Epilogu
Inspektor Edi e mbylli dosjen mbi të cilën ishte
shkruar me bojë të kuqe: “Krim në famullinë e Frat Ludovikut”. Vuri pëllëmbën
mbi të dhe qëndroi për disa sekonda pa lëvizur. Pastaj e mori në duar dhe u bë
gati të dilte nga zyra.
Gjatë atyre ditëve dosja ishte mbushur plot me dëshmi
dhe me materiale të tjera, që hidhnin dritë mbi ngjarjen. Inspektor Edi e ndieu
se ajo rëndonte shumë më tepër nga sa po i peshonte në duar.
- Është plumb e rëndë, - tha me zë.
Para se të hapte derën, ai mendoi me bindje se do t’i
vazhdonte hetimet pa bërë zë. Vetëm kështu ata që kishin mbyllur sytë dhe
veshët për të dëgjuar edhe zërin e tij, do të bëheshin më të ndjeshëm. Mbase
atëherë do ta transferonin vërtet. Madje do t’i jepnin edhe një gradë më të
lartë. Donte të fillonte të jetonte sërish. Në djall të vente ish-gruaja dhe
nostalgjia për dashurinë e humbur. Nuk mund të tregohej kaq naiv.
- Ha, ha... - qeshi me një lloj mllefi dhe sërish
fytyra e tij mori pamje të menduar.
Shtrëngoi dosjen në gjoks dhe doli në korridor. Brenda
saj ndodhej gjithçka që kishte mundur të mblidhte gjatë atyre ditëve të
tensionuara. Ishin deklaratat e dëshmitarëve të parë që panë zjarrin, të
zjarrfikësve, dëshmitë të tjera të çuditshme që hidhnin baltë mbi priftin e
tyre. Gjithfarë gjërash. “Ç’njerëz!” - shfryu me vete inspektori. E pra, at
Ludoviku u ishte gjendur pranë në çdo hall, u kishte mbajtur mbi vete mëkatet,
i kishte lehtësuar. Kurse ata po e ngarkonin me mëkate të pabëra.
“Po të më linin dorë të lirë, do t’i shtroja në dru”, -
mendoi i nervozuar inspektor Edi.
Ia nguli sërish sytë dosjes. “Krim në famull...” Ishte
gati ta hidhte në zjarr, që të mos mbetej asnjë gjurmë. Për net të tëra kishte
qëndruar mbi letrat e asaj dosjeje për të gjetur zgjidhjen. Nuk kishte reshtur
së menduari pse kishte ndodhur ai krim, që kishte shkaktuar shtatë viktima,
njëri prej të cilëve personi më i njohur i zonës. Kurse tani...
Përshkoi me hapa të ngadalshëm korridorin deri te
banaku, ku Nora, e veshur me uniformën e policisë, dukej më seksi se kurrë. Për
herë të parë kishte ndryshuar edhe ngjyrën e flokëve: nga të kuq, në të verdhë.
Por inspektor Edi ishte krejt mënjanës. E vetmja gjë që në ato çast nuk i bënte
më përshtypje, madje kishte neveri për to, ishin vithet e Norës. Duke i parë
shkarazi ato, mendoi se nuk kishte gjë më të ndyrë se seksi kur nuk kishe fare
dëshirë për të.
- Të mori malli për mua? - i tha ajo me sy të qeshur.
Inspektor Edi i hodhi sytë te gjoksi i Norës. Edhe
sikur ajo të zhvishej krejt lakuriq dhe ta ftonte aty pas banakut, nuk do ta
joshte dot. Atë çast nuk kishte fare dëshirë të merrej me një femër.
- Jo, - foli ai dhe vazhdoi me një ton të hidhur: -
Erdha të të them që ta marrësh këtë dosje dhe t’ia gjesh vendin. Urdhër i
kapitenit. Fute andej nga fundi. - Nora mbeti gojëhapur. Hodhi sytë mbi
shënimin: “Krim në famullinë e Frat Ludovikut”, pastaj e vështroi në sy si t’i
kërkonte t’i thoshte diçka më shumë. - Çështja arkivohet.
Zëri i oficerit të policisë ishte i thatë, akull i
ftohtë. Nora u mat të thoshte diçka, por inspektor Edi nxitoi t’i kthente
kurrizin duke folur me një zë që dukej sikur vinte nga thellësia e nëntokës.
- Ndrysho ngjyrën e flokëve... Dukesh si kurvë...
No comments:
Post a Comment