Roli i Austrisë
ka qenë më pozitivi, madje pa atë nuk do të mund të kishim krijuar dot një
shtet shqiptar në vitin 1912. Ajo u mbështet herë pas here nga Italia dhe
Gjermania, kurse Anglia shpesh mori rolin e arbitrit për t’i ulur Fuqitë në
tryezë.
Nga Leonard
Veizi
Në
panelet me historianë e analistë ajo njihet si një polemiste e pamposhtur,
gjithmonë me të njëjtin qëllim, mbrojtjen e çështjes shqiptare, por vetëm
nëpërmjet fakteve dhe dokumenteve. Tanimë vjen me një tjetër botim. Janë 40
vite shumë të rëndësishme për shqiptarët, prandaj dhe vëllimin e sapodalë në
treg, “Shqipëria dhe Fuqitë e Mëdha 1878-1918” e cilëson si botimin e saj më të
rëndësishëm. Shumë ngjarje të detajuara të kësaj periudhe, gjenden në këtë
studim të bazuar në dokumentet arkivore dhe diplomatike të Fuqive të Mëdha që,
siç thotë vetë autorja, jepen të pacensuruara dhe janë mjaft interesante. Është
një studim që përmban 540 faqe, 1380 citime nga këta arkiva dhe dokumente
diplomatike. Për lexuesit e gazetës “Fjala”, historiania Elena Kocaqi shpjegon:
Librin tuaj më
të ri “Shqipëria dhe Fuqitë e Mëdha” e keni filluar me vitin 1878. Pse daton
pikërisht ky vit?
Më
1878 zhvillohet Kongresi i Berlinit dhe është pikërisht në këtë kohë që daton
copëtimi i dytë i trojeve shqiptare nga Fuqitë e Mëdha dhe ato ballkanike, pasi
copëtimi i parë kishte ndodhur me krijimin e shteteve ballkanike, në fillim të
shek XIX. Duke filluar nga ky vit çështja shqiptare del në rendin e ditës për
disa nga Fuqitë e Mëdha që kishin interesa në Ballkan. Vitet 1878 -1918 kanë
qenë vitet kur Fuqitë e Mëdha janë marrë direkt me problemin shqiptar.
Cilat ishin ato
fuqi që vepruan në dëm të interesave tanë kombëtarë?
Fuqitë
e Mëdha luanin në radhë të parë sipas interesave te tyre. Megjithatë, në mënyrë
sistematike, me qëllim për të mbrojtur interesat e tyre dhe të aleatëve të
tyre, ato dëmtuan interesat e shqiptarëve. Kështu, politika e Rusisë e shpesh
edhe Franca e asaj kohe i kanë dëmtuar shumë interesat e kombit shqiptar në
mënyrë të padrejtë. Në disa raste Franca ia ka kaluar edhe vetë Rusisë, kur
është diskutuar çështja shqiptare. Ndërsa roli i Austrisë ka qenë më pozitivi,
madje pa atë nuk do të mund të kishim krijuar dot një shtet shqiptar në vitin 1912.
Ajo u mbështet herë pas here nga Italia dhe Gjermania, kurse Anglia shpesh mori
rolin e arbitrit për t’i ulur Fuqitë në tryezë.
Çfarë roli
luajti klasa politike shqiptare gjatë viteve të fundit të sundimit të
Perandorisë Osmane në këtë pjesë të Ballkanit?
Klasa
politike shqiptare ka qenë pjesë e politikës osmane dhe ka marrë pjesë në
zhvillimet e brendshme të Perandorisë. Ajo ka qenë e ndarë sipas grupimeve
politike të asaj kohe, të cilat kanë luftuar edhe për pushtet brenda vendit me
njërin apo tjetrin grupim. Ishte një revolucion shqiptar që rrëzoi Abdyl
Hamitin dhe solli Turqit e Rinj, por rezultoi se politika e Turqve të Rinj nuk
ndryshonte nga ajo më përpara, madje në disa aspekte ishte edhe më e disfavorshme.
Një pjesë e liderëve politikë, nga ana tjetër, bashkëpunonte edhe me fqinjët,
me qëllim që të kishte mbështetjen e tyre, nëse Perandoria binte dhe bashkëpunoi
me ta për ta rrëzuar atë, por kjo ishte një ndihmë e madhe për fqinjët në
copëtimin përfundimtar të vendit. Kështu, kryengritjet e 1911-1912, sidomos ajo
e fundit, u mbështetën nga fqinjët, me qëllim
përdorimin e shqiptarëve, për të rrëzuar Perandorinë dhe pastaj përvetësimin
e tokave të tyre. Edhe gjatë luftës një
pjesë e shqiptarëve luftoi me të dy palët.
Ju thoni se
Rusia investoi të krijonte kombe artificiale, të bazuara në fenë ortodokse.
Çfarë presupozoni me to?
Po.
Rusia ishte ajo që krijoi shtetet dhe pastaj kombet mbi baza fetare në Ballkan.
