Historia e
Mig-15 dy vendesh i cili u rrëzua në rajonin Stan-Karbunarës
të Lushnjes. Ekspertiza e paqartë: Avioni humbi lartësi, por mund të ketë pasur
dhe një defekt të rëndë. Flet Qirjako babai i pilotit Eduard Kostëdhima:
Kishte vetëm 4 muaj që ishte titulluar pilot. Në fluturimin e fundit ishte në
kabinë me instruktorin e talentuar Fluturim Molla
Avioni
ishte sulur me një shpejtësi të pakthyeshme drejt tokës. Askush nuk e ndalonte
dot, as leva dhe as butonat. Udhëheqësi i fluturimit mundohej me tërë forcën
t’u jepte pilotëve një udhëzim nga ku shpresonte se ata të mund të dilnin nga
spiralja ku kishin rënë. Por ishte e kotë. Komunikimi me radio ishte ndërprerë.
Pilotët e tjerë, që ndiqnin fluturimin me ankth, ishin shtangur me sytë e
mbërthyer në një pikë të papërcaktuar, nga ku mendohej se avioni me kolegët e
tyre brenda tij, do të shfaqej nga çasti në çast. Ndërsa
ata, të dy pilotë në të njëjtin avion luftarak, nuk do të arrinin dot të
uleshin mbi pistën e shtruar me beton...
...Ai
ruan si gjënë më të shtrenjtë një copë llamarinë të avionit Utimig-15 me të
cilin djali i tij bëri fluturimin e fundit. Ceremonia mortore kishte mbaruar,
por ai si baba e si një ish-ushtarak këmbësorie, që mund të kuptonte diçka më
shumë se një civil, nuk e ka mbajtur vendi. Ka kërkuar të inspektojë vendin ku kishte
rënë avioni Utimig-15, në bordin e të cilit ndodheshin dy pilotë, njëri prej të
cilëve ishte djali i tij 23 vjeçar.
Komanda e Bazës Ajrore të Kuçovës nuk ka nguruar t’i vejë në dispozicion një
makinë me dy diferencialë që mund të hante çdo lloj rruge, si dhe dy oficerë
shoqërues, për ta çuar në vendngjarje, atje ku kishte mbetur një tokë e
shkretë. Qiriako Kostëdhima, 22 vite pas
katastrofës ajrore, ku djali i tij pilot humbi jetën, rrëfen detajet që
ka mundur të mbledhë nga tragjedia, e cila në një term të ftohtë e teknik
cilësohet si: katastrofë ajrore.
Eduard Kostëdhima |
Si do të shkonte
Eduardi në shkollën e aviacionit?
Unë
vetë për shumë vite kam qenë oficer këmbësorie, por edhe Eduardi u arsimua në
shkollë ushtarake. Pasi përfundoi shkollën 8 vjeçare me nota shumë të mira, në vitin
1983 Eduardi iu dha e drejta e studimit në shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”
të cilën e mbaroi po me rezultate shumë të
mira në vitin 1987. Po këtë vit falë pasionit për armën e aviacionit dha
provimet dhe fitoi të drejtën për të vazhduar studimet në Akademinë e Forcave
Ajrore në Vlorë të cilën e mbaroi në 25 nëntor 1990 me specialitetin pilot. Po
këtë vit u titullua oficer me detyrën e Komandantit të Ekuipazhit të
Aviacionit, gjuajtës-bombardues në bazën ushtarake ajrore të Kuçovës. Në
dhjetort 1990 ai është paraqitur në repart për të marrë detyrën.
Si do të ishin
muajt e parë të tij në detyrë?
Nga
kolegët e tij kam dëgjuar se për nga aftësitë e marra dhe aftësitë tekniko
profesionale, ai u bë një nga pilotët e rinj më të talentuar që njihte dhe
përdorte avionin me profesionalizëm. Ishte ushtarak i rregullt, shumë i
disiplinuar, korrekt dhe i kompletuar me të gjitha të dhënat fluturuese. Mendoj
se premtonte për t’u bërë një kuadër shumë i aftë i aviacionit ushtarak. Me këto
cilësi e virtyte, punoi e luftoi deri në fund të jetës së tij. Megjithëse
karriera e tij në armën që donte më shumë, ishte e shkurtër.
Në çfarë
rrethanash do të humbte jetën ky pilot i talentuar?
