Nga Leonard Veizi
I lindur biond e me sy bojëqielli, isha mburrur lart e poshtë se
prejardhjen hipotetike, në mos nga fiset vikinge, Norvegjia a Danimarka, të
paktën do ta kisha nga Evropa Qendrore, o gjermane, o hungareze, ose ndoshta...
austro-hungareze. Mirëpo një ditë kur s’po më dilnin llogaritë vendosa të pyes
tim atë, të ndjerë tashmë, se nga cila pjesë e botës e kishim prejardhjen.
- Shqiptarë denbabaden, - më siguroi ai me mburrje. - Të paktën katër
brezat e fundit, - përveç teje që ke lindur në Tiranë, - jemi nga Kolonja.
U qetësova do pyesni ju? Hiç fare. Pikëpyetjet vazhdonin.
- Mirë se emrin, si njerëz të shkolluar ma keni latinizuar, LEONARD, po
mbiemri VEIZI duket që është oriental. Mos ndoshta ka kaluar ndonjë azap nga
kopshti i stërgjyshes e na ka lënë mbiemrin si hajmali? - i them babait në konfidencë.
- Tobe estakfrullah, - shqeu sytë ai, i çliruar nga dogma, sepse pas vitit
1990 si ushtarak i depolitizuar, ishte detyruar të mbyllte dhe teserën e Partisë
së Punës në kasafortë. - Jazëk për këto që thua.
Por edhe nga kërkimet e mëpasme, në të dy krahët, si nga njerëzit e nënës
dhe ata të babait, nuk më rezultonte të kishim ndonjë shartim si shqiptarë që
ishim me vlleh fjala vjen, grekë a bullgarë.
- Epo shansi im, - mendova atëherë. - Jam shqiptar 24 karat e s’e luan topi.
Leonard Veizi. Një këmbë nga Perëndimi e një nga Lindja e Mesme.
Këtij i them rehat unë. Bashkëjetesë paqësore.
Mirëpo ka ca kohë që rehatllëku më është prishur sërish, që kur Turqia i la
parimet republikane të Mustafait dhe u fut në epokën alla xhonturke Erdoganiste,
ku qëllim i largët duket se ka në axhendë rivendosjen e kufijve atje ku i la
Sulejmani i Madhërishëm.
Bela e madhe, - thashë me vete. - Si nuk më gënjeu ca babai e të më thoshte
se një damar e kishim nga Azia e Vogël, nga Edreneja fjala vjen. Se mbase do ndihesha disi më shumë osman e
ca më pak skandinav, tani që kufiri mund të na shkojë buzë Adriatikut, dhe Orikumin mund
ta pagëzojmë sërish si Pasha-Liman.
Dhe në këtë dilemë e sipër më erdhi në mendje një sekuencë nga gjyqi
teatror i Abdyl Frashërit e Sulejman Vokshit, ku dramaturgu i njohur Ekrem
Kryeziu do të perifrazonte në dramën e shkruar prej tij:
- Emri? – pyeste gjykatësi
ushtarak turk.
- Abdyl Frashëri.
- Nënshtetësia?
Dhe aktori Kadri Roshi nën petkun e burrit të madh të Lidhjes së Prizrenit do
të shqiptonte me një ironi të hollë e të fshehur:
- Nënshtetas i Perandorisë Osmane.
Kanë kaluar 140 vjet nga ajo kohë. Prej 107 vjetësh kemi fituar dhe pavarësinë
e plotë nga Porta e Lartë që na mbajti nën hyqëm 500 vjet me radhë. Sot në
2019, unë si dramaturg pa përvojë do të perifrazoja sërish.
- Emri?
- Leonard Vezi.
- Nënshtetësia?
- Ç’i do llafet, ja e tregon dhe
llagapi: nënshtetas i Perandorisë Osmane.
***
E bëra këtë hyrje të gjatë që t’i vij në thelb muhabetit.
E gjitha kjo më shkoi ndër mend teksa në përpjekje për të hequr ca kile të
tepërta prej menusë orientalo-turke të dendur me yndyrë e sherbet, i isha futur
ushtrimeve gjimnastikore, andej nga kodrat e Liqenit Artificial. Pikërisht aty
u ndesha me memorialin, që portalet e bënë më të famshëm nga sa ish. Se unë i kisha
kaluar m’u te hunda pllakës së zezë me shkronja të verdha, por as që ia kisha
hedhur sytë, derisa u dha alarmi. Si gazetar, që me sa duket po më humbet
nuhatja, iu afrova pllakës dhe lexova: Memorial për “Dëshmorët e Demokracisë së
15 Korrikut”. Domethënë tentativa për grusht shteti në Turqi...
E shkrepa dhe një foto për kujtim.
- E, ta lumsha o Taip.
Se ne si shqiptarë nuk kemi arritur të lartësojmë dëshmorët tanë të
demokracisë… po kur vjen puna për ta nderuar mikun bëhemi copash.
