Nga
Leonard Veizi
Në
themelet e ngrehinës simbol të Tiranës së viteve ‘70 gjendet firma e tij. Por
prej aty Kadareja është larguar prej kohësh, dhe Dritëroi gjithashtu ka
ndërruar banesë, ndërsa ai, projektuesi i saj, iku së fundmi, edhe pse nuk kishte
banuar asnjë ditë aty…
…Maks
Velo nuk është më mes të gjallëve. Ditët e fundit të jetës i kaloi në spital
dhe vetëm sëmundja arriti ta mposhtë. Në lajmërimin e tij të vdekjes thuhet se
ishte 84 vjeç. Nuk kishte më rëndësi në duhej të jetonte edhe ca vite më shumë,
sepse edhe me kaq ai e plotësoi kuadrin e tij të gjithanshëm. Ka lënë gjurmë të
shumta të cilat do të vazhdojnë ta mbajnë në jetë.
Rebel
në karakter dhe shumë kreator si artist, vështirë të bëhej kompromis me të.
Jeta e tij, andej e këtej “murit të Berlinit” ishte veç një kalvar i vërtetë
vuajtjesh.
Ishte
në kulmin e tij artistik, vetëm 43 vjeç, kur liria iu privua. Oficerët e ngurtë
të Sigurimit të Shtetit i vunë prangat në duar, ndërsa në një gjyq publik u
përdorën dëshmitë e 12 artistëve kolegë kundër tij. Asgjë nuk shkon në këtë
panoramë, por kjo është e vërteta e hidhur jo vetëm për të.
Ashtu
siç ka deklaruar vetë ai, ata që i dolën në gjyq dhe që i bënë ekspertizën
ishin 3 tre piktorë, kolegë me të cilët kishte ndarë kafetë dhe mendimet,
sigurisht. Por kjo nuk do të thoshte asgjë, sepse ata do t’i dënonin veprimet e
tij antikonformiste, nën dacibaot e socrealizmit dhe të internacionalizmit
proletar.
Ndërkaq,
një dosje me 214 faqe qëndronte mbi tavolinën e trupit gjykues, në pritje për
të marrë vendimin. Një punë fort mirë e kopsitur nga agjentët e Sigurimit të
Shtetit që prej kohësh e kishim mbajtur nën mbikëqyrje djaloshin ekstravagant,
i cili kishte sfiduar partinë-shtet duke ngritur sipas shijeve të tij një
pallat modern deri në dekadencë për të llastuarit e sistemit, shkrimtarët.
Vetëm
kaq duhej që bashkëshortja e aso kohe, pasi e denoncoi duke u bërë palë me
agresorët, i kërkoi divorcin, ndërsa si pjesë e ndëshkimit të pamerituar djalin
e tyre të vetëm e mbajti gjatë gjithë jetës larg tij. Akuzat për Maks Velon
ishin: “agjitacion-propagandë, art modern, influencë perëndimore”. Në vitin
1978 Shqipëria ishte me Lindjen, por jo me atë që kishim njohur si territor i
“Kampit Socialist” ku kryesonte Bashkimi Sovjetik, por me Kinën komuniste ku
pas Revolucionit të hatashëm Kulturor shkrimtarët dhe piktorët tërhiqeshin
zvarrë nëpër rrugë dhe çoheshin për riedukim në orizoret ku zhyteshin në llucë,
nën thirrjet ekstreme e terrorizuese: “Lindja është e kuqe”.
Në
procesverbalin e arrestimit të tij, mes të tjerash thuhet se Maks Velos iu
gjetën në xhep vetëm pesë lekë, pa përmendur këtu rripin e pantallonave dhe
lidhëset e këpucëve, që si gjithmonë sekuestroheshin për të shmangur çdo
vetëvrasje të mundshme. Por si pjesë e të gjithë maskaradës ishte djegia dhe
shkatërrimi i 250 punëve të tij, një koleksion pikturash gjithfarëllojesh e
nudosh që sot do të kishte vlera të pashembullta.
U
arrestua në vitin 1978 dhe falë një amnistie ku iu shkurtuan dy vite nga dënimi
dhjetëvjeçar, doli në vitin 1986 nga rrethimi i telave me gjemba të Spaçit.
