Thursday, March 1, 2018

Në udhëkryqin ku është shtruar shtypi


nga Leonard Veizi


Nëse është vënë re, forca e shtypit ka rënë ndjeshëm në Shqipërinë e viteve të fundit. Efekti më i madh është kur ato lexohen nga ndonjë zë bas në emisionet televizive të mëngjesit. Gjithmonë e më pak ka “skupe”. Më pak blerës ka gjithashtu edhe pse të gjitha gazetat mbijetojnë duke lundruar në tregun informal. Titujt janë po ata që jemi mësuar të shohim gjithmonë dhe nëse njëra “falimenton” dy të tjera ia zënë vendin shpejt e shpejt. Por kjo nuk ka të bëjë me shqetësimin e këtij shkrimi. Tregu është i lirë dhe vendimtari për këdo që ka qejf t’i futet “detit në këmbë”. Sot asnjë prej gazetave nuk arrin të kapi një shifër standarde si ajo e dhjetë viteve më parë ku shtypi që kryesonte tregun prodhohej apo shitej në 40 mijë kopje. Pesëmbëdhjetë vite me parë steka e shitjeve ishte në një lartësi tjetër, gazeta kryesuese në treg tregtonte 70 mijë kopje në ditë. Sot, maksimumi i gazetës kryesuese arrin deri në 5 mijë kopje në ditë. Por kur ka ndonjë “të pabërë” në titullin e parë, gazetë nuk gjen për bë në asnjë kioskë. Pra lexuesi është po aty, ai nuk të tradhton. Mjafton ti japësh atë që kërkon. Gjatë analizës do të gjejmë fakte pa fund, dhe fajin kryesor patjetër do t’ia hedhim dyluftimit me një kalorës të armatimit të rëndë siç është televizioni, interneti ca më keq akoma. Të shpejtë, të drejtpërdrejtë, ezaurues. “Lajmi më parë kalon nga ata”. E vërtetë. Falë kësaj konkurrence, ç’është e vërteta edhe media e shkruar ka marrë masat e saj, është thelluar më shumë në personazhe e dosserë, ka zgjeruar rubrika që kohë më parë i mbanin në periferi, gjë që në një farë mënyre e ka nxjerrë nga rutina e lajmit të transmetuar orë e pa orë nga media elektronike. Por nuk mendoj se është vetëm kjo. Duket se ajo që i ul më së shumti pikët medias sot ka të bëjë me mospublikimin e aferave korruptive, një gjë për të cilën vite më parë janë hapur debate e gjyqe pa fund. Media sot përveç informacionit standard, gjithmonë e më pak po e luan këtë rol, ndërsa vendin ku dikur publikoheshin dosjet e korrupsionit sot e zënë faqet rozë me foto të këngëtareve e modeleve toples. Pikërisht dhe këtu konkurrenca është bërë më e fortë. Nëse deri dje, për shqiptarët e prapambetur, zhveshja e një femre në publik përbënte herezi, tani shoqërohet me tifozllëk. Nuk ka rëndësi ajo që ke veshur, rëndësi ka të jesh në treg, me çdo çmim. Gjithashtu më pak vend ka sot në faqet e gazetave për suplementet letrare, por fjalëkryqi nuk mungon në asnjërën prej tyre, për të gjithë mediokrit që mendojnë se ashtu si dhe”yçi”, - përdorur si batutë  në një film artistik shqiptar, - u zhvillon mendjen. Të paktën dy herë, që e kam ngritur si version të mundshëm, që njëra prej gazetave në Shqipëri, të marri përsipër të botojë në një nga faqet inerte të saj, letërsi artistike, sipas mënyrës europiano-perëndimore e më shumë asaj amerikane, kanë rënë poshtë nga drejtuesit pa bërë më parë asnjë bilanc. Pra ende nuk ka ardhur koha që në Shqipëri të kemi “bestseller” nëpërmjet shtypit të ditës. Por natyrisht ka fituar pikë faqja me letrat nga populli dhe mbi të gjitha ajo me këshilla mjekësore, që gjithashtu janë shërbime të domosdoshme, sidomos për ata që mendojnë se me 30 lekët e gazetës, do kursejnë 2000 lekët e vizitës tek mjeku privat. Në fund më duhet të them se shtypi shqiptar sot, është në udhëkryq.


Botuar në revistën KULT

No comments:

Post a Comment