Memoriali i ushtarëve gjermanë / rënë në Luftën II Botërore |
Ja kështu i nderuam dhe ushtarët gjermanë që në 14 muaj pushtim, na e
kishin lëruar, aq sa nga patrullat e tyre me simbolet e “SS” në gjoks, u
shkonin shtatë jo vetëm zanatçinjve të pazarit, por dhe atyre që kishin marrë
nga një pushkë e kishin dalë malit. E prapë zemërgjerë ne shqiptarët, ua
shkruam emrat mbi pllaka granili të gjithë nazistëve që u vranë në përpjekje me
brigadat partizane.
“Tirana ka zemër të madhe” – tha këto ditë “Njëri”, i cili me kaq fjalë
kërkoi t’i jepte të shpëlarën njërës prej gafave të tij.
Dhe mirë e ka!
Përderisa Tirana priti dibranët që zbritën si ua donte qejfi, pastaj priti
lebërit e skraparlinjtë, ca më vonë tropojanët e kuksianët, dhe vazhdon të presë
fierakë e beratas, pse të mos zënë vend në këtë tokë dhe memorialet për
gjithfarë dëshmorësh me bëma në vendet e tyre. U hap që u hap thesi.
Ore Rexhep Taipit ia lumsha vërtet, se ai arrin ta bëjë politikën e tij. Sidomos
kur gjen gomarë të ngordhur. Po ne, ne shqiptarët ç’hyjmë në këtë mes, ku lejojmë
që në vazhdimësi të trajtohemi si provincë ekstreme e Perandorisë, atje ku
rekrutohen jeniçerët dhe hidhen mbeturinat.
Dhe në gjithë këtë performancë të çmuar, një ndihmë sublime japin dhe
shtetarët tanë të nderuar e të korruptuar bashkë.
S’do mend, ata janë të parët në kësi raste. Që kur u zbulua fenomeni “Esad
Pasha”, të gjithë mundohen që ndonjë cep "pa shumë vlerë" të Shqipërisë ta shkëmbejnë me ndonjë gjë pak më të vlefshme.
Në Shqipërinë e sotme, moderne e me minifund, kanë gjetur terren e gëlojnë
orientalizmat ekstreme. Ekranet janë të mbushur me filma nga epopetë e mëdha të
osmanëve, ku dhe Ertugruli, një turk gjysmë mongoli, trajtohet nga një aktor
biond që më shumë ngjan me Akilin e luajtur nga Brad Pitt se sa me Iliazin e
Shamikuqes. Dhe ja kështu, Taipi me mustaqe, i cili për shkak të një copë
toke përtej Bosforit, që e ka në zotërim falë luftës heroike të Mustafa Qemal
Ataturkut, kërkon t’i thotë Evropës duke i luajtur syrin: Jemi tanët.
Dhe Rexhep Taipi nuk është hera e parë që bën të tilla marifete, me ne dhe të
tjerët.
Por unë nuk po vë në kandar se ç’duhet të bëjë Turqia në marrëdhënie me Europën,
SHBA-në e Rusinë, ta blejë apo jo sistemin raketor të mbrojtjes, por kur flitet
për një detyrim të pakuptimtë, vendosje memorialësh në tokën shqiptare për
ushtarët që nuk kanë asnjë lidhje me Shqipërinë dhe çështjet e saj, nuk mund të
rri heshtur e të mos e them një fjalë.
Se një herë e një kohë për ne shqiptarët thuhej si shprehje: Ha bukën e
turkut e bën duvanë e kaurit. Ndërsa sot, në kushtet e një politike të re
paneuropiane na është përmbysur plani, ndaj e meritojmë të na thonë që: Kërkojmë
të hamë bukën e kaurit dhe po bëjmë rixhanë e turkut.
Memoriali i ushtarëve turq / rënë në Grushtin e Shtetit 2016 |
Dhe kjo ka të bëjë jo vetëm me memorialin e fundit, ku janë shkruar emrat e
ushtarëve të rënë jo vetëm në mbrojtje të rendit kushtetues, por dhe të
pushtetit personal të të parit të Turqisë, atij që jo rrallë e quajnë “sulltani
i ri”.
Ç’është e vërteta, jam ca i ndjeshëm në histori ndaj pushtimit osman, të
cilin ca e ca na e cilësojnë si administrim, duke e ulur pazarin për ta
barazuar shpatën e jeniçerëve me punën e administratorëve të pallateve, të cilëve
u kërkohet llogari se pse nuk është lyer shkalla me gëlqere të bardhë. Në fakt
falë këtij pushtimi të gjatë, popullsia arbërore e këtyre viseve ndryshoi në
mënyrë të skajshme mënyrën e jetesës dhe vetë mentalitetin. Dhe kjo ishte
dërmuese për një popullsi në qendër të Evropës me zakone e terbiete të ndryshme
nga ajo që u detyruan të bënin më pas.
Por iku kjo punë, faturën ne e mbajmë akoma mbi shpinë, dhe nga mentaliteti
orientalo-osman nuk jemi çliruar dot as në këta 107 vite Pavarësi. Sot ne ende
vuajmë pasojat. Ndaj do të doja të ishim sa më larg mentalitetit perandorak të
Portës së Lartë.
Megjithatë ajo që është futur në 500 vite do gjithashtu 500 vite të tjera të
dalë. Pra kemi kohë boll.
Epo duket se 500 vjet “vëllazërim” vërtet nuk i bëkemi dot hasha.
botuar në:
botuar në:
No comments:
Post a Comment