Në fund të shekullit XVIII ajo mori të drejtën e protektoratit të kultit mbi
ortodoksët e Perandorisë Osmane, kështu dhe mbi ata shqiptarë. Kjo i dha dorë të
lirë Patriarkanës që të ndërmarrë fushata për hapjen e shkollave në trojet
shqiptare me gjuhën e Kishës së Bizantit apo koinenë greke. Filloi ndërrimi
masiv i emrave dhe mbiemrave të shqiptarëve ortodoksë që morën emra fetarë të Kishës
Greke. Kështu, shqiptarët arsimoheshin në çdo gjuhë, veç shqipes. Arsimi ishte
mbi baza fetare dhe ortodoksët shqiptarë shkolloheshin greqisht në Jug dhe
sllavisht në Veri, katolikët latinisht apo italisht dhe myslimanët në arabishte
dhe turqishte. Gjuha shqipe ishte e ndaluar me ligj. Perandoria e kishte ndarë
popullin dhe si rrjedhim shqiptarët në tri milete fetare, ku çdo milet fetar
propagandohej që të konsideronte të afërt atë të fesë së tij dhe jo atë të
gjakut të tij. Për një ortodoks shqiptar, sipas kësaj filozofie, vëllai ishte
sllavi, për një mysliman shqiptar ishte arabi e për një katolik latini. Fuqitë
e Mëdha shpesh vendimet i merrnin sipas fesë dhe automatikisht shqiptari
ortodoks konsiderohej grek e sllav dhe ai mysliman turk, madje dhe në
regjistrimet e popullsisë populli regjistrohej si kristian e mysliman dhe jo
sipas etnisë. Kjo gjë e dëmtoi rëndë kombin shqiptar të ndarë në tri fe. Duhet
thënë shumica e popullit para se të vinin osmanët dhe gjatë osmanëve ishte
ortodokse, sepse në 1054 pjesa më e madhe
territorit shqiptar kur u ndanë kishat mbeti me Lindjen. Ndërsa më parë
ishin të gjithë katolikë, ndarja e kishave ndau edhe një pjesë të shqiptarëve.
Kështu, kjo pjesë e madhe e ortodoksëve shqiptarë u përvetësua nga Rusia në
emrin e fesë dhe ata u bënë grekë, serbë, malazezë, bullgarë. Parimi i
kombësisë interpretohej nga këto Fuqi sipas fesë së popullit, jo sipas gjuhës
dhe kulturës. Më pak se gjysma tjetër ishte myslimane dhe katolike. Katolikët
kanë pasur një vetëdije kombëtare shumë të mirë dhe rol të madh për këtë ka
Austria që ishte protektore e tyre e që donte një Shqipëri të pavarur dhe një
komb të fortë shqiptar. Ndërsa myslimanët kishin protektor turkun apo vetë
shtetin, por ishin të shtypur nga pikëpamja kombëtare. Megjithatë, ndërgjegjja
kombëtare te shqiptarët myslimanë ishte shumë e lartë, pavarësisht propagandës
osmane, pasi ka pasur një bashkëpunim të shkëlqyer të shqiptareve të tri feve
me njëri-tjetrin, kur ka qenë në lojë interesi kombëtar.
Gjatë kësaj
periudhe a pati shpërngulje të shqiptarëve, asimilim, apo futje kolonësh për të
denatyruar përqindjen e popullsisë bazë? Çfarë roli luante feja në një popullsi
që ndante të paktën 3 prej tyre?
Siç
e thashë, feja e përdorur politikisht nga fuqitë ballkanike dhe ato të Mëdhatë
ka luajtur rol të madh në copëtimin e trojeve shqiptare dhe ndarjen tyre në
disa shtete dhe në ndarjen e popullit shqiptar në disa kombe false sipas fesë.
Shtetet ortodokse ballkanike i dëbuan shqiptarët myslimanë në drejtim të
Turqisë dhe kjo quhej pastrim etnik, por që në fakt ishte pastrim fetar që
ishte i hapur dhe i legalizuar, sepse askush nuk e dënoi dhe as e pengoi, madje
ato (fuqitë) bënin marrëveshje për shkëmbimin e shqiptarëve midis tyre sipas
fesë. Ka disa marrëveshje midis Turqisë dhe Serbisë e Greqisë për të
shpërngulur shqiptaret myslimanë në Turqi, pasi atyre u ka interesuar dëbimi i
shqiptarëve të fesë së kundërt, sepse nuk i asimilonin dot dhe Turqisë i
interesonte t’i merrte shqiptarët në Turqi. Ndërsa një pjesë e katolikeve, ku
me dhunë dhe ku me mjete të tjera, i kanë përfshirë në kishën ortodokse dhe i
kanë konvertuar. Kështu me miliona shqiptarë sot janë grekë, sllavë e turq
sipas fesë. Kështu, mospërdorimi i shqipes dhe përdorimi vetëm i këtyre gjuhëve
të fesë që u bënë edhe të shteteve, e bëri edhe me të lehtë asimilimin
shqiptareve, pasi shqipja mbeti gjuhë shtëpie. Gjuha shqipe duhet thënë që
është përndjekur dhe janë persekutuar shqiptarët që e kanë folur në këto
shtete. Madje, automatikisht një shqiptar që i përkiste një shteti ballkanik
merrte prapashtesën në mbiemër apo detyrohej të ndërronte fare mbiemër, siç
ndodhi në Turqi, dhe kjo ka shkaktuar një dëm shumë të madh. Ka ndodhur një
holokaust i vërtetë mbi kombin shqiptar
dhe për këtë ka luajtur rol shumë të madh edhe përdorimi politik i fesë nga
Fuqitë ballanike dhe ato të Mëdha.
