Leonard Veizi, Mimoza Erebara dhe Mehmet Baci (piktor) Rreth vëllimeve me tregime të autorit Leonard Veizi: “Grahma e shpirtit të mjegullt”, “Ngrehina e përhumbjes” dhe “Treni i fundit i metrosë” |
Nga Mimoza Erebara
Kur u krijua vetëdija në trurin e njeriut, fillimisht në formën e
paraqitjes qendrore të hapësirës, njeriu kishte mundësi të vepronte me
imagjinatë në hapësirën e menduar. Hapësira ku sillet vepra e Leonard Veizit
është proza. Ndoshta është nga të paktët shkrimtarë të rinj kaq shumë besnikë
të gjinisë që ka zgjedhur, që janë prezantuar para lexuesit, përkitas nocioneve
dhe ndjenjave që ai vetë ka.
Nga “Grahma e shpirtit të mjegullt”, tek “Ngrehina e përhumbjes” dhe nga
kjo , tek “Treni i fundit i metrosë”, është një rrugë e gjatë e autorit që
ndihet edhe në tekstet përkatëse.
Që të lexosh Leonard Veizin duhet të “përgatitesh mirë”. Duke zotëruar
aftësinë e të treguarit, ai të mban pezull për të mësuar fatin e personazhit.
Përgjithësisht në të gjithë vëllimet e këtij autori ku ka shumë personazhe.
Rrëfimi bëhet në vetën e parë ose të tretë, si mënyra më e mirë për të qenë
pranë lexuesit. Personazhet e tij janë njerëz më se të zakonshëm, që fare
rastësisht gjenden brenda një ngjarjeje të caktuar dhe kështu marrin rolin e
protagonistit. Personazhet e tij janë njerëz më se të zakonshëm, që fare
rastësisht gjenden brenda një ngjarje të caktuar dhe kështu marrin rrolin e
protagonistit. Vërtiten ata sa një tregim tek tjetri dhe e gjithë e përbashkëta
e tyre, mesa duket qëndron në dy aspekte: E para, në atë vijë të thellë
trishtimi që i ndjek si një fill i fortë dhe E dyta, huajësimi siç do të
thoshte Bruno Fogelman.
Është një trishtim që nis që me tregimin e parë të vëllimit të parë të
autorit, “Agonia”, ku na jepet një njeri që jeton mes jetës dhe vdekjes, ku
koha dhe hapësira e kanë humbur nocionin e tyre fizik, por kanë një dimension
tepër shpirtëror me të cilin autori e çon personazhin e tij larg, përtej
ëndrrës dhe realitetit. Gruaja në jerm është plotësisht e nënshtruar ndaj
natyrës, por në të njëjtën kohë, vetë shpirti i saj rebel pohon me forcë të
kundërtën. Pikërisht në ato çaste ajo kërkon të njohë vetveten, si të thuash:
“të vejë pikat mbi i” për jetën e vet. Ajo vazhdimisht eksploron brenda vetes,
por ndërkohë dhe na jep të plotë atë ç’ka ka mbetur prej saj, pa e ditur as ajo
vetë, as autori që merr për sipër të na e tregojë, dhe as lexuesi, sa e madhe
është, sa më të paarritura, sa më të panjohura dhe sa kërcënuese dhe e huaj
është në të vërtetë. Ky tregim është një eksplorim psikologjik i unit njerëzor.
E në të njëjtën kohë, ky tregim përçon me forcë idenë e huajëzimit, që e thënë
thjesht do të thoshte se njeriu nuk e njeh më vetveten dhe njerëzit e vet,
punën e vet, jetën e vet, ashtu siç janë në të vërtetë.
Dhe ky koncept shpaloset tashmë i ndarë në dy personazhe tek tregimi tjetër
i këtij vëllimi “Thyerja”. Edhe në momentin që mendon se e di kush është dhe
çfarë kërkon, Jeta si më e fortë që është bën shakanë e përhershme, ta merr nga
dora. Dhe duket se ajo, Jeta, të bërtet me fjalët e Mefistofelit tek Fausti: “Unë
jam shpirti që mohon vazhdimisht. Dhe me të drejtë! Mbasi çdo gjë që krijohet
duhet të zhduket, sepse unë jam një pjesë e asaj force, e cila gjithmonë ka për
qëllim të keqen dhe gjithmonë krijon të mirën”. E mira e “Thyerjes” është
vetëm dashuria pa kufij që shtrihet në kohë. Po ky çift del përsëri, por kësaj
here pak më ndryshe tek “Pas shfaqjes” tek vëllimi i fundit “Treni i fundit i
metrosë”. Ky tregim, pos atyre vetive që përmendëm për dy të tjerët ka dhe një
veçori tjetër tepër të dukshme. Në një farë mënyre, ky mund të quhet edhe
tregimi i ndryshimit. Në këtë tregim, shpirti i personazheve si dhe nocionet e
tyre për botën që i rrethon janë në lëvizje të përhershme, me një shpejtësi që
tillë që të tremb për fundin e pritshëm, për tragjizmin e thellë, që nuk është
vetëm i atyre të dyve, por të krijohet ideja se vjen që nga thellësia e
kohërave. Edhe në një lidhje në dukje as të qëndrueshme, me një strukturë
gati-gati të ngurtë për nga qëllimet e sakta e të pastra që kanë mes tyre,
ndryshimi ndodh.
