Elvi Sidheri: Si
i solla në shqip kryeveprat e letërsisë botërore
Nga Leonard
Veizi
Padyshim,
Servantes e Lorka janë dobësia e tij, por po aq ndikim kanë tek ai dhe
Hemingway apo Dreiser. E megjithatë kjo punë nuk ndalet me kaq. Shqipërues nga
disa gjuhë, Elvi Sidheri i lindur në Tiranë e diplomuar në Shkup, prej vitesh
ka gjetur strehë në Prishtinë, duke u bërë në këtë mënyrë një shqiptar
tredimensional, i cili e ka ndarë jetën pikërisht mes tre kryeqytete
shqiptarësh. Shkrimtar e shqipërues i palodhur, këtë herë për gazetën “Fjala”,
ai ndan përvojën e tij si përkthyes i një serie veprash të cilat kanë pasur jo pak
ndikim në letërsinë botërore.
Përkthyes apo
shqipërues, cili është termi më i saktë dhe ku ndahen njëri nga tjetri?
Përkthyesi
është një profesion më i gjerë sesa shqipëruesi. Përkthyesi ngërthen një gamë
të larmishme përshtatjesh të këtij termi. Kemi përkthyes të shumëllojshëm,
përkthyes simultanë, përkthyes në terren, përkthyes zyrtarë, përkthyes
gjyqësorë, përkthyes si guida turistike, dikur pas zbarkimit amerikan në Japoni
në Luftën e Dytë Botërore, thonë se përkthyesi personal i Gjeneralit Douglas
MacArthur, pati luajtur një rol themelor në zbatimin e kushteve të paqes dhe
pushtimit mes dy superfuqive të kohës. Shqipëruesi është më specifik, “homo
literatus”, njeriu i mbrujtur në letërsi, gjuhësi e pasion letrar, që arrin ta
përçojë sa më besnikërisht nga gjuha e origjinës në gjuhën e tij/saj mëmë,
krijimin letrar përkatës në gjuhë të huaj, duke mos ia humbur tiparet e
mirëfillta, as përmbajtjen e frymën krijimit origjinal, aq më pak versionit të
shqipëruar, në gjuhën shqipe, siç vetëkuptohet.
Cila është vepra
që ju ka lodhur më shumë?
Kanë
qenë disa syresh, ndonëse nuk mund të pohoj që me ndonjë nga veprat që kam
përkthyer/shqipëruar, e kam pasur vërtet të lehtë. Si parim, përkthim/shqipërim
të lehtë nuk ka, për shkak të nuancave pafund që nënkupton përkthimi letrar,
gjuhësore, kulturore, mendësore, historike e kohore, mes të cilave “noton”
vazhdimisht përkthyesi/shqipëruesi, duke u orvatur të sintetizojë më të mirën
në përkthimin përfundimtar, ndryshe më mirë mos t’i hyjmë kësaj pune neve që e
bëjmë. Ndërkaq, shqipërimi i Profetit të Kahlil Gibran, sidomos, për shkak të
gjuhës tejet pjellore të përdorur nga autori në këtë kryevepër madhore të tij e
të letërsisë botërore, jo vetëm të shekullit XX, të shkruar qëllimisht me një
gjuhë në suaza biblike, një anglishte klasike shumë të pasur e tingëlluese,
plot sinonime e gurgullimë gjuhësore, padyshim ky përkthim më ka “lodhur”, më
ka shtyrë të synoj skajet e njohurive të mia gjuhësore, duke ma ndezur sakaq
ëndjen shqipëruese në përmasa të pahasura gjer atëherë. Gjithashtu edhe
përmbledhja me poezi “E Kthyera”, e poetes dhe artistes të njohur pamore
braziliane Laura Erber, me origjinë nga Rio De Zhaneiro, ka qenë një
sipërmarrje thuajse rraskapitëse në shqipërim, për shkak të karakterit introvers
të poetes dhe poezisë së saj të ndryrë mes pamores e shprehjes së ndërthurur
midis syrit e ndjenjës poetike, krijim disashqisor.
Cila është ajo
vepër që mendoni se keni bërë maksimumin e mundshëm?
Sërish
mund ta përmend Profetin e Kahlil Gibran, si shqipërim ku e ndiej, fatmirësisht
këtë gjë e kam të konfirmuar edhe nga lexuesit, që kam dhënë maksimumin, duke
sendërtuar një urë krejt të natyrshme mes origjinalit dhe shqipërimit, duke iu
afruar sa më shumë mendimit parësor të autorit, e shmangur “ndikimet” e
shndërrimet e tepërta përmes kalimit në një gjuhë tjetër, shqipes në rastin
tonë, po edhe duke e harlisur veprën, falë përparësive, veçorive gjuhësore e
fjalorit të pasur të shqipes. Gjithaq, kam pasur kënaqësi të veçantë të
shqipëroj nga origjinali në spanjisht “Shtëpia e Bernarda Albës” të García
Lorca, si dhe tre novela të rralla të mjeshtrit Miguel de Servantes, shkëputur
nga “Novelas Ejemplares”, Novelat e Shkëlqyera të atit të letërsisë spanjolle.
