Thursday, March 19, 2020

Paralelet mes “Murtajës” Alberiane nga Orani dhe “Covidit” të lëshuar nga Wuhani



Nga Leonard Veizi

“Minjtë”, shqiptonte copra-copra, Misheli, një i moshuar të cilin Albert Kamy e sakrifikoi si personazh që në faqet e para të librit të tij të jashtëzakonshëm. Dhe me këtë fjalë, portieri plak i një pallati gjatë agonisë me një temperaturë të lartë, donte të thoshte se ishin pikërisht ata, minjtë, që i morën jetën.
Qyteti ishte në prag të epidemisë së murtajës. Pasi ishin mbledhur 8 mijë minj të ngordhur, dhe ishin djegur natyrisht, makthi ishte futur thellë në Oran, qytetin e rëndomtë, madje të shëmtuar bregdetar, që gjithsesi ishte një provincë franceze brenda Algjerisë, e të cilin Kamy e ka përdorur si arenën e ngjarjeve të tij. Bëhej thirrje për masa rrënjësore. Njëlloj si në ditët e sotme, për higjienë shembullore, larje duarsh, dezinfektim ambientesh, e të tjera si këto. 
Banorët e Oranit, edhe ata që kishin vila në bregdet thoshin se do ta braktisnin qytetin. Në ditët e sotme, gjithashtu kemi të njëjtën pasqyrë ngjarjesh, njerëzit duan të ikin, veç nuk kanë se ku. Por një ditë Oran u fut në karantinë. Wuhani, gjithashtu...
Është njëlloj si të ndodhte në vitin 2020. Edhe pse në fakt romani është shkruar më shumë se 70 vite më parë. Veç sot në karantinë nuk është vetëm Wuhani...
Njerëzit kanë rendur të lexojnë “Murtajën” e Kamysë. Rrjetet sociale e kanë rekomanduar gjerësisht, dukë bërë me dije se romani në fjalë lidhet fort me situatë që po kalon Shqipëria, Evropa, dhe një pjesë jo e vogël e botës përtej kufijve të BE-së. Dhe njerëzit rrëmbyer nga ideja se në libër do të gjejnë diçka ngushëlluese, pikërisht nga një shkrimtar i cili njihet si themeluesi i rrymës filozofike të absurdit dhe korpusi e tij letrar bazohet më së shumti në idenë e ekzistencës së njeriut, janë ulur të lexojnë “Murtajën”.
Në këto ditë “pushimi” të detyruar, i drejtohem bibliotekës. “Murtaja” ime është një ekzemplar i botuar në vitin 1994. Botimi i parë në shqip nga shtëpia botuese “Tirana” e shqipërim të Vladimir Bakos. I hedh një sy për ta rifreskuar. U çudita me veten. Thuajse e kisha harruar. Në fakt, leximi vertikal, më kthjelloi gjithçka.
“Murtaja” e Kamysë, një thikë me dy presa.
Në fakt a mund të cilësohet “Murtaja” si një sintezë e qëndresës njerëzore ndaj të gjitha formave të dhunës e tiranisë? Këtu kritikët kanë ndarë opinione të ndryshme, ku një grup këmbëngul se romani është reflektim mbi shpërfilljen metafizike të njeriut në botë, të tjerë mbështesin idenë se romani përcjell histori të një murtaje tjetër: ajo e një kapitalizmi destruktiv dhe hipermaterialist. Ndërkohë, duke qenë se romani u botua në vitin 1947, fill pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, duket se me murtajën e minjve Kamy ka dashur të paralelizojë dhe çizmen naziste.
Sot romanin mund ta lexojmë me një regjistër tjetër.
Dhe mund ta lexojmë si të duam, përderisa autori na e ka lënë këtë shteg.
Me këtë regjistër, - që nuk e sugjeroj vetëm unë, - duket sikur romani të jetë shkruar enkas për këto ditë. Në rastin konkret, gjatë rileximit gjithë kohës emrin “Murtaja” e kam zëvendësuar me emrin “Covid” dhe qytetin “Oran” në Algjeri me atë “Wuhan” në Kinë.
Vijat e paraleleve, në 70 vite diferencë mbeten në kufij matematikor të saktë. Rrotulloje nga të duash romanin dhe ngjarjet bashkë me të.
Teksa kufomat nga murtaja shtohen në Oran, klima e mungesës së shpresës dhe fataliteti ndihet kudo në qytet. Dhe ky qytet, të cilin Kamy e ka përshkuar si të rëndomtë, pa pëllumba, pa pemë, pa kopshte, madje neutral, sipas këndvështrimit të tij, kthehet në një qytet fantazmë, ku fillon të mos funksionojë asgjë. Ashtu si dhe Tirana në ditët e sotme, ku mbahen hapur vetëm furrat e bukës, farmacitë e ca markata ushqimesh. Kemi të bëjmë me një shoqëri të mbyllur që lufton kundër murtajës, e ku Bernar Rië, protagonisti i romanit, e kryen me përkushtim detyrën e tij të mjekut, por duket se realiteti i përditshëm krijon gjithmonë dhe më shumë një distancim emocional dhe fizik mes tij dhe pacientëve për të cilët duhet të kujdeset. Në natyrën e Kamysë, kjo qëndron tërësisht, dhe personazhi është një nga emblemat e rrymës së tij filozofike.
Sot, vizat paralele, nga Orani algjerian tek Wuhani kinez, përkojnë edhe me Lombardinë italiane, ndoshta me Bergamon më së shumti.
Romani “Murtaja” kërkon të ekspozojë reagimin kolektiv njerëzor ndaj një situate pabesueshmërisht pesimiste. Në këtë mënyrë “Murtaja” ishte një shkas më shumë që shkrimtarit francez në vitin 1957 t’i akordohej çmimi Nobel në Letërsi pasi ishte nominuar dhe dy herë të tjera më parë, në vitin 1949 dhe në 1950. Sipas Akademisë Suedeze, Kamy shpërblehet për veprat të cilat me zell ndriçojnë sadopak problemet e ndërgjegjes njerëzore. 
Por për çfarë na siguron Kamy në fundin e romanit të tij:  “...bacili i murtajës as nuk vdes, as nuk mund të zhduket; ai për dhjetëra vite me radhë  mund të fshihet i përgjumur nëpër orenditë dhe ndërresat tona, ai pret me durim nëpër dhoma, bodrume, sepete, shami dhe shkresa, do të vijë pastaj ndoshta një ditë kur, ai pësim dhe mësim për njerëzit, murtaja, do të çojë nga gjumi minjtë e saj dhe do t’i nisë  ata të ngordhnin në ndonjë qytet të lumtur”.
Por a nuk thuhet sot e gjithë ditën se pas një vale të parë sulmi nga “Covid-19” do të kemi dhe një të dytë e me gjasa dhe një të tretë, pikërisht “në ndonjë qytet të lumtur”. Dhe veç kësaj, frika nga një diktaturë e re apo nga një Rend i Ri Botëror, është po aq në sfond sa dhe ajo për sëmundjet virusale që shkaktojnë pafund viktima të pafajshme...
“Murtaja” mund të ishte një testament i tij, por Albert Kamy u nda nga jeta nga një aksident automobilistik, në moshën 47 vjeçare, pikërisht atëherë kur mendonte se ishte në gjendje të shkruante veprën e pavdekësisë.
Sot, “Murtajën” mund ta lexojmë me regjistrin tonë më të përshtatshëm, dhe sërish në imagjinatë mund të heqim vijat paralele që i shohim domosdoshmërish të lidhura më një situatë ku jetojmë.

No comments:

Post a Comment