Sa territor
humbën shqiptarët nga ajo që konsiderohej si “Shqipëri Natyrale?
Shqiptarët
i ruajtën trojet e tyre deri në fillim të shek. XIX nga Mesdheu, në Egje, Jon
Adriatik dhe deri në Dalmaci në Veri. Nëse do të marrim këtë bazë ku ishte
Shqipëria para dy qind viteve, kuptohet se sa territor kanë humbur shqiptarët.
Shpesh llogaritet Shqipëria e 1912-s, apo 1878-s, por, në fakt, është më i gjerë
se sa kaq koncepti i Shqipërisë mbi baza etnike.
Studimi/
Shqipëria dhe Fuqitë e Mëdha
Eleni
Kocaqi shkruan: Ky studim përfshin një periudhë 40-vjeçare të historisë së shqiptarëve,
kur Fuqitë e Mëdha filluan të luanin një nga aktet më të rëndësishme të dramës ballkanike,
atë të problemit shqiptar. Ky studim i shërben sot politikës, por edhe çdokujt
që kërkon të njohë edhe sot lojën e Fuqive te Mëdha në këtë rajon, si dhe
mënyrën se si u copëtuan trojet shqiptare. Një studim i tillë i këtyre
përmasave, u ka munguar studimeve historike. Historia e shqiptarëve të kësaj
periudhe është një dramë intrigash, interesash, tradhtish, diplomacie të
fshehtë dhe të hapur, që do ta gjeni të shkruar në këtë studim, pa asnjë censurë.
Pa dyshim që tre janë faktorët e tragjedisë shqiptare.
1-
Fuqitë e Mëdha që nuk morën parasysh asnjë parim kombësie, kur ndanë territoret
shqiptare, veç Austrisë, Italisë dhe deri diku Anglisë, por morën parasysh
vetëm përkatësinë fetare dhe interesat e tyre.
2-
Krijimi dhe zgjerimi i shteteve agresive ballkanike nga Fuqitë e Mëdha, për
interesat e tyre, dhe zgjerimi i tyre që u krye mbi territorin shqiptar.
3-
Interesat personalë të klasës politike shqiptare, e cila bënte kryengritje në
atë kohë më tepër për sistemin elektoral dhe për zgjedhjet në Parlamentin
Osman, sesa për interesat kombëtarë, njëlloj si sot.
Kryengritjet
Shqiptarët në
trazirat e Perandorisë Osmane
Më
1908 shqiptarët u përfshinë në trazirat e Perandorisë dhe nuk mbajtën një
qëndrim kombëtar të unifikuar, duke rrëzuar nga pushteti Abdyl Hamitin dhe duke
prurë Turqit Rinj që ishin më keq sesa sulltani. Në këtë kohë nuk lejohej
arsimi në shqipe dhe në vend kishte me qindra dhe gati me mijëra shkolla në
gjuhë nga më të ndryshmet, veçse jo në shqipe, ku kishte qenë vetëm ajo e
Korçës. Osmanët u dhanë koncesione fqinjëve me anën e Rusisë që, duke përfituar
nga protektorati rus t’i shkollonin ortodoksët shqiptarë që ishin edhe brenda Perandorisë
në gjuhën greke dhe sllave. Një luftë e madhe për këtë u zhvillua në zonën
shqiptaro-ortodokse të Maqedonisë, zonë që lakmohej nga grekët, bullgarët dhe
serbët. Në Manastir, me investimin austriak, u mblodhën delegatët për alfabetin
shqip dhe kjo ishte një fitore për ta shkruar shqipen me një alfabet të
unifikuar.
1911 Kryengritja
e Malësisë
Kryengritja
e Malësisë, e vitit 1911, kërkonte në thelb lirinë nga Turqia, por u shfrytëzua
nga Mali i Zi. Megjithatë, ajo pati rëndësi, sepse u kërkua njohja e kombësisë
shqiptare nga Perandoria dhe hapja e shkollave shqipe, sepse shqiptarët
identifikoheshin vetëm sipas miletit fetar. Nuk pati përkrahjen austriake,
sepse Austria nuk mendonte se ishte koha e përshtatshme, pasi kishte frikë se
Shqipëria do të copëtohej. Pati një reagim pozitiv të Anglisë, por u mbyll me
amnisti për kryengritësit me ndihmësen e Austrisë.