Panta rhei – Çdo gjë rrjedh, - thotë
Herakliti. Po ky ndryshim ndihet edhe tek “Famullitari”, apo “Rrëfimi”, ku
personazhet mes huajëzimit, dualizmit të vetvetes gjakojnë me forcë të
mbijetojnë në botën që shfaqet armike për ta. Edhe atje, ku mosha duhet ta
mundte këtë jetë armike, nuk mundet. Personazhet veprojnë në një kohë kur
ndihet ankth në trup e zemër, ankth i luftës për ekzistencë, për mundësinë e
zhdukjes ose së paku të vuajtjes së fatkeqësive të shumta. Kohën, ku çdo gjë,
ku dhe dashuria gjëja më sublime e njeriut konvertohet lehtësisht në para, ku
njeriu tjetërsohet dhe si gjarpri që ndërron lëkurët e tij dhe ai i ndërron dhe
kurrë nuk i bën përshtypje, sepse çdo gjë të mirë që mund të kishte pasur më
parë o e ka flakur për fare, o e ka platitur thellë në skutat më të thella të
shpirtit të tij. Kjo është ajo, që të vret dhe të dëshpëron aq shumë kur lexon
“Treni i fundit i metrosë”. Çdo gjë është e ndërlidhur, madje më e afërta dhe
më e largëta. Kështu, çdo gjë vepron mbi çdo gjë dhe mbi këto rrethana gjendet
baza e shkakësisë së ndërthurur. E pra, personazhe të ndryshme, jetë të
ndryshme, mosha të ndryshme, kohë të ndryshme, por që të gjitha konvergojnë në
një pikë, në atë parim dialektik që sapo përmendëm. Dashurisë i kushtohen disa
nga tregimet e Veizit. Të bie në sy trajtimi seksual i tyre, është një
sensualitet që vjen natyrshëm dhe real. Autori është munduar të futet thellë në
skutat më të thella të shpirtit njerëzor dhe të shpjegojë të gjithë dridhjet e
shpirtit dhe ato të zemrës, duke u përpjekur të na tregojë se ku është ai
mekanizëm që e mban gjallë këtë ndjenjë. A është kjo ndjenjë promotori i
zhvillimit të vetë qenies njerëzore, apo është vetëm një “sëmundje” kalimtare,
a është e vazhdueshme apo është një ndjenjë fatale. Një ndjenjë që e çon
personazhin, njeriun, në tragjizëm pa fund, një tragjizëm që është i thellë
brenda vetë shpirtit njerëzor, po aq është jashtë tij, ai që dikton tek e
fundit ngjarjen. Me gjithë ndonjë rezervë të narracionit, tregimi “Ema’,
ndoshta është më i arriri.

Shoqëria njerëzore e kohëve moderne, pra dhe shoqëria shqiptare, pjesë e të
cilës është dhe autori, fatkeqësisht e çimenton çdo ditë e më shumë
indiferentizmin e saj ndaj ndryshimeve, ndaj kontradiktave që e rregullojnë dhe
e shkatërrojnë jetën, ndërthurjes së shumanshme të sendeve dhe të ngjarjeve,
deri në atë masë sa gjenden pastaj krejt të papërgatitur kur një dukuri a
fenomen shoqëror, “pëlcet”, në formën e një lufte apo një krimi.
Tregimi i shkurtër është “Vrasësi” por rezonanca e tij është dridhëse,
gati-gati e pabesueshme. Por për fat të keq është reale. Jo pa qëllim, po i
përmend tani tregimet e vëllimit të dytë “Ngrehina e përhumbjes”, sepse edhe në
arkitekturën e ndërtimit ky është një vëllim që dallon nga dy të tjerët. Në të,
tregimet janë të shkurtra, bile ndonjëherë ke përshtypjen se janë vetëm bocete
tregimesh të ardhshme.

Sigurisht që nga të 34 tregimet, jo të gjithë janë të arrirë artistikisht. Diku
mungon dialogu, diku është lënë në mes, diku gjuha nuk është në nivelin e
duhur, fraza zgjatet pa kuptim, narracioni e dëmton ritmin e brendshëm që duhet
ta ketë çdo vepër arti, apo fabulat nuk janë aq të gjetura sepse nuk premtojnë
për të qenë me të vërtetë një vepër e mirëfilltë arti, por kjo nuk e dëmton
aspak atë qëllim të parë të autorit që të jetë prezent tek lexuesi dhe që ai,
pasi ta lexojë të meditojë për të. Dhe proza e Leonard Veizit e arrin këtë.