Rrëfehet Xhevdet
Shehu, korrespondenti i parë i Zërit të Amerikës në Shqipëri
Nga Leonard
Veizi
I
angazhuar me një gazetë studentore që tek të 20-tat e tij, tanimë, kur ka
mbushur 65 vjeç e sheh se prej 45 vjetësh nga puna e përditshme ka botuar një
mal me letra. I duhet të heqë veç pushimin javor dhe lejen e zakonshme. Po të
mos e njohësh, nuk e beson që tanimë, ashtu në një nëndërgjegje të heshtur, ka
filluar të mendojë se i duhet të mbledhë dokumentat për Sigurimet Shoqërore, e
të bëjë llogari se sa do t’i kthejë shteti në formën e një pensioni, për punën
e tij të shumëvitshme. Energjik e i papërtueshëm, ai është i përditshëm në
shtypin e shkruar me intervista, opinione e shkrime problemore. Ndërsa shokët e
tij përtojnë të ngrihen nga karriget e zyrave ku janë rehatuar prej kohësh,
Xhevdet Shehu mbetet një gazetar terreni me diktofon në xhep, e stilolaps në
dorë. Me një punë aktive në gazeta të ndryshme, autori i disa librave dhe me
një kolanë prej njëzet vëllimesh të përkthyer, kulmin e karrierës së tij e ka
pasur tek një prej platformave më të mëdha mediatike të botës, “VOA” si
korrespodenti i parë shqiptar i saj. E për më shumë se kaq, për gazetën FJALA,
ai rrëfen:
Keni shumë vite
që punoni si gazetar, si e ndjeni veten kur ktheni kokën pas?
Që
prej vitit 1977 bëhen 43 vite punë si gazetar profesionist. Kur e kthej kokën
pas tmerrohem, sepse është gjithë ajo punë, lodhje fizike e mendore. Por ndiej
dhe një kënaqësi të paparë, sepse në këtë profesion unë kam njohur pafundësisht
njerëz,situata, ngjarje. Kam njohur më mirë historinë e popullit e të vendit
tim dhe më është shtuar dashuria për të. Ndryshe nga ata që mendojnë se
Shqipëria nuk bëhet dhe duan të ikin, mua kjo s’më ka shkuar në mendje, madje
edhe fëmijët i kam mbajtur këtu, me shpresë se do të vijnë ditë më të mira për
këtë vend.
Sa e vlerësoni
profesionin e gazetarit?
Është
nga më të bukurit në botë, pikërisht për shkak të situatave të pambarimta që të
krijon dhe që të mban gjithnjë në lëvizje, të motivuar, duke të shtuar frymën
krijuese. Gazetaria është një shkollë e madhe, sepse të mëson se si duhet të
komunikosh me njerëzit. Gazetari është misionar në jetën tonë shoqërore. Ai
është një opinionbërës me ndikim shumë më tepër se një deputet apo ministër.
Sepse zyrtarët e shtetit janë të përkohshëm, por gazetari mbetet.
Keni milituar në
ndonjë parti politike?
Nuk
kam qenë asnjë ditë në asnjë parti politike. Kam qëndruar jashtë partive
politike edhe pse gjatë sistemit komunist gjithashtu kam qenë gazetar dhe nuk
më kanë munguar ofertat si atëherë si më pas për të qenë pjesë e politikës. Nuk
u josha asnjëherë, duke ditur peshën dhe rëndësinë e gazetarit si misionar i së
vërtetës. Këtu lind edhe përgjegjësia e madhe morale dhe politike e gazetarit
për të kryer sa më mirë këtë mision.
Si e perceptoni
ligjin e fundit “antishpifje”?
Nuk
kam frikë nga këto ligje. Unë i di vijat e kuqe dhe ato të bardha, kam etikën
time gazetareske, nuk fyej dhe nuk shaj kërkënd, dhe e kam mbështetur gjithë
punën time tek argument dhe logjika. Fakti është se gjatë këtyre 43 viteve punë
si gazetar profesionist, unë nuk kam pasur asnjë problem me drejtësinë apo
gjykatat, që të më këtë çuar dikush në gjyq për shpifje apo për denigrim të
figurës. Si i tillë ndihem krenar që e kam luajtur rolin që më takon në
shoqëri, dhe kjo më bën që të vazhdoj punën dhe tani që mbusha 65 vjeç.
A dalin
gazetarët në pension? Ose ti vetë ke ndër mend të dalësh në pension?
Jo.
Amerika e ka zgjidhur këtë problem. Aty mund të punosh sa të kesh fuqi. Edhe 80
vjeç nëse je frytdhënës. Unë nuk kam ndërmend të dal në pension. Po më nxorën
është tjetër gjë. Por nuk besoj, sepse gazetarët janë të nevojshëm dhe unë
besoj se do të vazhdoj të kontribuoj.
Kulmi i
karrierës është punë tek “Zëri i Amerikës”. Përvoja juaj?
Kam
qenë me fat që në kapërcyell të sistemeve më ra shansi të punoj si korrespodent
i “Zërit të Amerikës” në Shqipëri. Si i tillë kam përcjellë të gjitha
zhvillimet që kanë ndodhur në vend në fillim të viteve ’90, me aq mundësi sa
pata dhe për shkak të vështirësive të mëdha. Ndihem krenar që kam bërë këtë
detyrë dhe kjo ka qenë vërtet si një nga kulmet e karrierës time.
Mendoni se kjo
punë veç miqve krijon dhe kundërshtarë?
Natyrisht
që nuk janë të kënaqur të gjithë, dhe është e pamundur të kënaqen të gjithë me
opinionin tim, sepse në fund të fundit është një mendim subjektiv i imi për
zhvillimet në Shqipëri. Por unë më mirë të shkruaj dhe të flas se sa të hesht.
