Nga Leonard
Veizi
Shqiptarë,
mos kini frikë. Nuk ka sëmundje që na kap ne. As “Covidi”, as “Sarsi” e “Mersi”,
as gripi sezonal, madje as murtaja nuk ka ç’na bën. Nuk është puna vetëm tek
ato vaksinat TBC që na i ka bërë xhaxhi Enver me detyrim e që na kanë mbetur si
vula poste nëpër trup. Jemi thjesht imunë nga natyra. Ç’them dhe unë, Perëndia
na ka bërë të fortë e rezistentë sa më s’ka. Jemi si të thuash... derra.
Prandaj “gripi i derrit” s’ka ç’na bën. Përplaset te ne dhe kthehet pas.
Epo..., antitrupa të të njëjtës familje.
Sa
po i gëzoheshim faktit se për shkak të karantinës ajri ishte pastruar në të
gjithë trevën, qytet e rrethina, dhe pesëmbëdhjetëkatëshi shihej nga maja e
Dajtit aty ky janë antenat e televizioneve. Po kush të le të gëzohesh mor jahu.
Le që pse duhet me u gëzu kaq shumë?
“Është
pastruar deti” – më thanë ca durrsakë... Po or po, mos u bëni merak, ja sa të
fillojë sezoni pa ta shihni ju. Do ta kthejmë atë të shkretë Adriatik në një WC
gjigande...
Ne
nga natyra jemi sanguinë, mesdhetarë mo, ç’i do llafet. Marrim rreze me shumicë
e s’na durohet. Prandaj ha patatina dhe hidh qeset në rrugë. Pi coca-cola e
vërtiti kanoçet ku të mundësh. Mbaj maska në fytyrë e pasi mbaron punë e hedh
po në rrugë. Mbaj doreza plastike për t’u ruajtur nga papastërtitë e si mbaron
punë sërish i hedh në rrugë. Po pse në shtëpi do futemi ne me turli lloj
mbetjesh toksike. Larg pisllëku nga kalamajtë tanë. Atje në rrugë le të
qëndrojnë, derisa t’i heqë bashkia, se për atë punë i merr taksat.
Por
nuk është vetëm kjo; në rrugë padyshim nuk ecën dot se të merr përpara ndonjë
makinë, por edhe në trotuar vështirë të ecësh, pasi në çdo metër katror do të
gjesh të ndoturat e qenve, që me sa duket edhe ata kanë dalë nga karantina e po
i gëzohen lirisë. Kapërcim me pengesa... Dhe sado atlet të jesh, si zor t’ia
hedhësh pa e zhytur këmbë në m...
Kjo
është tabloja e re sinoptike e kryeqytetit në këto ditë fundprilli. Tirana në mënyrë
të pashembullt, të paturpë e të pacipë është qelbur.
Ore
jeni në metro, apo keni rrëshqitur përfundimisht? Këtu është bërë për të vënë
kujën. Ikëm nga shiu po biem në breshër. E përse duhen mbajtur këto mjete mbrojtëse
kur si përfundim nuk hyjnë fare në punë. Pështyma ngado, mbetjet e qenve gjithashtu.
Nuk ke nga hedh hapat. As tabelat e vizatuara në rrugë për mbajtjen e
distancës, - që kanë mbirë kudo në Tiranë, - nuk bëjnë punë. Me këmbët plot
pisllëqe futemi në shtëpi. I çojmë aty të gjitha papastërtitë e viruset që kemi
marrë rrugëve. Por ja shifrat e të intektuarve nuk janë për të dhënë alarmin. Përsëri
nuk na ka gjetur gjë. Jemi kockë e fortë ne. Jo “Covidi” që është një çikërrimë,
por as kolera nuk ka ç’na bën. Ehu, sa tallaze kanë kaluar këtej nga anët tona,
do na kishte shuar me farë e me rrënjë. Por jo, ne kemi mbijetuar.
Tek
e fundit kur s’na bëri gjë as turku, çdo na bëjnë një virus kinez.
No comments:
Post a Comment