Thursday, March 1, 2018

Letërsia për fëmijë dhe edukimi i munguar



nga Leonard Veizi

E dini cila është industria më fitimprurëse në fushën e botimeve? Nuk hyn tek “pyetjet enigmë”, dhe as tek “quiz”-et, e siguroj lexuesin. Sepse ka mundësi që një pjesë e madhe e tyre ta dinë vërtet. E pra, është letërsia për fëmijë. Sigurisht.
Po pse gjithë kjo siguri?!
Natyrisht nuk mund të ketë kontestime, si fjala vjen: se, në fakt, industria më fitimprurëse e letrave mund (apo duhet të ishte) ajo që cilësohet si letërsia e verdhë, ajo që ka ngjyrime rozë apo ajo që mban mbi kopertinë emrat e mëdhenj të nobelistëve, domethënë safi letërsi.
Por dhe kjo e ka një shpjegim:
Padyshim asnjë individi, pjesëtar i një familjeje shqiptare, nuk mund t’ia imponosh dot, që në bibliotekën e shtëpisë, të ketë një libër të Balzakut, Markesit apo Ismail Kadaresë. Por janë ata, fëmijët e vegjël, të cilët arrijnë t’u imponohen më së miri prindërve të tyre që, të blejnë pa kursim jo një, por kolana të tëra librash me ilustrime, për parashkollorë apo me vlera për nxënësit e ciklit të ulët. Për shkak të pjellorisë, të cilin si komb, vazhdojmë ta kemi në nivele të larta, fëmijë të vegjël Shqipëria ka boll.
Ky është shkaku kryesor, përse kjo letërsi është më fitimprurësja.
Këtë konstatim, në dukje fare të lehtë, më shumë se kushdo e dinë vetë botuesit. Prandaj, në të gjitha rastet, pasi kanë botuar Mopasanin, Tolstoin apo Servantesin, gjejnë mundësinë për të botuar edhe nga një kolanë me tituj për fëmijë, kontingjenti i të cilave, pothuaj në të gjitha rastet konsiderohet i shitur, në raste jo fort të rralla dhe në një kohë rekord. 20 faqe me ngjyra, dhe një çmim i shtrenjtë kopertine në fund, i nxjerr nga falimenti të gjithë ata që janë duke “u mbytur”, ndërsa të tjerëve që e kanë kapur veten, ua ngroh xhepat më mirë se sa vetë titujt me emrin e Shekspirit, Remarkut apo Hygoit.
Por nuk do të ndalemi këtu.
Gjithë problematika e fabulës, nisi atëherë kur vajza ime e vogël 5-vjeçare m’u lut t’i lexoja një nga librat me përralla, që ia kishim blerë me shumicë, me të vetmin mendim, edukimin e saj që në fillesa. Për të thënë të vërtetën prej shumë vitesh nuk kisha lexuar as edhe një rresht nga letërsia për parashkollorë. E megjithatë intuita më bëri të përzgjedh një fabul, me protagonist arushin e famshëm “Pooh”.  Ishte krejt e pabesueshme, që ndërsa vajza ime 5-vjeçare më ndiqte gjithë dëshirë teksa lexoja me zë të lartë, unë vetë nuk isha i zoti të ndiqja dhe as ta kuptoja jo e jo esencën e fabulës. E lexova deri në fund, dhe pastaj iu riktheva edhe një herë, kësaj radhe me zë të ulët, domethënë “leksioni” nuk vlente më për vogëlushen, por për mua.
Kjo ishte sa për fillim. Më pas mora përsipër të lexoja të gjithë literaturën për fëmijë që kisha në bibliotekë dhe më rezultoi si më kryesore, gabimet ortografike, drejtshkrimore dhe më pas logjike...
...Në fakt duhet t’ia filloja nga fundi.
Gjithsesi, pyetja që shtrova me vete, dhe pastaj e shkruajta për gazetën, duke menduar se padyshim është shumë më tepër se sa ta thuash me zë të lartë, ishte: A kemi mundësi ne të edukojmë fëmijët e këtij tranzicioni të stërzgjatur?
Pas kësaj mund të vijnë dhe një duzinë pyetjesh të tjera por që me sa duket nuk kanë shumë vlerë.
Duke menduar se në një farë mënyre, e njoh këtë fushë, më vjen keq të them se pjesa me e madhe e botimeve (flasim gjithmonë për letërsinë e fëmijëve) nuk kalon në asnjë filtër specialisti, redaktor apo korrektor letrar. Dhe e gjitha kjo bëhet për të pasur një kosto sa më të lirë. Kështu, në mungesë të një literature serioze, stendat e librarive janë mbushur me ato “performanca” që populli, në gjuhën e tij u thotë akoma më shkurt: paçavure. Dhe kjo është padyshim, dhuratë e botuesve tanë.
Në këtë mënyrë, në vend që fëmijëve t’u mësohet gjuha letrare shqipe, apo thënë ndryshe ajo e njehsuar, nuk po mund të ruhemi dot, as nga ndërhyrja e dhunshme e fjalëve nga fjalorët e huaj dhe natyrisht as dialektalizmave, kësaj here vendase.
Një nga shqetësimet e tjera që dua të ngre në këtë shkrim të shkurtër është se në këtë mori botimesh, përralla me fabula shqiptare ka shumë pak, edhe pse folklori ynë e ka furnizuar pafundësisht  këtë gjini. Por duket se ashtu siç e thamë dhe më sipër, një kosto pak më e lartë apo pak më e ulët, varet pikërisht nga kjo. Dhe e gjitha kjo padyshim që është në dëm të fëmijëve tanë, të këtij brezi, dhe të atyre që do të vijnë më vonë, nëse asgjë nuk ndryshon.



No comments:

Post a Comment