1912 Marrëveshja
për të likuiduar Shqipërinë
Në
vitin 1912 pati një kryengritje të madhe, që në korrik kishte në fokus
ndryshimin e sistemit elektoral në Perandori, zgjedhjet e reja dhe probleme
politike të brendshme, por me ndërhyrjen e austriakëve në gusht, osmanët
premtuan se do t’u jepnin shqiptarëve autonominë. Kjo i mobilizoi fuqitë ballkanike
që kishin kohë që bënin marrëveshje me njëra-tjetrën dhe Rusinë që t’i jepnin
fund Perandorisë dhe të ndanin tokat shqiptare. Plani ishte që nuk do të kishte
fare një shtet shqiptar, madje as edhe shqiptarë.
Lufta Ballkanike
Me
fillimin e Luftës Ballkanike filloi edhe një diplomaci intensive e Fuqive të
Mëdha. Austria bllokoi daljen e Serbisë në det, me mobilizimin ushtarak të 1
milion ushtarëve. Mobilizimi i forcave ushtarake, i kushtoi 1 miliard franga
Austro-Hungarisë në dy Luftërat Ballkanike, ndërsa i gjithë buxheti i shtetit
arriti në 6 miliardë, që sot përbën me dhjetëra miliarda dollarë që i ka
kushtuar Austrisë së asaj kohe, krijimi i shtetit shqiptar. Për të shmangur
Luftën e Parë Botërore, Fuqitë pranuan që Serbia nuk do të dilte në det dhe
njohën një shtet shqiptar, por u ndeshën shumë ashpër për territorin. Ndeshja
vendimtare ishte ajo e Austrisë me fuqitë ballkanike, sidomos me Serbinë dhe
Malin e Zi që u larguan nga Shqipëria londineze me ultimatum, ndërsa Greqia e
sfidoi. Fuqitë e Mëdha kryesisht Italia së bashku me ato ballkanike, dështuan misionin
e Vidit në vend dhe minuan edhe qeverisjen e I. Qemalit. Në Konferencën e
Ambasadoreve ka edhe një marrëveshje midis Fuqive për shqiptarët që iu dhanë
Malit të Zi dhe Serbisë, me kusht që atyre t’u ruhej prona dhe të drejtat. Kjo
u arrit me insistimin e Austrisë.
Lufta e Parë
Botërore
Në
momentin që shpërtheu Lufta e Parë Botërore, Fuqitë që kishin garantuar vendin,
hynë në luftë dhe të gjitha fuqitë ballkanike dhe ato të Mëdha, filluan planet
për ta ndarë Shqipërinë londineze që u arrit me Traktatin e Fshehtë të Londrës.
Shqipëria u pushtua serish nga fuqitë ballkanike dhe me pas nga 3 Fuqi të Mëdha
Austro-Hungaria, Italia dhe Franca. Pushtimet kanë qenë të tilla që për
interesat e tyre ato lejuan edhe vetëqeverisjen dhe simbolet kombëtare.
Botuar te gazeta
FJALA
Intervista/
Historiania Elena Kocaqi: 4000 vite histori shqiptare nuk e shkruajnë dot 7
historianë
Nga Leonard
Veizi
Faktet
e reja përmbysin të vjetrat. Dhe kështu qenka e thënë, që historia të shkruhet
vazhdimisht. Por duket se me historinë e Shqipërisë është edhe më keq se kaq.
Të paktën në bibliotekën time kam disa “Histori Shqipërie”, shkruar nga
personalitete, por dhe një përmbledhje prej 4 vëllimesh botuar pak vite më parë
dhe që mban vulën e Akademisë së Shkencave. Por vendimi i fundit i qeverisë,
për të ngritur një grup pune prej 7 historianësh, me qëllim që të rishkruajnë
historinë, më kanë vënë në dilemë: cila është historia jonë? Kur do të kemi një
histori të saktë të cilës nuk do t’i kthehemi më për ta përmbysur nga themelet?
Dhe në fakt gjëja e vetme që mund të bëj në këtë rast është të zë radhën për të
blerë librin e ri me titullin tejet të konsumuar tashmë: “Historia e
Shqipërisë”. Por gjithsesi, kjo ka të bëjë me hamendësimet personale. Ndërkohë
që grupi i punës, në mos ka filluar nga gërmimi i arkivave, të paktën ka
filluar nga deklaratat në shtyp. E në këto kushte iu drejtova historianes Elena
Kocaqi, e cila di të polemizojë dhe të flasë pa doreza kur vjen puna për të
mbrojtur një çështje që ka të bëjë me profesionin e saj.
Qeveria ka
ngritur një komision me 7 anëtarë për të rishkruar historinë. Në fakt si është
shkruar deri tani historia?