Nuk mundem mos të përmend të paharruarin Frédéric Mistral, nobelistin e
Letërsisë të vitit të largët 1904, nga i cili kam shqipëruar poezitë e vëllimit
Les Olivades, Ullishtet në shqip, duke ndërthurur gjuhën e tij mëmë provansale,
dhe frëngjishten, me vetëdijen se provansalishtja në ditët e sotme përballet me
rrezikun e zhdukjes, ndërsa poeti i këndon pikërisht ringjalljes së saj, duke
na kujtuar fort edhe gjendjen e shqipes në atë kohë, që falë Kongresit të
Manastirit, rilindasve, shpalljes së pavarësisë në 1912, shpëtoi nga fati i
trishtë i gjuhës provansale.
Nga cila letërsi
jeni ndikuar më shumë, spanjolle apo franceze?
Është
një pyetje e mençur që mund të ketë shumë përgjigje, po përmbledhtas, si
shkrimtar e përkthyes, e ndiej se kam më shumë ndikim nga mjeshtrit amerikanë
apo anglezë të letrave, nga Mark Twain te Ernest Hemingway, Theodore Dreiser e
Graham Greene, po edhe gjermanë, Lion Feuchtwanger e Erich Maria Remarque,
spanjollë, hispnanikë e luzofonë, spanjolli Miguel de Unamuno, kiliani i madh
Pablo Neruda dhe brazilianët Carlos Drummond de Andrade, Vincius de Moraes.
Si i shikoni
përkthimet letrare sot, a vijnë ato në një shqipe korrekte?
Nevojitet
të pranojmë se gjatë monizmit, brenda suazave të censurës letrare të kohës,
përkthimet që bëheshin ishin të paarritshme, sidomos unë që jam rritur me
përkthimet e mahnitshme të Robert Shvarc (që duket nga disa prej autorëve që
kanë lënë gjurmë në ëndjen time letrare, të shqipëruar prej tij), po edhe puna
e patëmetë me redaktim e korrektim letrar. E njëjta gjë vlen për vitet 30 të
shekullit XX, ku kishte më tepër mund e përkushtim ndaj mirëqenies së gjuhës
shqipe në letërsi. Ndërsa sot, përkthimet letrare (ndër)varen nga cilësia e
tregut të librit, po fatmirësisht ka plot kolegë përkthyes e botues të
përkushtuar, që bëjnë të pamundurën që lexuesve t’u ofrohen përkthime të një
niveli të padiskutueshëm. Nuk mungon pasioni, dashuria për gjuhën shqipe dhe
profesionalizmi. Ashtu siç ka raste abuzimi gjuhësor, përçudnimi të gjuhës
shqipe, dërrmimi gjuhësor, dukuri që theksohet në media, televizione, rrjete
sociale e botime online.
Elvi Sidheri:
Dorëshkrimi i romanit të parë më humbi në avion
Nga Leonard
Veizi
Ai
është njohësi i mirë i botës latine dhe i mentalitetit të asaj ane sigurisht.
Dhe botën e gjerë, që fillon nga Roma e shtrihet më tej se Andet, nuk e ka parë
nga dritarja e shtëpisë së tij, dhe as në mënyrë viruale përmes një ekrani high
definition. Lënë mënjanë Ballkanin dhe Stambollin Aziatik, por dhe Evropën e
epërme, e nisur nga Madriti Iberik ka mbërritur për t’u ulur këmbëkryq në
Brazil. Dhe nuk është çudi që në udhëtimin e ardhshëm të na surprizojë me më
shumë se kaq. Ndërkohë, në rrugëtimet e tij të herë pas hershme duket se është
ndjerë gjithmonë e më i dashuruar, por dhe i frymëzuar, padyshim, për atë çfarë
ka ndjerë nga prekja e tij kureshtare dhe e drejtpërdrejtë. Përkthyes i njohur
por dhe shkrimtar njëkohësisht, në këtë intervistë për “Fjala.al”, Elvi Sidheri
rrëfen mbi krijimtarinë e tij letrare, sepse për përkthimet, padyshim, do të
flasim një herë tjetër:
“Emigrantja”,
titullohet romani juaj i parë. Si u motivuat për të shkruar këtë libër?
