Sunday, March 8, 2020

8 Marsi i grave apo... i burrave




Nga Leonard Veizi

 

Me 6-të qese plastike në duar, të ndara tre e nga tre, çaj përmes turmës së njerëzve që kishin dalë për pazaret e së dielës.
Është 8 mars.
Gruaja ecën pas meje si manare. Epo burrë zamani, jo shaka, dhe burrat ecin pesë hapa para grave. Edhe pse gruaja tund në dorë një kuletë elegante e unë pesë hapa para saj me qese të mbushura me mollë, portokalle, kastraveca, domate, qepë e spinaq, mund të quheshim çift në kohë. Thirrjes së bashkëshortes të merrja nga e majta për t’u futur te sallameria iu përgjigja:
-S’kemi shumë para me vete, - dhe si bëra një llogari të shkurtër me mend, tek përfytyrova se në portofol kisha një 5-mijëshe letër e ca qindarka, ku shuma e përgjithshme shkonte nga 6 mijë e 800 lekë të vjetra, i them:  – Jo, se unë s’i mbuloj dot shpenzimet, s’kam shumë para me vete.
Gruaja rrudh buzët e më përsërit shprehjen e njohur: Aman, po kur ke pasur ndonjëherë ti?!
Dhe ka të drejtë... Që kur mori frenat e ministrisë se Ekonomisë dhe Financave, unë u shkarkova nga barra e rëndë e tatim taksave dhe e shërbimit doganor.
Për 8 mars jemi mësuar të shohim turma grash nëpër rrugë. Lokalet janë të gjitha të prenotuara dhe për ne fakirët, burrat, po ka mbetur ndonjë zgëqe me qofte e raki koçomare jemi mirë. Fundja ne naze nuk kemi, me 500 lek teken, ca djathë e ndonjë qepë a hudhra e shtyjmë paraditen, dhe po kaq na duhet për pasditen e thellë. Por gratë kur ulen ta fshijnë kuletën or lum miku, verë të kuqe, karkaleca deti dhe një sallatë shef që kullon nga majoneza.
Ca vite më parë kjo ndodhte vetëm në 8 mars. Tanimë ndodh ca si shpesh, madje ca si shumë shpesh. Kjo do të thotë se kohët kanë ndryshuar dhe 8 marsi ka marrë kuptim më të gjerë në të drejtat e grave.
Dhe sa për histori: Dita Ndërkombëtare e Gruas, që përkujton dhe lëvizjen për të drejtat e grave, festohet më 8 mars të çdo viti. Ideja për “Ditën Ndërkombëtare të Gruas" është hedhur fillimisht andej nga fillimi i shekullit të XIX-të, e cila ishte një periudhë e tronditur nga trazirat dhe shtimi i popullsisë, për botën e industrializuar. 8 marsi u sugjerua nga Konferenca Ndërkombëtare e Gruas 1910 për t'u bërë si "Dita Ndërkombëtare e Gruas". Pasi gratë morën të drejtën e votës në Rusinë Sovjetike më 1917, 8 marsi u bë një festë kombëtare në atë vend. Kjo festë nëpërmjet lëvizjes socialiste, mbizotëroi kryesisht në vendet komuniste, derisa u miratua në vitin 1975 nga Kombet e Bashkuara. Dhe kështu kemi 8 marsin edhe në mileniumin e ri.
Kjo kishte të bënte me të shkuarën.
Sot 8 marsi është ditë ahengu. Parukeritë e shitësit e luleve bëjnë xhiron e vitit. Lokalet e klasit të parë në vigjilje të kësaj dite bëjnë porosi për tavolina shtesë. Punë ka dhe për “DJ”-të me nga një lap-top e dy bokse sa unë në këmbë. Tallava or të keqen sa të shkulesh nga brinjët duke kërcyer.
-Do hamë ndonjë drekë familjarisht apo ke lënë ndonjë tavolinë me gratë e “kooperativës”? - pyes gruan.
Ime shoqe më hedh një vështrim ironik: - I shkreti ti.
Nuk më kanë hipur ende nervat, por i kthehem me një ton serioz.
-Duhet të rindajmë postet në kabinet. Nuk është e drejtë që ti të kesh portofolet e ministrive më të rëndësishme. Të financave, të asaj të punëve të Përmbrendshme,...
Gruaja ecën serbes me kuletën elegante në dorë, ndërsa mua dhe pse ditë dimri më kanë dalë djersët se mezi tërheq ngarkesën si kalë karroce.
-Pse qahesh, ti ke ministrinë më të fuqishme, atë të Mbrojtjes.
Ç’është e vërteta në ndarjen e dikurshme të posteve unë e mora me qejf ministrinë e Mbrojtjes meqenëse duke shkruar për një kohë të gjatë intervista ushtarakësh të liruar, njihja nga ushtria shumë me tepër se Olta Xhaçka, e cila kur vishet me uniformën ushtarake duket si kaptere e rangut të parë. Ndërsa unë mund ta hidhja një divizion në luftë pa më bërë syri tërrrrt, kështu që e meritoja të isha të paktën Gjeneralbrigade. Mirëpo ushtria jonë ka shkuar për lesh, s’ka as avionë e as raketa. Post honorifik. Ç’më duhej ministria e Mbrojtjes.
– Pastaj ti zotëron dhe ministrinë e Kulturës, se atë e ke me qejf të madh, - ia pat gruaja.
Këtu ma mblodhi. Inshallah nuk i bie në vesh Elva Margaritit se më merr me sy të keq, e më sheh si rival në pozicionin e lartë në krah të Edi Ramës.
-Dhe tani ec e të na japësh atë drekën që na premtove se është ditë feste, - më thotë gruaja duke qeshur, si për të më thënë se në fund të fundit Shqipërisë i ka ardhur koha të ketë një femër në krye të shtetit, o kryeministre ose presidente.
Ndërkaq mua më kanë hipur xhindet në kokë.
-Festë??? E kush paska festë në këtë mes? Ju gratë keni marrë tërë kabinetin, e ne burrave na keni lënë drejtorinë e komunales që përgjigjet për ujërat e zeza.
Gruaja qesh me të madhe. Domosdo, luftën e kanë fituar, herë me revolucione e herë duke nga i ngrënë xhanin pak nga pak. Tani duhet të fillojmë ne burrat të mendojmë për revolucione të reja.
Ndaj unë jam i mendimit që sot e tutje 8 marsi t’u kalojë si festë burrave. Se janë bërë si xhola. Gratë tanimë kanë marrë gjithçka.

 


No comments:

Post a Comment