Në
fakt, Komisioni për shkrimin e historisë nuk duhet të caktohet nga qeveria por
nga strukturat akademike, mbi bazën e
kritereve të përcaktuara qartë dhe procesi të ishte transparent për publikun. Në momentin kur
qeveria vendos historianët, që këtu nuk ka transparencë. Ajo që duhet të bëjë qeveria, është ta
mbështesë financiarisht grupin e historianëve. Në momentin që qeveria ngre një
komision, tingëllon sikur qeveria do e shkruajë historinë dhe jo komisioni.
Dihet që historia është shkruar në mënyrë ideologjike dhe kjo nga ndërhyrjet e
politikës që vazhdojnë fuqishëm edhe sot. Historia duhet të bazohet te faktet
dhe jo tek orientimet e politikës.
Politikanët shpesh ngrenë figura politike, duke i vlerësuar ato ose duke mos i
vlerësuar sipas interesave të tyre politike. Kjo është e gabuar pasi nuk i
takon politikanëve vlerësimi i figurave politike, por i takon historianëve. Në
Shqipëri, historia është përdorur për glorifikimin e politikanëve, pasi ky ka
qenë një orientim nacional-komunist. Kjo ka mbetur si traditë edhe sot.
Historiani thjesht duhet bazohet në fakte, dhe janë faktet ato që nxjerrin
përmasat e një figure politike, apo një ngjarje historike. Duhet t’i jepet fund
karakterit nacional-komunist në vlerësimin e figurave historike dhe kjo, më
besoni që është për disa jo e vështirë, por e pamundur.
Cila është
periudha më e errët që shqiptarët nuk njohin për veten e tyre?
Në
fakt, historia ka nevojë të shkruhet dhe rishkruhet. Historia shkruhet vazhdimisht
pasi dalin fakte të reja dhe përmbysin të vjetrat. Një historian që nuk
ndryshon mendim përballë fakteve nuk mund të jetë historian. Mendoj se periudha
e antikitetit ilir nuk është shkruar fare. Ajo ka nevojë të shkruhet nga një
grup profesionistësh historianë, arkeologë, etnologë dhe studiues të fushave të
tjera. Kjo kërkon shumë kohë. Periudhat e tjera janë shkruar, por jo të plota,
siç është mesjeta. Periudha e pushtimit osman dhe rilindja së bashku me
shekullin e XX ka nevojë të rishkruhet, pasi deri tani është shkruar në mënyrë
ideologjike. Ka studime të reja që janë profesionale, por ende ka nevojë për
shumë punë.
Cila është
periudha më e censuruar apo e keqpërdorur politikisht?
Mendoj
se një nga periudhat më të keqpërdorura politikisht është ajo e Rilindjes deri
tek shkëputja nga Perandoria Osmane, ajo e mbretërisë së Zogut, e Luftës
Antifashiste dhe ajo e regjimit komunist.
Cilat
janë arkivat më të besueshme nga e cila historia e Shqipërisë i afrohet më
shumë realitetit?
Arkivat
e huaja janë një burim i rëndësishëm për të njohur historinë e shqiptarëve.
Sigurisht duhen parë dhe arkivat shqiptare që për periudha si të monarkisë,
Luftës së Dytë Botërore dhe komunizmit kanë të dhëna të rëndësishme. Historiani
shikon çdo të dhënë që i shërben atij për zbulimin e të vërtetës dhe këto janë
edhe burimet sekondare si dhe ato terciale.
A mundet një
ekip prej 7 historianësh të rishkruajë historinë apo duhet një rreth më i gjerë
studiuesish të fushës?
Nuk
mundet që një ekip prej shtatë vetash të shkruajë historinë e shqiptarëve prej
mbi 4000 vitesh. Këtu ka ngjarje, koncepte që nuk janë trajtuar fare ose nuk
janë trajtuar si duhet. Trajtimi duhet bërë në bazë të fakteve dhe të kërkosh
faktet, të paktën do të duhet një ekip prej dhjetëra e qindra studiuesish duke
aktivizuar të gjithë historianët profesionistë. Çdo etapë e historisë duhet të
shkruhet duke aktivizuar të gjithë botën akademike, nga ku të merret mendimi
shkencor i çdo institucioni dhe profesionisti të periudhës.
Instituti
i Historisë ka potencialin e nevojshëm për të rishkruar historinë?
Shqipëria
ka historianë të mirë, por është politika pikërisht ajo që s’i le ata të bëjnë
punën e tyre. Këta shtatë historianë janë të shkëlqyer por për të bërë një punë
serioze atyre nuk do t’ju mjaftonte jeta e tyre, pasi çdo periudhë ka një mori
materialesh të njohura dhe të panjohura që duan vite të tëra pune që të
shterohen. Nëse këta duan të shkruajnë një histori thjesht për nivel informimi
minimal për fëmijë e adoleshentë edhe mund të bëjnë diçka, por shkrim të
historisë, sigurisht në standardin perëndimor, as që nuk kanë për të bërë
kurrë.
Sa
mendoni se është ndikimi i politikës në shkrimin e historisë?
Nuk
është aspak serioze që vjen e djathta në pushtet dhe shkruan historinë sipas
qejfit të saj duke ngritur politikanët veriorë, dhe vjen e majta në pushtet për
të ngritur politikanët e jugut. Mua më duket tepër e dëmshme një gjë e tillë.