Më
22 mars 1992 ai mori detyrën për të kryer fluturimin në zonën e përcaktuar nga
Komanda, në ushtrim kontroll tregues për përpunim e pilotazh të thjeshtë e të
ndërlikuar me avionin Utimig-15. Fluturimi do të bëhej në në rajonin e Fierit e
Lushnjes. Pas kryerjes së detyrës Eduardi kërkoi humbjen e lartësisë që të ulej
në aerodrom. Por në çastet e fundit ka pasur dhe një humbje të kontaktit me
radio mes avionit në ajër dhe komandës ku ishte udhëheqësi i fluturimit. Me
humbjen e lartësisë avioni ka rënë në një spirale të thellë, me shpejtësi të
madhe, duke u përplasur me tokën. Këto të dhënë e termat teknikë të aviacionit
unë i kam të dëgjuara nga kolegët e tij. Në çastin e përplasjes avioni është përfshi
rënga flakët duke u shkatërruar plotësisht. Kështu djali im, Eduardi, mbeti pa
jetë në krye të detyrës, për të mos u ngritur më.
Fluturim Molla |
Si e kujtoni çastin
kur moret vesh lajmin për tragjedinë?
Ishte
një çast shumë tronditës, për nënën e tij, për mua, dhe të vëllanë. Eduardi ra
në lulen e rinisë. Ishte vetëm 23 vjeç. Ai nuk arriti të na gëzonte ne si
prindër dhe as të afërmit e tij. Ai nuk la prapa grua e fëmijë. Por gjithsesi
la veprën e tij, për të cilën e respektojnë të gjithë ata që e njihnin. Akti i
tij tragjik na hidhëroi pa masë, ne familjarëve të tij në radhë të parë, por
kjo ishte tronditëse dhe për shokët, kolegët, miqtë e të afërmit e tjerë. Ishte
piloti i 32 që iu shtua shqiponjave të ajrit në Aviacionit Ushtarak që ra në gjirin
e tokës mëmë dhe në emër të Atdheut. Unë jetoj me kujtimin e tij. Eshtrat e tij
prehen në varrezat e Durrësit, vend ku me mund të shkojmë e ta vizitojmë
gjithmonë.
Sa u vlerësua ku
akt nga ana e institucioneve shtetërore?
Për
aktin e lartë të treguar prej tij, Ministria e Mbrojtjes, Komanda e Aviacionit,
Këshilli i Rrethit të Durrësit, atje ku unë banoj prej vitesh, me vendim nr. 49
të datës 23.12.1994, e shpalli Eduard Kostëdhimën “Dëshmor i Kombit”. Ndërsa me
vendimin nr .32 të datës 1.12.2000 nga Bashkia e Durrësit, pllaka përkujtimore
me emrin e tij u vendos në Muzeun e qytetit të Durrësit, me nderime të mëdha.
Dua të them se shteti e na nderuar dhe respektuar deri në fund aktin e djalit
tim, si dhe të kolegut tjetër me të cilin fluturonin së bashku Fluturim Mollës,
që ranë në krye të detyrës. Me këtë rast du atë përmend se një ndihmë të madhe
na kanë dhënë ish komandanti i Aviacionit të atyre viteve Kelement Aliko, si
dhe ministri i mëpasëm i Mbrojtjes, Safet Zhulali.
Fjalët e fundit të pilotëve, të regjistruara në shiritin manjetik
Në 22 mars 1991 Fluturim Molla me detyrën e zv.komandantit të skuadriljes mori në kontroll piloti e ri të kësaj skuadrilje, Eduard Kostëdhimën, me ushtrimin e pilotazhit të lartë, ushtrime këto që veç forcës duan dhe një përgatitje të lartë profesionale gjë që nuk u mungonte dy pilotëve. Koha ishte e kthjellët dhe me një shikim gati dhjetë të dhjetat, siç quhet në terminologjinë e armës së aviacionit, kur qielli ka shikim të plotë, të qartë si në atë horizontal ashtu edhe në atë vertikal. Ja dialogjet e atij fluturimi tragjik të nxjerrë nga shiriti i komunikimit midis dy pilotëve dhe udhëheqësit e fluturimit.
-Piloti Eduart Kostëdhima: - Ngritje mua...
-Udhëheqësi i fluturimit: - Ngritje juve... zona juaj... zona Fier-Shegan-Çermë-Ura Vajgurore...