Nuk jam një sehirxhi i zakonshëm apo një qytetar i papërgjegjshëm. Kam
përgjegjësinë dhe ndërgjegjen time si gazetar dhe këtë e bëj, mendoj, në mënyrë
të mjaftueshme.
Ju njiheni dhe
si përkthyes. Cilat janë librat më interesantë që keni sjellë për lexuesit?
Më
janë bërë rreth 20 libra. Fatmirësisht autorët janë bashkëkohorë dhe të gjallë,
me të cilët kam pasur kontakte. Janë Xhejms Petifer e Miranda Vikers dy
historianë anglezë. Është Bato Tomasheviç, një mik i Shqipërisë, i cili u nda
nga jeta më shumë se një vit më parë. Është Piter Lukas që jeton në Amerikë,
por edhe Evërill Kamerun në Angli. Ndër librat më të rëndësishëm që kam
përkthyer janë: “Në syrin e ciklonit” një libër voluminoz i Xhorxh Tenet me
kujtimet nga koha kur drejtonte CIA-n amerikane. “Jetë dhe vdekje në Ballkan”,
i Bato Tomasheviç është gjithashtu një libër i mrekullueshëm. Më pas vjen
korpusi i librave të Xhejms Petiferit dhe Miranda Vikersit, që flasin për
historinë shqiptare. Libër shumë i rëndësishëm është “Misioni Amerikan në
Shqipëri” i Piter Lukasit, i shkruar me objektivitet dhe i mbështetur mbi
dokumente autentike të dhënë nga CIA. Personazhe të rëndësishëm të atij libri
zgjojnë gjithnjë interes pasi kryepersonazhi është Enver Hoxha, por është dhe
Mehmet Shehu e Harri Fulci, që ishte dhe shefi i misionit amerikan me qendër në
Bari. “Misioni Amerikan në Shqipëri” është ana tjetër e medaljes së librit
“Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë” të Enver Hoxhës.
Puna e paanshme
Presidentët e
kryeministrat në filtrin e gazetarit
Në
shtypin e kohës ai ka sjellë në vazhdimësi zëra të nomenklaturës së vjetër, ata
që janë më të kontestueshmit, zakonisht. Dhe ja si i përgjigjet Xhevdet Shehu
pyetjes se sa i shërben një gjë e tillë lexuesit? “Nuk jam ndrojtur që të marr
në intervistë këdo që është pjesë e historisë. Tek “Zëri i Amerikës” unë kam
marrë në intervistë Leka Zogun. E mora si gazetar jo se isha zogist. Kam
intervistuar kryetarin e Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhin, dhe jo se jam
ballist. Por kam intervistuar edhe personalitete të jetës kulturore, që nga
Dritëro Agolli, Ismail Kadare e me radhë. Më pas kam intervistuar të gjithë
presidentët e Shqipërisë, të gjithë kryeministrat, me të cilët kam krijuar
njohje dhe miqësi dhe e quaj veten me fat që kam komunikuar me ta ku secili ka
dhënë përvojën e tij në politikë apo në drejtimin e shtetit. Këtu nuk mund të
përjashtoja edhe kontaktet me Nexhmije Hoxhën, gruan e Enver Hoxhës, që sundoi
Shqipërinë për një gjysmë shekulli. Ndërkohë që Enver Hoxha ka 35 vjet që ka
vdekur, kjo zonjë jetoi gjatë dhe ka lënë shumë kujtime, sepse në 20 vitet e
fundit ka shkruar 6 libra ku të fundit e botoi një muaj para se të ndërronte
jetë. Dhe nga kontaktet e vazhdueshme që kam pasur me të, unë kam zbuluar edhe
gjëra të tjera që janë të pathëna nga historiografia shqiptare. Gazetari
nëpërmjet kontakteve të drejtpërdrejta me personalitete të historisë e
politikës kap nuanca që s’i kap një sy i zakonshëm. Kap mimikën kur i bën një
pyetje të vështirë, një gjestikulacion, një nervozizëm apo kënaqësi të atyre
kur flasin për atë periudhë. Dhe unë i kam pyetur për të gjitha problemet e
asaj kohe, që nga spastrimet politike, vdekjet e vetëvrasjet e dyshuara, të
gjitha i kam pasqyruar në shtyp. Por edhe kjo nuk do të thotë se unë jam
enverist apo nostalgjik i diktaturës. Para disa vitesh unë botova një libër me
titullin “Prapaskena” me hulumtime në historinë e Shqipërisë komuniste. E bëra
këtë si gazetar jo si historian, ku futet edhe meditimi, analiza, logjika dhe
intervista që kam pasur me personalitetet. Ata që e shohin bardhezi atë
periudhë gabojnë. Sepse edhe në atë periudhë ka pasur arritje, siç ka pasur
edhe krime, dhe probleme të tjera. Ndaj dhe u përmbys. Mirëpo nuk mund të
fshihet një gjysmë shekulli histori. Dhe realisht, Shqipëria në atë periudhë u
bë shtet modern madje me autoritet të padiskutueshëm ndërkombëtar. Dhe këto
janë fakte të pakundërshtueshme. Fjala vjen; tre aleanca të mëdha që krijoi
Enver Hoxha me Jugosllavinë, Bashkimin Sovjetik dhe Kinën, që ishin dhe
superfuqi, tregon se sa i rëndësishëm ka qenë shteti shqiptar në politikën
bashkëkohore. Por ishte dhe interesimi i vazhdueshëm i Amerikës, protektorati
amerikan që s'i ka munguar asnjëherë Shqipërisë, madje as gjatë regjimit komunist.
Për të arritur deri te interesimi i fundit i Amerikës dhe Evropës duhet të dimë
dhe nga kemi ardhur”.
No comments:
Post a Comment