Mund
të themi se ishte kontrovers, i pakompromis, bohem dhe i çartur gjithashtu. Nuk
kishte problem t’i kundërvihej kujtdo akti të paprecedentë dhe nëse këtë e
bënte një burrë shteti që drejtonte me dorë të hekurt. Ai dinte të përballej,
dhe përballej sigurisht. Karakteri i tij dhe vetë vitet e burgut, pa dyshim e
kishin kthyer në një njeri të papërkulur dhe që dinte ta mbante mbi shpatulla
trysninë e presionit, i cili herë pas here i vinte në mënyrë të pabesë.
Vendi
i origjinës së prindërve ishte Dardha, por vetë Maks Velo u lind në Paris, më
31 gusht të vitit 1935. Dhe ndoshta vetëm kaq duhej që ai të ndihej më shumë
kozmopolit e me shije perëndimore sesa një kombëtarist pa kuptim dhe për më
tepër i ndikuar nga realizmi socialist. Pas lindjes së tij, familja Velo u kthye
përsëri në Shqipëri, në qytetin e Korçës, ku Maksi ka kaluar edhe fëmijërinë.
Gjatë qëndrimit në qytetin e serenatave, por dhe të piktorëve, Maks Velo u bë
nxënësi i Vangjush Mios ku mori dhe bazat e pikturës moderne. Në vitin 1952
familja u zhvendos në Tiranë, ku ai do të përfundonte studimet e larta në degën
e Inxhinierisë së Ndërtimit-Arkitekturës. Por dhe pse me profesion arkitekt,
piktura ka qenë një pasion, të cilin Maks Velo e ka ushtruar gjatë gjithë
kohës, i tërhequr nga rryma impresioniste, ekspresioniste dhe surrealiste.
Gjithsesi,
ai ishte një artist shumëdimensional dhe si i tillë kompozoi në disa gjini të
artit: pikturë, prozë, poezi, publicistikë sikundër ishte i angazhuar në
çështje të aktualitetit shqiptar. Por ajo që do ta simbolizonte atë ishte
arkitektura e çuditshme e iniciuar prej tij, e një pallati që u ngrit në hyrje
të “Rrugës së Dibrës”, i cili i njoh me dy emërtime paralele “pallati me kuba”
ose ndryshe “pallati i shkrimtarëve”.
Por
Maks Velo do të ishte gjithashtu dhe një fanatik i mbrojtjen e arkitekturës së
vjetër të Tiranës dhe, sidomos të atyre godinave monumentale që jo rrallë janë
vënë në shënjestrën e fadromave të shkatërrimit, për të përfituar një truall më
shumë e për të ngritur një grataçielë më tepër. Velo dha një kontribut të çmuar
për ta kthyer kryeqytetin gri të shqiptarëve në një territor me ngrehina plot
ngjyra.
Në
vitet e demokracisë e të çlirimit nga dogma, Maks Velo arriti të merrte dosjen
e tij nga arkivi i Ministrisë së e Brendshme dhe me shumë guxim e bëri publike
atë duke treguar me gisht të gjithë ata që e denoncuan dhe u përdorën për të
shtuar akuzat kundër tij.
“E
mendoj jetën time të përmbushur, sepse gjëja më me rëndësi në jetë është mos
t’i bësh keq njeriu. Kam ndier kënaqësi të jashtëzakonshme nga arti. Unë mendoj
se energjia vjen nëse je i vërtetë, nëse je fals, nuk ka energji. Po t’i duash
njerëzit dhe po të mos e harxhosh jetën për paratë, je i vërtetë”, është
shprehur Maks Velo si për ta futur jetën e tij në këtë kornizë.
Nga
sot Maks Velo nuk është më mes të gjallëve. Do të na mungojë zëri i tij
kontrovers dhe pamja e tij e çartur me të cilën ishim mësuar të gjithë. Por mes
pengjeve të shumta të jetës së tij, pa dyshim që njëri do ta rrëndonte më shumë
nga të gjithë, ai që edhe pas publikimit të dosjes dhe të emrave që e degdisën
në qelitë e ndyra të Spaçit, nuk mori nga askush asnjë fjalë ndjese.
No comments:
Post a Comment