Thursday, March 1, 2018

Kur fshati rrethon qytetin



nga Leonard Veizi

Sot është e thjeshtë, që me pasaportë në xhep, të marrësh rrugën e Rinasit, t’i hipësh avionit Boeing 777 në “Busness Class”, e të zbresësh në këdo kryeqytet Evropian, aty ku ta do zemra. Ndërkohë është po aq mbresëlënëse të marrësh furgonin-urbanin e bësh xhiro në periferinë e Tiranës, me një biletë 30 lekëshe. Aty përballesh me një realitet tjetër. Nuk flas për ndërtimin e vilave që të mahnitin. Kjo ka të bëjë vetëm me fasadën e asaj çka fshihet pas mureve të suvatuara e oborreve që ndriçohen tejembanë me energjinë e papaguar. Ajo që më bën fort përshtypje ka të bëjë me nivelin e të rinjve e sidomos të fëmijëve që rriten në këto zona, herë informale e here gati për legalizim. Këtu doja të ndalesha e jo tek ndryshimi i periferisë me dyqanet e rrugës “Myslym Shyri”. Ta lëmë mënjanë këtë disnivel që nuk na nxjerr kund.
“E para është fjala”, thuhet në Bibël. Me siguri, në shumë derivate e saj, mund të nxjerrësh dhe variantin: “Fjalën si ta përdorësh”. E pra të duhen kjo xhiro për të kuptuar se si funksionon pjesa tjetër e kryeqytetit, ajo që ndahet tek “vija e verdhë” plus-minus ca shtëpi më tepër te të dyja anët. Besoj s’gaboj po të them se në këto zona nuk ka varfëri duhani e pijesh alkoolike, por një varfëri ekstreme fjalori. E vetmja që nuk ka nevojë për meremetime është fjalori i rrugës. Nuk pretendon njeri për vënien në skenë të teatrit absurd, e as për ndonjë pasarelë mode, në këto zona. Dhe mbase nuk është shumë e nevojshme, pasi në të gjitha shtëpitë, po të hysh, do të gjesh televizorë “high definition”, marka e fundit. Por gjithsesi libraria a biblioteka shkon për shtat kudo. Megjithatë këto vetëm sa tentojnë të zbusin një nivel, të cilën me sa duket nuk arrin ta bëjë as shkolla. Frekuentimi i saj nga fëmijët është krejt fakultativ, madje edhe kur pushteti ndërton një godinë model. Dhe vetëm kaq të duhet të kuptosh se si sentenca e Mao Ce Dun-idesë, “fshati rrethon qytetin” nuk ka të bëjë me një botëkuptim kinez, por është kthyer në realitetin e trishtë shqiptar.
E bëra këtë performancë për të thënë se ajo që po na mundon më së shumti sot është krimi, që më së shumti na vjen nga këto shtresa. Lajmi i parë në masmedian sot ka në fokus vetëm këtë temë. Nuk di të kem dëgjuar që: një inxhinier vrau një mësuese, apo një jurist i preu kokën ekonomistes. E pra, krimi qëndron diku tjetër. Dhe nuk është vetëm se: “fshati ka rrethuar qytetin”. kjo do të ishte vetëm një pjesë e vogël e të “keqes”. Problemi është më i thellë se kaq. Këta njerëz, që nuk e dinë se rreth qendrës së kryeqytetit ku kanë ardhur të jetojnë, ka kinema, shfaqe cirku, e panair libri, po dominojnë dhunshëm mbi pjesën urbane. Mjaft që një pjesë e tyre ka nxjerrë fëmijët të shesin cigare, të lypin, a të vjedhin. Dhe pas kësaj vjen krimi, me fishekë luftarakë, apo armë të ftohta. Muajt e fundit kemi pasur bilance lufte. E kështu, në BE apo jashtë saj, Shqipëria vazhdoj të jetë në kohën e tranzicionit të saj, pabesueshmërisht të stërzgjatur e të pambarimtë.   

Botuar në revistën KULT


No comments:

Post a Comment