Enkelejd Lamaj |
Nga Leonard
Veizi
Letërsia
e tij mund të ishte lëndë e parë për Hiçkokun. Por regjisori i famshëm britanik
me origjinë polake, që ka mbetur në kujtesën e shumëkujt për filmat triller e horror,
prej vitesh nuk jeton më. Ndërsa në Shqipëri, Akademia e Arteve apo Kinostudioja
nuk projektonin dot regjisorë të të tjera dimensioneve, përveç atyre që u përmbaheshin
shtyllave të realizmit socialist. Ndaj sot, letërsia shqiptare e horrorit është
e destinuar të mbetet vetëm në etazherët e librarive, pa mundur të marrë dhe
një formë tjetër lëvizjeje, atë që ia jep një film, qoftë dhe me metrazh të
shkurtër.
Enkelejd
Lamaj është ndër të paktët që lëvron letërsinë triller në Shqipëri, dhe si
shkrimtar horrori, me gjasa, është i vetmi në këto treva. Lexon më së shumti
Stephen King dhe jo vetëm, por, pa dyshim, letërsia e këtij shkrimtari të madh
amerikan të trillerit ka hyrë në rezonancat e tij. Prej kohësh eksploron në një
fushë të panjohur për letrat shqipe dhe veç hapësirës së madhe ku mund të gjejë
mundësira të mëdha, ndeshet vazhdimisht dhe me një vijë risku, sepse jo
gjithkush është i gatshëm që, pasi ka hapur faqen e parë të librit të tij, të
shkojë deri tek e fundit. Megjithatë, ai shkruan, në ditët e zakonshme kur
izolohet me dëshirë nga ambienti i jashtëm me bori makinash e muzikë klubesh
nate, për t’u futur në botën e tij “të frikshme”, dhe në ditët e një karantine
të detyruar, kur patrullat e policisë nuk të lejojnë të kapërcesh pragun e
portës, sepse infektohesh nga të tjetër apo i infekton ata me një virus agresiv
të koduar me një emër plot finesë si: “Sars Cov-2”. Dhe nga e gjithë kjo
situatë terrori ai ka përfituar jo pak, ka mbyllur një roman dhe ka nisur një
tjetër. Për më tej, Enkelejd Lamaj, gjatë një interviste për gazetën “Fjala”,
thotë:
Ditët e
karantinës, sa frymëzuese ka qenë për ju një situatë e tillë?
Të
jem i sinqertë, nuk kam ndier ndonjë ndryshim thelbësor në procesin e
krijimtarisë gjatë kësaj periudhe. Sigurisht, ishte (dhe deri diku vijon të
jetë) një periudhë e çuditshme, aspak e zakonshme, e cila na ktheu përmbys
pothuajse gjithë rutinën e përditshme dhe mbaj mend që ditët e para të mbylljes
ishin deri diku të lodhshme, por, me përjashtim të ritmit të të shkruarit, që pësoi
një ulje të lehtë, ato ditë të para, nuk pata ndonjë ndikim shumë të madh. Po ndoshta
kur shkruan tërë kohës për thriller e horror e për situata të tilla që
përfshijnë njerëz të zakonshëm në rrethana të jashtëzakonshme, dhe papritur
gjendesh vetë brenda njërës prej tyre, nuk të bën dhe aq shumë përshtypje.
Në ditët e
izolimit, cila ka qenë më produktive, krijimtaria apo të lexuarit?
Mund
të them që kam lexuar më pak nga ç’lexoj zakonisht, por nuk kam shkruar më shumë
nga sa shkruaj zakonisht. Personalisht kam vite që kam krijuar një rutinë të
caktuar, për sa i përket krijimtarisë – unë shkruaj natën, kur të gjitha
impenjimet e ditës janë strukur në cep të mendjes ose kanë rënë për të fjetur
dhe, nisur nga kjo, karantina nuk më solli ndonjë ndryshim të rëndësishëm,
përkundrazi. Ditët e para të saj më zunë duke përfunduar kapitujt e fundit të
një romani, ndërkohë që në kokë kishin filluar të endeshin personazhet e reja të
një historie (romani) tjetër – diçka që më ndodh rregullisht, kur jam duke
përfunduar një roman. Dhe, si gjithmonë, kur nis një roman të ri, kam vijuar të
shkruaj shumë, aq sa tani që flasim, jam në përfundim të draftit të parë.
