Nga Leonard Veizi
Të vdesësh ditën e
lindjes në rastin më ekstrem mund të quhet si një “çudi e përfillshme” jo fort
ngushëlluese, por gjithsesi e pranueshme. Sepse jeta dhe vdekja, edhe pse të
lidhura pazgjidhshmërisht me njëra-tjetrën, gjithsesi, janë skaje të
papajtueshme. E nëse Krijuesi ka vendosur që të ikësh në të njëjtën datë kur
dhe ke lindur, vetëm se me një gjatësi kohore prej 72 rrotullimesh të Tokës
rreth Diellit, ose të ka pasur me sy të mirë, ose të ka ndëshkuar. Por kjo e
dyta nuk merret shumë për bazë, nëse Ai të ka dhënë të gjitha mundësitë që në
këtë jetë të jesh dikushi, madje shumë më tepër se kaq…
…Nuk është se
kuptohej mirë se për çfarë shquhej më shumë Gudar Beqiraj, si një peshëngritës
me nam që jetën ia kushtoi sportit, apo si një matematikan klasi, jeta e të
cilit u nda në mënyrë të barabartë mes sportit dhe shkencës. Me një përvojë
45-vjeçare si pedagog i matematikës dhe i informatikës në universitetet e
Shqipërisë, ai njihej edhe si pedagog për sportin e peshëngritjes në Akademinë
e Sporteve në vitet ‘80. Ky po, është dualitet i çuditshëm. Sepse jemi mësuar
rëndom të dëgjojmë se njerëzit e sportit nuk para ia thonë për shkencat
ekzakte, dhe më keq se kaq, studiuesit e zellshëm të algoritmeve matematikore,
mezi vrapojnë të kapin autobusin urban në stacion e jo më të konkurrojnë për
peshat e rënda në peshëngritje apo në boks, në rastin më të padëgjuar.
Në datën 11 maj
2020 Gudar Beqiraj do të mbushte 72 vjeç. Sepse kishte lindur 11 majin e vitit
1948. Dhe i mbushi në fakt. Vetëm se disa orë më vonë e njëjta ditë gëzimi do
të kthehej në ankth. Ai u largua nga kjo botë, sepse u sulmua nga një atak që
në gjuhën më të thjeshtë u cilësua si një “sëmundje e papritur”. Ishte i fortë
fizikisht, por si çdo njeri, kishte pjesën e dobët të tij, ndaj nuk i rezistoi
dot sulmit që u përqendrua pikërisht në segmentin më pak të mbrojtur të trupit
të tij. Dhe pas këtij fakti kokëfortë, të cilin duhet ta pranosh dhe kur nuk do
ta pranosh, do apo nuk do, bëhet dhe bilanci i shkurtër për atë çfarë ke dhënë
dhe çfarë ke marrë në 72 vitet e jetës.
Jeta akademike e
Gudar Beqirajt është për t’u pasur zili. Doktor Shkencash, Profesor dhe
Akademik, përmbi të gjitha, ai i kishte marrë thuajse të gjithë titujt e
mundshëm si shkencëtar. Dhe ishte anëtar i disa akademive të rëndësishme. Ndërkohë
në jetën sportive ai kishte qenë po aq i suksesshëm, si peshëngritës e arbitër
i këtij sporti, president i Federatës Kombëtare të Peshëngritjes, por dhe
mbajtës i urdhrave olimpikë. Pra, në një farë mënyre ishte i ngopur, nga ajo
çfarë i kishte dhënë asaj dhe nga ajo çfarë kishte marrë gjithashtu.
I kishte të gjitha
mundësitë që për shkak të arritjeve dhe detyrave të rëndësishme që ka ushtruar
gjatë aktivitetit të tij si nëpunës i shtetit, të tregohej fodull e arrogant.
Por ai ishte më se i thjeshtë dhe çdo derë të zyrave ku ka punuar e drejtuar do
t’i mbante hapur për këdo. Dhe kjo donte të thoshte që para se të ishte një
rekordmen në peshat e rënda, dhe po aq rekordmen në fushën e matematikës së
aplikuar, së pari ishte NJERI.
No comments:
Post a Comment