Thursday, March 1, 2018

Kur “pushtohet” qendra e qyteti


nga Leonard Veizi

Tirana në ditë festash kthehet një qytet mostër, as më pak e as më shumë se një emërtim i tillë. Sidomos, nëse për fat të keq dita është me diell. Askujt të mos i vijë çudi e për më tepër keq. Tmerr i vërtetë. Unë për vetë, lus Zotin,  që për Vitin e Ri, Shën Valentinin e Ditën e Punëtorëve, të bjerë shi me gjyma e të përmbyten rrugët aq uji të shkojë në gju të kalit. Përndryshe bulevardi kryesor i kryeqytetit dhe të gjitha rrugicat qorre kthehen në tubime njerëzish që mbajnë tullumbacet nga njëra dorë e sufllaqet në dorën tjetër. Megjithatë nuk është se e kam të keqen vetëm nga kjo. Herën e fundit, në ditët afër festës së 100 vjetorit të Pavarësisë, tentova që një mëngjes, pasi kisha çuar vajzën e madhe në shkollë, të prisja bashkëshorten me djalin e vogël ndanë rrugës, që këtë të fundit ta çonim në kopsht. Vetëm dhjetë minuta ngjau e gjitha dhe u betova se kjo nuk do të ndodhte më, Më gënjeu mendja për pak ajër të pastër. Jo vetë thjesht e mendova, por dhe e vura në zbatim këtë ide të çartur, për të zezën time. Dhe gjithçka u përqendrua në një pritje të padurimtë. Nuk është se rruga në fjalë, që çuditërisht ka marrë vlerën kryesore në Kryeqytet, por gjithsesi hyn tek të rëndësishmet, përderisa quhet “Komuna e Parisit”, e që nuk di se për çfarë arsye Bashkia e ka cilësuar “Medar Shtylla”. Humor emrash, si gjithmonë. Gjatë kësaj kohë, gati të pa përfillshme, u ndesha me një fenomen “alla shqiptar” që, në fund fare, pasi mora dhe djalin në krah, të mendoja me shpejtësi: të rrëmbeja pasaportën biometrike nga vendi ku e kisha fshehur e të zhdukesha për kush e di se ku. Bori makinash pa fund, bllokim rruge me motive nga më idiote, sherre dhe ulërima njerëzish të denja për derrat e fermës së tipit të lartë, dhe ndotje masive ambienti nga njerëz e kafshë së bashku që kishin dalë së bashku për të shkuar në ‘punë’. Kjo vlen vetëm për mëngjesin. Në drekë nuk më rastis thuajse kurrë të jem në të njëjtin vend për shkak të punës time, përndryshe do të çmendesha nga larmishmëria që më ofron modeli i sotëm ‘qytetar’. Por edhe kaq më lë të dal në përfundimin. Që fshati ka rrethuar qytetin, këtë e kam komentuar në një përsiatje tjetër, por që qyteti ka rrethuar kryeqytetin, këtë është hera e parë që po e trajtoj. Në një rrugë të ngushtë, që Bashkia e ka lënë sa për të kaluar kuajt dhe gomerët, kalojnë gjithfarë makinash, mercedesë e fuoristrada, të gjitha mora e fundit, për të ta hequr kapakun e kokës. Që në këtë rrugë ka gjithfarë biznesmenësh, që kohët e fundit lahen nëpër hidromasazhe dhe u hipin makinave me ajër të kondicionuar, kjo nuk të habit. Por që në këtë rrugë përditë shëtisin me makina të shtrenjta gjithfarë gomerësh, për aq sa rruga ka qenë e aplikuar pak vite më parë edhe kjo është një gjë krejt e dukshme, nuk ka nevojë për raporte lokale. Sa për qendrën e kryeqytetit, aty ku  njerëzit orientohen shumë më thjeshtë duke thënë: te Skënderbeu, është edhe më keq. Prej vitesh aty nuk kaloj më shumë në një herë në tre-katër muaj.


No comments:

Post a Comment