Emigrantja
është një roman i ngjizur në mendjen time prej shumë kohësh tashmë, me një sërë
peripecish gjatë udhës së sendërtimit të tij, që ndoshta meritojnë një roman më
vete, e rrjedhimisht, edhe motivimi për të ka qenë pakëz i ndryshëm. Fillimisht
motivim parësor më ka ardhur rreth 15 vite më parë në Madrid, gjatë qëndrimit
tim në Spanjë, kryesisht i shtyrë nga përvojat e mia të shumta, edhe atëherë,
me njerëzit, kulturat, doket, rajonet dhe mendësitë e Ballkanit përgjithësisht,
të përqendruara në emigrimin masiv të shqiptarëve në Greqi pas vitit 1990. Ishte
një motivim që buronte nga njohja ime personale e rrethanave të emigrimit të
shqiptarëve në Greqi, dhe i Greqisë në vetvete, jo si emigrant, por falë
origjinës së pjesshme familjare me rrënjë në Greqinë e sotme, duke e shtjellur
këtë fazë historike në Greqinë e shqyrtuar si shoqëri, me tërë nënshtresat e
saj, përfshirë shqiptarët e shumtë vendas, arvanitasit, shqiptarët e zonave
kufitare me Shqipërinë e veçanërisht me Korçën në Maqedoninë Greke gjer në
Selanik, çamët ortodoksë, e gjithashtu pakicat e tjera kombëtare në Greqi,
sllavofonët, vllehët, pomakët, turqit, duke e sintetizuar emigrimin shqiptar të
pas-1990, në një diapazon më gjithëpërfshirës, tutje mendjengushtësisë e
shablloneve, me një protagoniste femër, shqiptare, nënë familje, po edhe grua e
paepur, duke simbolizuar gruan shqiptare që padyshim në emigrim ka mbajtur
peshën më jetike në çdo aspekt.
Dhe ishte Spanja
ajo që ndikoi në mënyrë të drejtpërdrejtë për të nisur kapitullin e parë?
Spanja
ndoshta më pati ndihmuar për t’u shkëputur mendërisht, jo vetëm fizikisht nga
Shqipëria, po edhe Ballkani gjithaq, pasi gjer atëherë, falë edhe profesionit
tim si përkthyes, e kisha shkelur thuajse pëllëmbë për pëllëmbë siujdhesën tonë
të lashtë kryeneçe, e pikërisht në një nga këndet më piktoreske në qendër të
Madridit, në muajin gusht, në brigjet e lumit të këndshëm Manzanares, pata
shkruar këtë roman, atëherë tërësisht me dorë, pra në dorëshkrim. Në fluturimin
e parë drejt Tiranës, kompania spanjolle kombëtare ajrore, Iberia, gjithsesi “u
kujdes” që valixhet e mia, ku ndodhej edhe dorëshkrimi i librit Emigrantja, të
humbisnin, e kështu kapitulli “romani i parë”, u duk përfundimisht i mbyllur,
gjersa 8-9 vite më pas, falë një ngulmimi të pareshtur shpirtëror, iu riktheva
shkrimit të këtij romani, duke ndier një tjetër motivim përtëritës kësaj radhe,
për vetë romanin dhe mua si shkrimtar. Kuptohet punova në laptop, duke e
rishkruar nga e para, duke iu përmbajtur trungut origjinal të shkruar në
Madrid, por të shtuar me përvojat e mia të viteve të mëpasme, një pjekuri të
pamohueshme të ofruar bujarisht nga koha dhe rezultati ishte një roman i
shpëtuar nga pluhuri i harresës dhe mëkati i humbjes. Pas disa ripunimeve të
tjera, ngaqë, gjykuar edhe përvojat e shumë kolegëve të mi shkrimtarë, romani i
parë vazhdimisht ripërpunohet, e çdo shkrimtar do ta rishkruante përherë nga
fillimi veprën e parë, më në fund Emigrantja u botua tetorin e vitit 2019,
ndonëse i dyti në radhë në rang botimi.
Gjithsesi, “Dy
Botë” e pa dritën e botimit i pari, por për nga radha vjen i dyti i shkruar. Po
ky roman si erdhi tek ju?
