh një të tillë.
No comments:
Post a Comment