Mbasi merr lejen për zhvillimin e ushtrimeve të pilotazhit të lartë, në shiritin e incizimit dëgjohen dhe ruhen në ky dialog ku dallohen fjalët si psh: “po marr lartësi”..., “zbatoj detyrën luftarake”..., “më lejoni”..., “zbatoni urdhrin”..., “ujin mua”..., “po humb lartësi”..., “hap flatrat”...,
Pastaj vijmë në dialogun fatal
-Piloti Eduard Kostëdhima: - Humbjen e lartësisë mua
-Udhëheqësi i fluturimit: - Humbni lartësi dhe kaloni në tranvers
- Piloti Eduard Kostëdhima: - Po vij me ulje
Vetëm kaq është regjistruar në shirit dhe më pas dëgjohen vetëm thirrjet e udhëheqësit të fluturimit. Por më kot. Avioni tashmë ndodhej i shkatërruar plotësisht. Ai ra në rajonin Stan-Karbunarës në Lushnje.
Eduard Qirjako Kostëdhima
U lind me 10.11. 1968 në Piqeras të Sarandës. Mbaroi Akademinë e
Forcave Ajrore për pilot reaktivi dhe kryente detyrën e komandantit të
ekuipazhit. Ra në krye të detyrës me 22.03.1991, së bashku me pilotin Fluturim
Molla, ndërsa fluturonte me avionin reaktiv dy vendesh MIG-15, afër rajonit të
Stan-Karbunarës në Lushnje. Një pllakë memoriale me emrin e tij ndodhet në varrezat
e Dëshmorëve të Kombit në Durrës.
Fluturim Qani Molla
Konkluzionet
Avioni humbi
lartësi, dhe u shpërtheu nga përplasja
Një
nga shprehjet më të njohura që thuhet në armën e aviacionit, kur ndodhin aktet
tragjike është: “Të vërtetët e rënies së avionit e di vetëm piloti dhe Zoti”. E
megjithatë për çdo aksident të ngrihet një grup ekspertësh, të cilët mundohen të
gjejnë shkakun. Nga konkluzionet e grupit të ekspertëve, për rastin e rrëzimit
të avionit Utimig-15 me dy pilotët, Fluturim Mollën dhe Eduard Kostëdhimën,
thuhet që pilotët gjatë humbjes së lartësisë kanë rënë në pozicionin shtopor. Por
ekspertët mendojnë gjithashtu se një gabim të tillë mund ta bënin studentët nën
nivelin mesatar të një fluturuesi fillestar. Siç thonë dhe mendimet e pavarura
të pilotëve që ishin prezent në ngjarje, shtopori mund të ketë ndodhur për arsye
të ndonjë thyerje disiplinore të pilotëve, si fjala vjen, ulje apo rrafshim
gati me tokën e avionit nga ana e pilotëve të rënë. E dyta, ekspertiza thotë që
një mundësi e madhe qështë që avioni të ketë pasur një defekt të rëndë në
sistemin e drejtimit e të komandave. E treta: mundët që piloti të ketë humbur kontrollin
duke humbur lartësinë me shpejtësi të madhe dhe me figura të ndryshme
pilotazhit të lartë. Gjithsesi në konkluzionet që vijnë nëpërmjet të tretëve,
mendohet se vërteta duhet kërkuar tek mendimet e pavarura të pilotëve të vjetër,
pjesëmarrës në atë tragjedi, si dhe të konkluzionit të zyrtar të grupit të ekspertëve.
Ajo ditë për pilotët e Kuçovës ishte vërtetë e dhimbshme. Ranë në krye të
detyrës dy pilotë, për të cilët thuhej se ishin njëri më i guximshëm se tjetri.
Të dy ranë dhe humbën jetën në lulen e rinisë, në fillimet e udhës së jetëve të
tyre. Fluturim Molla u varros në vendlindje, por një vendim i Qeverisë së vitit
1994 e shpalli atë “Dëshmoi i Atdheut” dhe eshtrat e tij tanimë prehen në
varrezat e “Dëshmorëve të Kombit” në qytetin e Korçës. Ndërsa Eduard Kostëdhima
ndodhet në varrezat e qytetit të Durrësit.
Fluturim Molla,
piloti që dinte të fluturonte
Siç
thotë një pilot i vjetër: “Qielli të edukon dhe të zbukuron”. Kështu ka ndodhur
dhe me pilotin Fluturim Molla. Ai kishte një karrierë fluturimi prej 11 vitesh.