Romani
i dytë, ishte një motivim më i vetvetishëm dhe më i shpejtë për t’u shndërruar
në roman të shkruar, si çdo përvojë e dytë, jo vetëm në letërsi, ku tanimë
është krijuar shtrati i krijimit letrar. Faktikisht, romani “Dy Botë” falë një
ndërthurje rrethanash, ndonëse është romani i dytë që kam shkruar, gjeti i pari
dritën e botimit, përpara romanit tim të parë “Emigrantja”. Ishte një vendim i
imi duke ndjekur shtysën e brendshme, dhe besoj se ishte vendimi i duhur
sidoqoftë, duke parë efektet e këtij veprimi cazë të pazakontë. “Dy Botë” është
një roman sërish i motivuar nga përvojat e mia, kuptohet, e gjithashtu i
motivuar e frymëzuar nga bota përreth, falë karakterit tim kureshtar, njohjes
së shumë kulturave, vendeve e gjuhëve të huaja nga ana ime, si folës i shumë
gjuhëve të huaja, e rezultati është një roman ku ndihet larmia e shartimit të
frymës burimore femërore shqiptare, me nuancat më rrëzëllitëse të disa prej
kulturave më të epërme të Europës Perëndimore, nga Spanja në Zvicër e
Danimarkë, dhe nektari joshës i Brazilit më ekzotik, më dehës e më të mirëfilltë,
e gjitha përmes ngjarjeve, jetës emocionuese, ulje-ngritjeve, dashurive
jonkovencionale, këmbëngulljes, hijeshisë dhe ëndjes për të jetuar të një vajze
shqiptare nga Tirana. Ndodhitë e përshkruara në këtë roman nisin pikërisht
gjatë ditëve të zjarrta të pranverës së vitit 1999 me vërshimin e refugjatëve
shqiptarë nga Kosova në Shqipëri, romani ndjek një rrjedhë kohore nëpër dy
dhjetëvjeçarë, diçka e ngjashme edhe me romanin Emigrantja.
Çfarë
vështirësish ka shkrimtari shqiptar pasi mbaron së shkruari një libër e deri
tek botimi i tij?
Shkrimtari
shqiptar ka, në fushën e vet, kuptohet, të njëjtat vështirësi që ka thuajse çdo
profesionist tjetër shqiptar në fushën e tij përkatëse, rrjedhimisht, nevojitet
të jemi largpamës, të kemi durim, të sajojmë mënyra për t’u botuar, asnjëherë
në kurriz të cilësisë së botimit, duke iu përmbajtur me përpikmëri të gjitha
detajeve të një botimi të mirëfilltë, përkundër faktit se botimi, shpesh
shndërrohet në sipërmarrje biblike (edhe Noeja e kish pasur më të lehtë
ndërtimin dhe mbushjen e varkës me të gjitha speciet shtazore në kohën e
Përmbytjes Universale, seç e kanë shkrimtarët të botojnë libër në kushte
shqiptare), kur llogarisim vështirësitë me të cilat përballet autori në
shumicën e rasteve. Për këtë arsye nevojitet të tregohemi “krijues”, ne
krijuesit letrarë, edhe në lidhje me botimin, duke e ngarkuar shpesh veten me
detyra që normalisht nuk do na rëndonin, si gjurmimi, qëmtimi dhe gjetja e
mënyrës për t’u botuar. Gjithsesi, për fat mënyra ka, e botimi, edhe në kushte
shqiptare, arrihet, falë përkushtimit, tonë si autorë, po edhe botuesve seriozë
e dashamirës, duke i ofruar lexuesit, përkundër gjithçkaje, letërsi të
mirëfilltë.
Jetojmë në vitet
e vrullshme të kibernetikës, ku bota shihet përmes një celulari. Në këto kushte
a shkon libri te lexuesi?
Libri
te lexuesi mendoj se arrin të shkojë, ndonëse edhe këtu parantezat nuk mungojnë
lidhur me temën në fjalë. Shpeshherë pandehim se mjafton që libri të botohet që
ta quajmë çështjen të mbyllur dhe suksesin të arritur, ndërkohë që mungon hapi
thelbësor, që libri të arrijë te lexuesi. Lexuesi, sado të ketë ëndje për të
lexuar, sërish nuk ka si ta dijë sa dhe çfarë romanesh botohen në vazhdimësi,
çfarë përmbajtje kanë, çfarë risish ofrojnë, çfarë domethënie kanë për
aktualitetin e letrave shqipe, kush i ka shkruar, çfarë veçorish ngërthejnë,
përse do nevojitej të lexoheshin, e këto gjëra tejet të rëndësishme nevojitet
t’i bëhen të ditura lexuesit në mënyrën e duhur në momentin kur romani del nga
shtypi, detyrë kjo që i takon vetë autorit/autores pikësëpari, paskëtaj
botuesit, shtypit, mediave, etj. Jetojmë në kohën e rrjeteve sociale, që nëse
përdoren frytshëm, jo veç për të bubërruar së koti në timeline, atëherë
shpërndarja e lajmit për botimin e një romani, thelbi i tij, kritikat letrare
të rastit, gjithçka mund të kryhet kështu. Me pak fantazi, që shkrimtarëve s’na
mungon, mund t’ia dalim.
No comments:
Post a Comment