Historia duhet të shkruhet në funksion të së vërtetës dhe cilido politikan,
qoftë nga veriu apo nga jugu i Shqipërisë ka përgjegjësi politike dhe
historike. Këto duhen evidentuar dhe jo fshehur apo glorifikuar sipas
interesave politike të çastit. Larg politika nga historia qe është duke e
përdorur si propagandë partiake.
Cilat janë
kriteret për shkrimin e historisë?
Për
shkrimin e historisë, historiani duhet të mbështet në një numër parimesh dhe
kriteresh që shpesh filozofët e historisë dhe studiues kanë përcaktuar. Kriter
kryesor është e vërteta dhe jo mbrojtja e figurave politike, se kjo e bën
qesharake dhe të pabesueshëm historianin, si dhe cenon integritetin e tij
profesional. Ka disa parime, si parimi i asnjanësisë, ku pavarësisht se çdo
historian ka bindjet e tij, ai nuk duhet t’i përcjellë ato tek shkrimi i
historisë, pasi duhet të bazohet strikt në fakte dhe në argumentimin logjik të
këtyre fakteve dhe jo në hamendësime dhe supozime që e bëjnë atë totalisht të
paqartë dhe të pabesueshëm. Historia ka rënë viktimë e propagandës politike dhe
kjo jo vetëm në Shqipëri, por kudo në botë dhe sot në perëndim janë bërë
përpjekje serioze për shkëputjen nga kjo varësi dhe këtë gjë duhet ta bëjë edhe
historiografia shqiptare.
Botuar tek
ResPublica - Postuar
në 23 Shtator, 2014
Austriakët
mbështetën Ismail Beun të ngrinte flamurin
Nga Leonard
Veizi
Pavarësia
nuk u arrit as me shumicë të thjeshtë votash. Historia Shqiptare e censuruar
Pavarësia e Shqipërisë mund të mos jetë ajo që kemi mësuar rëndom, në shkollë
apo nga literatura akademike. Madje mund të ketë dhe një fasadë tjetër, e cila
më së shumti është mbajtur mbuluar me një tis të errët, në pamundësi për ta
zhdukur krejt. Të paktën e këtij mendimi është historiania Elena Kocaqi, e cila
duke iu referuar dokumenteve të arkivave austriake, por dhe atyre italiane,
franceze e angleze, ka nxjerrë një përfundim fare pak të cekur më parë, por
shumë të censuruar gjithsesi. Dhe ja çfarë thotë Kocaqi për gazetën “Shekulli”:
Cilat ishte
situata politike, në Europë në fillim të shekullit XX, kur Perandoria Osmane po
lëshonte territor?
Situata
politike në Evropën e fillimit të shekulli të XX ishte e tillë që ishin formuar
dy blloqe politike ushtarake, njëri ishte Antanta e përbërë prej Anglisë,
Francës dhe Rusisë dhe tjetri ishte Blloku Qendror i përbërë prej Gjermanisë,
Austro- Hungarisë dhe Italisë. Antanta përkrahte sllavët në Ballkan ndërsa
Blloku qendror me insistimin e Austro-Hungarisë përkrahte shqiptarët. Nga të
gjashta Fuqitë e Mëdha vetëm Austro-Hungaria ishte e interesuar sinqerisht për
krijimin e një shteti shqiptar për arsye gjeo-strategjike, historike dhe
kulturore.
Çfarë do
ndikonte më shumë në shtetformimin shqiptar, rezistenca e vetë shqiptarëve, apo
ndikimi i politikave të huaja?
Mundësit
që shqiptaret të krijonin një shtet pa miratimin e fuqive të mëdha ishin zero,
pasi ishin vetëm gjashtë Fuqitë e Mëdha që vendosnin për ndryshimin e statusit
territorial të një vendi. Kështu edhe sikur shqiptarët të kishin unitet dhe
ushtri nuk do të mund t’u impononin dot atyre një shtet shqiptar kaq lehtë nëse
nuk do të kishin ndonjë nga fuqitë e mëdha që t’i mbështeste ato. Nga ana
tjetër më duket absurde të mendohet se ngritja e flamurit në Vlorë krijonte
shtetin shqiptar të pavarur, pasi shteti ka disa elementë siç janë popullsia,
territori, pushteti dhe sovraniteti dhe kjo qeveri e Vlorës nuk kishte asnjë
prej tyre. Interpretimi se një njeri ngre një flamur e në mes të luftës shpall
Pavarësinë dhe nuk njihet nga asnjë shtet, merret seriozisht nga historiografia
jonë. Kuvendi i Vlorës nga ana juridike ka probleme se nga 84 deputetë kanë
firmosur 40, që do të thotë se ky kuvend nuk ka shpallur fare pavarësinë pasi
ajo nuk ka marrë as shumicën e thjeshtë të votave. Për akte kushtetuese duhen
edhe 2/3, kështu që juridikisht vendimi i Vlorës është “nul”.
