nga Leonard Veizi
Një spektakël i zi qarkullon këto ditët e fundit të
vitit, ashtu si në çdo fundvit tjetër. Është e njëjta situatë, aktorët
ndryshojnë. Përvit ky teatër absurd përbën “lajm”. Dhe lajmi është mbreti, një
“as-maç”. Ai duhet të shkojë në çdo shtëpi dhe të bëhet i njohur.
Papritur duket sikur janë kthyer në ditët e urisë. Kudo
shfaqen pjata me ushqim. Presidenti shtron tavolina për klerikët, Kryeministri
mbledh për darkë gazetarët, Kryetari i bashkisë “ulet këmbëkryq” me të
moshuarit. Të gjithë me nga një pjatë përpara. Ditët festive duken si ditë
zije. Kombi ka nevojë për ushqim. Krizë. Janë sulur të hanë. Duket se i
përshtaten një slogani të vjetër e patetik: “Ta mbyllim vitin të ngrënë se si
dihet çfarë na pret vitin tjetër”.
Vërtet jemi në ditë kaq të këqija, apo është vetëm një
mirazh që të pushton kokën në këto ditë me diell e pa rreshje…?
Padyshim, të moshuarit, jetimët dhe jo vetëm këta, janë
shtresa në nevojë. Por nuk duan vetëm një pjatë të thyejnë urinë me rastin e
festave. Kur duhen 3 pjata të tilla në ditë, ose përndryshe 1095 pjata në vit.
Në të vërtetë, ata duan pak më shumë se kaq, të jetojnë më me dinjitet.
Por nuk ka para mjaftueshëm, as për shpërblimin qesharak
të pensionistëve që vihen në rradhë si dikur për tallonin. Duket sikur kemi të
njëjtën situatë, dikur dhe sot. Asgjë nuk ndryshon. Veç thellohet ndarja e
klasave.
Të pasurit bëhen më të pasur, të varfrit edhe më të
varfër. Shtohen përditë njerëzit që presin pjatën festive dhe në këmbin të një
pjate u kërkohet një votë.
Interes i ndërsjelltë. Kompromis me stomakun.
Por tanimë edhe të varfrit kanë ca më shumë informacion.
Dinë dhe ca gjëra që do të do të ishte e mira të mos i dinin fare. Dhe jo vetëm
për këtë arsye spektakli qeveritar nuk merr asnjë vlerë.
Uria shtohet.
Nuk e di kush mund të gënjehet sot me një pjatë në vit?!
No comments:
Post a Comment