Nga
Leonard Veizi
Prania
e tyre thjesht sa kujtonte të kaluarën e errët, si reliktet e vjetra që kur të
zënë hapësirën e pamjaftueshme të banesës, kërkon t’i çosh në bodrum. Vërtet
nuk ishin më faktorë, por kujtimet e botuara nëpër letra risillnin në vëmendjen
e opinionit publik ngjarje, të cilave nuk u vihet kapaku kurrë.
Largimi
i njëpasnjëshëm, i Nexhmije Hoxhës dhe Vito Kapos, anëtare të larta të
nomenklaturës dhe martuar me burrat më të fuqishëm të Partisë së Punës, në
njëfarë mënyre mbylli të gjallët e epokës së shkuar. Ishte epoka e njerëzve që
e sollën komunizmin nga vitet e Luftës së Dytë Botërore dhe që e mbajtën
pushtetin me dorë të hekurt.
Edhe
pse ishte epoka e njerëzve të cilët dolën fitimtarë pas rezistencës që i bënë
fashizmit, ajo mbetet më problematikja në historinë 108-vjeçare të shtetit
shqiptar.
Sot,
kur nuk ka mbetur më njeri nga “garda e vjetër”, vendi është uzurpuar nga
njerëzit që u rritën në vitet më të vrullshme të ndërtimit socialist të vendit,
në inkubatorin bolshevik. Në 45 vite të jetës së saj, Partia e Punës pati kohën
e plotë të formatonte “njeriun e ri”.
Të
gjithë brezat që të paktën morën arsimim 8-vjeçar në vitet e komunizmit e
mbajnë mend mirë, që pas fizkulturës së mëngjesit të gjithë i nënshtroheshin
rreshtimit të detyruar nën thirrjen specifike të komandantit të çetës:
“Pionierë, për çështjen e Partisë dhe të popullit të jeni gati!” Menjëherë pas
kësaj vinte thirrja frenetike e nxënësve 6-14-vjeçarë: “Gjithmonë gati!” Po
analizojmë në mënyrë tepër të shpejtë. “Për çështjen e Partisë…”, d.m.th Partia
në fillim… por edhe populli, veçse andej nga fundi.
Kjo
ishte propaganda.
Gjatë
gjithë kohës, ne si shqiptarë, ata që ishin afër pushtetit, por edhe të tjerë
që ishin në bindje kundërshtarë të tij, morëm të njëjtin informacion: Gazeta
“Zëri i popullit”, “Revista Radiofonike” dhe ajo “Televizive”. Nga “ATSH” dilnin
vetëm lajmet që kompleksonin Perëndimin në greva punëtorësh apo në luftërat e
padrejta në vendet e botës së tretë. Për më shumë se kaq në ndihmë na vinte
zhurmuesi. Ai që interferonte mes valëve të “RAI”-t, TV “Titogradit” apo
“ERT”-së greke që futej në Jug të vendit.
Mos
pretendoni shumë nga ky brez. Në thellësinë e tij, si një shtresë që herë fle e
herë zgjohet është mbrujtur “Historia e Partisë”, “Materializmi Dialektik”,
“Anti-Dyringu”, “Feja opium për popullin” dhe… “Për ju pionierë”. Ec e të mos i
mësoje po deshe. Pa kaluar lëndën e “marksizmit” nuk hidhje dot një hap nga
dera e shkollës. Nuk është se domosdoshmërisht të priste burgu, thjesht, nuk të
priste asgjë.
Ndaj,
brezat e edukuar me arsimin 8-vjeçar, deri në vitet ‘90 mbeten të pabesueshëm.
Do të duhet të ikin edhe shumë breza të tjerë që vendi të lehtësohet plotësisht
nga temperaturat e propagandës së kuqe. Sepse, edhe pse mendojmë se jemi hapur
me botën, ajo vazhdon të veprojë në nënndërgjegjen tonë. Sepse, në kohën më të
mirë për të thithur informacion, ne morëm atë të gabuarin dhe nuk kishim
alternativë tjetër.
Ndaj,
brezat që shëtisin sot rrugëve të Shqipërisë, që dalin në televizor e flasin me
togfjalësha gjuhësh të huaja, kanë ndërruar vetëm pamjen e jashtme. Nuk pinë më
cigare “Partizani”, sepse e përballojnë me dinjitet një gramë kokaine të
pastër. Nuk vishen me teritalin e kombinatit “Stalin” dhe as me basmën e
kombinatin “Mao Ce Dun”, se në gardërobë kanë rreshtuar kostumet “Armani”. Por
në thellësi nuk janë të çliruar nga dogma. Ata janë po aq të varfër në mendim
sa dhe në vitet ‘80 të shekullit të shkuar.
Nga
rënia e Murit të Berlinit dhe rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës kanë
kaluar veç 30 vjet. Nuk janë pak, por sërish ato nuk mund ta shpëlajnë dot
propagandën e cila na shpëlau trutë, duke na bërë të besojmë deri në absurd se
mund të luftonim me tërë botën dhe sërish të triumfonim.
Largimi
pa kthim i drejtuesve të lartë komunistë, Nexhmijes e Vitos, qoftë edhe si
figura që merrnin frymë, është vetëm çmontimi i njërës prej hallkave, që deri
dje ishin fort të lidhura me njëra-tjetrën. Disi honorifike në pamje të parë,
dhe jo fort ngushëlluese, por gjithsesi është një hallkë më pak në zinxhirin e
diktaturës.
No comments:
Post a Comment