Ku qëndrojnë
problemet e historiografisë shqiptare për këtë çështje?
Deri
me sot nga historiografia jonë është thënë se rezistenca e kryengritjeve
shqiptare ishte për autonominë apo pavarësinë e vendit por që kjo nuk rezulton
të jetë tërësisht e vërtetë. Kryengritjet shqiptare të 1911-1912 financoheshin
nga Mali i Zi, Serbia dhe Greqia që kishin si synim të përdornin shqiptarët me
qëllim që të rrëzonin perandorinë Osmane dhe më pas të përvetësonin trojet e
tyre dhe ato ua kishin shprehur hapur një gjë të tillë krerëve shqiptar. Kishte
nga ata krerë shqiptar që donin edhe një bashkim me këto shtete që edhe i
financonin por kishte edhe nga ata krerë që ishin për mëvetësi. Shqiptarët u
përdorën edhe në luftën Ballkanike pasi katoliket shqiptar i hapën rrugën
ushtrisë malazeze të pushtonte Shkodrën. Pra shohim se këto kryengritje ishin
fillimi i fundit të integritetit dhe tërësisë territoriale të racës shqiptare.
Historiografia jonë me gjysmë zëri e pranon se ka pasur ndikim dhe financim nga
vendet fqinje por ajo mbron idenë që ata luftonin për autonomin dhe pavarësinë
e Shqipërisë. Atëherë lind pyetja këto fqinje që ëndërronin natë e ditë trojet
shqiptare do të ndihmonin krerët shqiptarë për të arritur pavarësinë kur ato e
donin territorin për vete? Sigurisht që jo dhe këtu ka një shpjegim që bie në
kundërshtim me logjiken historike. Pavarësia shqiptare ishte vepër e politikës
Austro-Hungareze të kohës e cila arriti të përdor të gjitha, mjetet si
diplomatike ushtarake për t’u imponuar fuqive të tjera krijimin e një shteti
shqiptar dhe kjo tregohet nga të gjitha dokumentet diplomatike të arkivave
Evropiane.
Përse
Austro-Hungaria pati ndikim kaq të madh, apo rol kryesor në dhënien e
Pavarësisë së Shqipërisë?
Kjo
sepse ajo kishte interesa në Ballkan dhe ajo shikonte në copëtimin e Shqipërisë
një kërcënim të sigurisë së saj në Ballkan pasi trojet e saj shtriheshin deri
në Bosnje. Problem i madh ishte edhe çështja e Adriatikut ku Austro- Hungaria
dilte në det në Trieste dhe rajonet kroate, sllovene dhe ajo nuk mund të
lejonte që në bregun shqiptar të Adriatikut të vendosej një Serbi armike dhe
një Itali rivale potenciale për armike, e cila mund t’i bllokonte asaj kanalin
e Otrantos nëse merrte Vlorë. Kështu Austria mori fjalën e Rusisë dhe Italisë
rreth 30-40 vjet më para se të shpallej pavarësia. Ishte shpërthimi i
konfliktit ballkanik që e detyroj atë të bëhej agresive derisa dhe të
mobilizonte ushtrinë për të imponuar një Shqipëri të Pavarur. Ishte pikërisht
ajo që ju kërkoi shqiptarëve shpalljen e Pavarësisë dhe jo autonomisë, që në
tetor të vitit 1912.
Cilat ishin
raportet e Austro-Hungarisë me Ismail Qemalin?
Austro-Hungaria
ashtu si dhe të gjitha fuqitë e tjera në Evropë dhe Ballkan nuk i zinin besë
Ismail Qemalit dhe nuk kishin raporte të mira me të por në çastin e krizës asaj
i duhej një faktor shqiptar brenda Shqipërisë apo ashtu siç shkruan Berchtold
ministri jashtëm austriak një qeveri sa për t’u dukur se është përfaqësuese e
shtetit shqiptar, me qëllim që t’u tregonte edhe fuqive të tjera se shqiptarët
duan shtetin e tyre. Në këtë kohë Vjena akuzohej se ishte me shqiptare se vet
shqiptarët dhe për këtë arsye ajo mbështeti në fillim Syrja Vlorën dhe me pas
Ismail Qemalin. Ajo i dha atij mbështetje dhe një anije që të vinte në Vlorë
dhe jo në Durrës siç thuhet për të kryer një akt formal dhe një qeveri formale
dhe e ka mbështetur edhe financiarisht.
Cilat janë të
rejat që paraqisnin ju në punimin tuaj të fundit?