I prirë nga
letërsia thriller dhe horror, a keni konkurrencë ndër autorët shqiptarë?
Për
thriller-in, e kam një konkurrent... Për horrorin...??? Përpos shakave, sinqerisht kjo është diçka që
nuk e mendoj asnjëherë. Madje më shumë mendoj se i vetmi konkurrent që duhet të
ketë një shkrimtar, është lexuesi. Po arrite t’ia kalosh atij, je në rregull.
Si e shihni
letërsinë shqipe të viteve të fundit, kur ajo përballet në të njëjtin treg me
letërsinë botërore?
Për
fat të keq, e shoh pak në dizavantazh, por jo për shkak të cilësisë. Ne kemi
plot shembuj të mirë të autorëve shqiptarë që janë vlerësuar në vende të
ndryshme, një pjesë e mirë e të cilëve edhe jetojnë jashtë. Për të mos
përmendur emra, ngaqë nuk i mbaj mend të gjithë e, për rrjedhojë, nuk dua të lë
ndokënd jashtë listës, do të doja të vija theksin vetëm te fakti që, fatkeqësisht,
atyre u kushtohet shumë pak hapësirë në media, qofshin këto online ose jo.
Gjithsesi, mendoj se letërsia shqipe është duke u ngritur dalëngadalë në një
stad apo nivel të ri, që fare mirë mund të konkurrojë me letërsinë botërore.
Tregu i librit
shqip, me çfarë vështirësish përballet një autor shqiptar brenda tregut të
gjuhës me të cilën ai shkruan?
Kjo
është një temë për të cilën është folur, flitet dhe vazhdimisht do të flitet,
pa ezauruar plotësisht të gjitha përgjigjet e mundshme. Mund të flasim pa fund
për paragjykimin që i bëhet një libri shqip, për mungesën e vëmendjes apo të
politikave mbështetëse të institucioneve, për çmimin absurd të librit në
përgjithësi, për sjelljen e disa botuesve, që nuk shpërndajnë veprat, apo atë të
disa librarëve, që nuk pranojnë të tërheqin letërsi shqipe në libraritë e tyre,
por në fund, nuk do të kishim asgjë të re nga fronti. Personalisht, kam filluar
të mendoj se vetëm të qenët një autor (shkrimtar) mjafton si një vështirësi me
të cilën duhet të përballesh çdo ditë të jetës tënde, në radhë të parë për të
qëndruar si i tillë. Gjithë vështirësitë e tjera janë pak a shumë të njëjta me ato
të çdo njeriu tjetër që dëshiron ta jetojë jetën dhe jo thjesht të kalojë kohën
e saj. Të shkruash do të thotë të kesh një detyrë shtëpie, e cila nuk përfundon
kurrë së realizuari dhe kjo është vështirësia e vërtetë e një shkrimtari.Vendi
në treg pastaj, vjen vetë, gradualisht.
Si e shihni
rolin e rolin e kritikës, sa funksionon ky institucion?
Unë
mendoj se kritika, si institucion, në vendin tonë, është pothuajse e papërfillshme.
Më vjen keq kur e them këtë, sepse mendoj se kritika është një institucion i
rëndësishëm që i duhet letërsisë së një vendi, duke shërbyer si ndërmjetësuese
midis veprës letrare dhe lexuesit, por kështu e mendoj. Pavarësisht përpjekjeve
të disa zërave, vazhdoj ta shoh si një mungesë për letrat shqipe dhe jo vetëm si
pikë reference për lexuesin, por edhe për shkrimtarët, madje edhe për vetë
botuesit.
No comments:
Post a Comment