Dhe ndoshta emri “Fluturim” kishte paracaktuar rrugën e tij të mëpasme në jetë;
të fluturonte. Pas përfundimit të shkollës së mesme ushtarake “Skënderbej”, që
ishte dhe baza për të vazhduar më pas të gjitha profilet ushtarake, ai vendosi
të futet në më të vështirën e specialiteteve, të vazhdojë studimet në shkollën
e Forcave Ushtarake-Ajrore për pilot. Në 1979 i përfundon studimet dhe emërohet
pilot në regjimentin luftarak gjuajtës-bombardues të Kuçovës. I kalon të gjitha
detyrat në mënyrë të shpejtë dhe
hierarkinë: nga komandant ekuipazhi, komandant çifti, komandant katërshe. Ai
trajnohet për avionë reaktivë Mig-15 Bis, dhe Mig 17-Aiben për të kaluar më pas
në trajnimin për avionë superzanorë Mig-19-Es. Shokët e afërt të tij tregojnë
se Fluturimi ishte njeri shumë i rregullt si ushtarak, si prind, si epror si koleg e si vartës. Ishte
29 vjeç kur mori detyrën e zëvendëskomandantit të skuadriljes dhe nëse jeta e
tij nuk do të ndërpritej në kulmin e aktivitetit, kolegët e tij thonë se ai do
të ishte një ndër figurat kryesore të armës së aviacionit shqiptar. Ishte një
pilot plot vitalitet, i aftë profesionalisht me një kulturë të përgjithshme e
me perspektivë përpara. Por data 22 mars e vitit 1991 do ta shkëpuste nga të
gjitha ëndrrat.
Kujtim Seranaj:
Dy pilotët u vlerësuan si “Qytetarë Nderi”
Kujtim
Seranaj, kryetari i shoqatës së Familjeve të Aviatorëve të rënë në krye të
detyrës, në të cilën janë të anëtarësuar të paktën 37 mbiemra e firma, thotë se
me rastin e 22 vjetorit të rënies të 2 pilotëve, u zhvillua një ceremoni ku ata
u shpallën “Qytetarë Nderi”, pikërisht nga zonat ku kishin vendlindjen. “Për
aktin e tyre, me rastin e përvjetorit të rënies në krye të detyrës, shoqata jonë
në bashkëpunim me Komandën e Forcave Ajrore, e cila për çdo aktivitet ka qenë e
gatshme të na ndihmojë, si dhe në bashkëpunim me komunën e Lukovës me kryetar
Vladimir Kumin dhe komunën e Moglicë në Korçë, u bë e mundur shpallja “Qytetar
Nderi” i dy pilotëve, respektivisht Eduard Kostëdhima dhe Fluturim Molla. Ne si
shoqatë e kemi si detyrë që të mbajmë gjallë kujtimin e dëshmorëve të ajrit.
Kështu që në vazhdën e veprimtarive tona do të lartësojmë më shumë emrin dhe
punën e të gjithë pilotëve që kanë rënë në krye të detyrës”, thotë Kujtim
Seranaj, kryetari i shoqatës së Familjeve të Aviatorëve të Rënë.
Aviatorët
Dëshmorë të Kuçovës
Me
rritjen dhe zhvillimin e shpejtë të aviacionit në Shqipërinë e pas Luftës së
Dytë Botërore, erdhi duke u rritur edhe kërkesa për plotësimin detyrave të reja
operative. Për këtë u mendua krijimi i një baze ajrore të madhe në jug të
vendit, dhe si pozicioni më i përshtatshëm nga pozitat gjeografike u caktua vendndodhja
në jug të qytetit naftëmbajtës të Kuçovës. Punimet për ndërtimin e bazës
filluan në vitin 1952. Pas tre vjetësh dhe me saktë në 15 Maj 1955 u përurua
Aerodromi i ri. Menjëherë pas krijimit Regjimenti filloi plotësimin e detyrave
operative, fillimisht me organiken e asaj kohe që përbëhej nga gjuajtës MiG-15Bis
dhe versioni stërvitor dyvendësh MiG-15UTI. Baza ajrore e Kuçovës ka kryer një
volum të madh stërvitje e gatishmërie në mbrojtje të kufijve tanë ajrorë, dhe
gjatë kësaj punë i dha vendit 8 dëshmorë. Ata janë:
1-Vasil
Nikolla Trasha
2-Hektor
Eftim Lako
3-Stilian
Vani Tanku
4-Hazbi
Ramadan Serani
5-Veiz
Halil Kovaçi
6-Haki
Abaz Skuqi
7-Eduard
Qirjako Kostëdhima
8-Fluturim
Qani Molla
Në
anën e mirëmbajtjes në vitin 1968 në Kuçovë u ndërtua dhe uzina e Riparimit të
Avionëve, e cila u bë edhe shtylla kryesore e shërbimit të avionëve që ishin në
pronësi të shtetit shqiptar. Uzina arriti e prodhoje me sukses pjesë këmbimi sikundër
edhe të bënte revizion komplet të avionëve luftarak shqiptare të tipave: Mig
15, Mig 17, Mig 19, Mig 21.
Publikuar
në gazetën SHEKULLI më 14.04.2013
No comments:
Post a Comment