Janë
faktet historike arkivore të panjohura më parë ose ndoshta të njohura nga
ndonjë grup i ngushtë historianësh por që ndoshta kanë qenë të censuruar dhe
nuk i kanë bërë publike ato, madje segmente të caktuara janë përpjekur të më
censurojnë edhe mua që të mos i botoj ato pasi kjo gjë i ulte vlerat faktorit
shqiptar në krijimin e shtetit por që për mua censura si historiane dhe si
qenie njerëzore është e paimagjinueshme. Kështu që unë paraqes pa censurë
faktet arkivore të arkivit të Austrisë, dokumentet diplomatike Italiane,
Franceze, Angleze të cilat japin qartë faktin se merita për krijimin e shteti
shqiptar i takon shtetit Austro-Hungarez dhe se shqiptaret kanë shumë pak ose
aspak peshë në këtë çështje. Nga ana tjetër unë i përkas brezit te ri të
historianëve dhe jam e pa ndikuar nga ideologjia e materializmit dialektik në
interpretimin e historisë. Kështu lexuesi në fund të librit do të njihet me të
vërtetën historike dhe nuk besoj se do të këtë ndonjë lexues qe të jetë i
mendimit qe ne krijuam vet shtetin tonë. Nëse sot ka jo vetëm Shqipëri por edhe
racë shqiptare në hartën demografike të Evropës, kjo është merita e madhe e
shtetit austriak që Shqipëria duhet t’i jetë mirënjohëse. Shqiptaret gjendeshin
para zhdukjes kombëtare. Të mos jemi mosmirënjohës dhe të na errësojë logjikën
egoizmi kombëtar dhe nacionalizmi dhe te marrim merita që në fakt nuk na
takojnë por të nxjerrim mësim nga të vërtetat historike për te mos i përsëritur
me gabimet tona të së shkuarës në të ardhmen
Austriakët i
kërkojnë Toptanit të bashkohet me Ismail Qemalin
Austro-Hungarezët
ishin të vetmit që mbështetën këtë qeveri. Në 3 dhjetor 1912 Berchtold i shkroi
Vlorës dhe i tregoi mbështetjen e Austrisë. Austria donte bashkimin e
Shqipërisë me qeverinë e Vlorës dhe ajo i dha shuma të mëdha të hollash Esat
Toptan dhe Prenk Bib Dodës që ata të bashkoheshin me këtë qeveri. Por kjo gjë
kundërshtohej në radhë të parë nga vet Ismail Qemali, që në këtë rast është
bërë pengesë për bashkimin kombëtar. Kështu ai e bëri me vonesë emërimin e
Dodës në qeveri. Nga ana tjetër Toptani ishte një njeri që shitej tek armiqtë e
Shqipërisë dhe ka luajtur rol tepër negativ në këtë kohe dhe më pas në
bashkimin kombëtar të shqiptarëve. Këta bejlerë në pjesën më të madhe të tyre
ishin me origjinë osmane dhe vini nga rajonet e Iranit, Irakut, Turqisë dhe
ishin sjellë si sundues në Shqipëri, ashtu si shqiptarët shkonin në Egjipt dhe
Lindjen e Mesme pasi nuk lejohej që feudalët të ishin vendas dhe kështu që ata
nuk identifikoheshin aspak me shqiptarët. Nga ana tjetër, vetëm historiografia
shqiptare meritën e krijimi të shteti në të gjithë historinë botërore, ja
dedikon feudalëve. Feudalizmi dhe bashkimi kombëtar janë armiq të
njëri-tjetrit, pasi feudalet shikojnë te një bashkim i tillë shkatërrimin
politik dhe ekonomik te tyre”.
Projekti
serbo-grek për ndarjen e Shqipërisë
Por
çfarë thonë dokumentet Austro-Hungareze për qëndrimin e Serbisë e Greqisë ndaj
Aktit shqiptar të Shpalljes së Pavarësisë? Eleni Kocaqi thotë: “Sebia e Greqia
as që donin të njihnin një shtet shqiptar pasi ato kishin marrëveshje ta ndanin
Shqipërinë midis tyre. Serbia donte pothuajse pjesën me të madhe të Shqipërisë
me një dalje të gjerë në bregdet dhe Greqia donte Epirin deri në gjirin e
Vlorës. Serbia pati një konflikt të madh me Austro-Hungarinë në nëntor 1912 kur
ushtria serbe zuri Durrësin. Ajo u detyrua të mobilizoi një milion ushtarë e
t’i vendosë ata në kufijtë e Serbisë dhe Rusisë me qëllim që të mos lëshonte në
çështjen e bregdetit shqiptar qoftë edhe në koston e një lufte botërore. Ndërsa
sipas arkivit austriak në 30 dhjetor 1912, qeveria greke ka njohur qeverinë e
Vlorës por jo pavarësinë e Shqipërisë pasi ajo bazohej në marrëveshje që kishte
me Ismail Qemalin që të njihet qeverinë tij me koncesion territorial në favor
të Greqisë. Kjo marrëveshje ishte nënshkruar 5 vjet më parë dhe Epiri i kalonte
i gjithi Greqisë. Në 1912 ajo vazhdoj të funksionojë pasi sipas dokumenteve,
Ismail Qemali ishte dakord që Greqisë t’i kalonte Janina e Çamëria. Si shkëmbim
ajo njihte qeverinë e Vlorës”.
Botuar tek
gazeta SHEKULLI
No comments:
Post a Comment