Ajo
e tronditi opinionin kur në tregun e madh të librit, mbushur me romane shumëfaqëshe
e bestseller-ë botërorë, hodhi një
vëllim të brishtë poetik, por me një titull domethënës e tepër provokues. Ndërsa
në libraritë e ngjeshura me vëllime stok të poetëve anonimë, për të cilat
thuhej se nuk ia varte kush e s’kish nge të merrej njeri me to, vargjet e saj rrëshqitën
ngjalshëm për të dalë mbi sipërfaqe, çuditërisht. Nuk ishte fjala vetëm për
titullin e saj të çuditshëm dhe fare të paturpshëm “Vrima”, por dhe për lëndën
që shoqëronte vargjet të cilat ishin shumë më keq sesa vetë titulli. Në
ekstremin pervers, lexuesit e thjeshtë me kokë të rruar zero dhe ata me mustaqe
e namuz, nisën të shfrynin pakënaqësinë e të thoshin me patos agresiv se ishte ende
shpejt për thyerje tabush e skemash të socrealizmit. Tabutë ishin thyer me kohë
në perëndimin e Evropës dhe ca më larg saj, por në Shqipërinë gjysmotomane, e
ca të ngurosur prej moralit proletar, opinioni ndihej i shpenguar të lexonte
gjithfarë vargjesh të shkruara nga ndonjë poete daneze, ndonjë argjentinase apo
ndonjë tjetër e importuar prej Lindjes së Largme, por nuk mund të gëlltiste
vargje plot epsh e kërleshje trupash të lëngshëm nga një poete shqiptare, ku himnizoheshin
e ngriheshin në kult blasfemi heretikësh.
Sot
askush nuk ndihet më për këto vargje, dhe ndoshta njerëzit janë mësuar të bashkëjetojnë
me to, duke e cilësuar në heshtje si të tejkaluar tashmë tabunë e thyer. Ndërsa
ajo vazhdon të shkruajë në vazhdimësinë e saj poetike me po të njëjtin ritëm
dhe pa u ndikuar nga statuset në facebook dhe komentet cenuese poshtë tyre. Larg
thashethemeve për kolonën e saj nudiste, Rita Petro apo Rita Filipi, siç njihet
gjithashtu, është po aq dhe një botuese shumë e njohur, e cila duhet ta ndajë mirë
kohën e saj mes halucinacioneve ekstreme kozmike dhe një pragmatizmi tokësor e
ku nëpunësit me të cilët ndan punët e zyrës kërkojnë të hedhin firmën në
bordero. Duke folur për vështirësitë e kohëve të fundit, jetës në karantinë dhe
lirinë pas saj, për lexuesit e gazetës “Fjala” poetesha e njohur thotë:
Edhe pse është
në përfundim e sipër, gjithsesi ishin dy muaj karantinë. Si i kaluat këto
ditë?
Përveç
ditëve të para që vërtet ishin shokuese, mendoj se kjo situatë, ashtu sikurse
të gjithë, më ka vënë në sprovën se si mund ta përballoj izolimin fizik. I kam
kushtuar më tepër kohë vetes, pasi e kam pasur me shumicë, ndryshe nga koha kur
90% të ditës ma merrte puna si botuese. Kështu, kam dëgjuar me shumë qetësi
muzikë të mirë, kam lexuar për qejf dhe jo për detyrim pune, kam bërë shumë
ushtrime fizike për trupin, meqë tani na vjen dhe vera ha-ha-ha... Kam gatuar
receta të reja, kam bërë më shumë punë shtëpie.
Ndërkohë
iu futa një projekti që ka lidhje me profesionin tim, si specialiste didakte
për lëndën e letërsisë në shkollë. Dhe, normalisht, kemi vazhduar punën me
ekipin e redaksisë në lidhjet online.
Po
kështu, duke qenë pjesë e jurisë për "Librin e karantinës" ngritur
nga Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit, pranë Ministrisë së Kulturës, kam
lexuar mjaft dorëshkrime.
A ka qenë
frymëzuese një situatë e tillë?
Provokuese
për të gjithë artistët mendoj se ka qenë e gjithë situata e kufizimit fizik dhe
se si mund të përballohej, duke i kundërvënë lirinë mendore dhe atë
shpirtërore.
Unë
kisha nisur një roman dhe po vazhdoj të shkruaj, dhe... më pëlqen ajo që po
bëj. Se kur do të mbarojë, nuk e di. Rëndësi ka që po vazhdoj.
A mund të
përbëjë ky precedent (pra ditët në karantinë) një motiv në të ardhmen
për të pasur prozë dhe vargje rreth saj?
Edhe
mundet. Ndodh gjithmonë. Për vete mendoj se gjërat e bëra aty për aty mbeten
sipërfaqësore, pasi ndikohen fuqishëm nga faktorë të jashtëm. Mendoj se
letërsia e mirë është një përpunim i thellë i dukurive të brendshme me ato të
jashtme. Por në art s'ka asnjëherë gjëra të prera me thikë. Nga gjithë ajo mori
shkrimesh në botë, por edhe te ne, jam e bindur se brezave të ardhshëm do t'u
mbeten libra të mirë dhe 2-3 ose 1 kryevepër.
Cili kanë qenë primar
në ditët e izolimit, leximi apo krijimtaria?
Aty-aty...
edhe leximi përmes videove ose online më ka dhënë shumë kënaqësi.
Unë
i jam bashkuar nismës së Qendrës së Librit për Fëmijë me drejtuese zj. Anisa
Ymerin, e cila është mjaft aktive dhe e pasionuar për t’i nxitur fëmijët që të
lexojnë. I jam bashkuar me qejf kësaj nisme, duke qenë se ne kemi botime aq të
shumta dhe aq gjithëpërfshirëse për fëmijët. Po kështu, i jam bashkuar edhe
nismës për lexim nga Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit me drejtuese zj.
Alda Bardhylin, e cila po bën një punë të madhe në promovime vlerash kombëtare
dhe botërore të njerëzve të letrave. Leximi i librave është mirëpritur si nga
fëmijët, ashtu edhe të rriturit. Po ajo çka është më interesante, lidhet me
poezinë. Poetët përherë kanë dashur t’i lexojnë vetë poezitë e tyre. Histori e
njohur kjo. Për mua ka qenë një kënaqësi e madhe reagimi pozitiv i miqve apo i
lexuesve të poezisë sime. Kur lexon, transmeton një energji tjetër të ngrohtë,
intime, përmes zërit, syve, mimikës te lexuesi. Është bukur. Dhe më është
shtuar kënaqësia për ta vazhduar edhe pas pandemisë. Deri sa jemi gjallë ne
shkrimtarët, nuk kemi pse të mos komunikojmë drejtpërdrejt me lexuesit apo
ndjekësit tanë.
Si botuese, a
mendon se kjo situatë izolimi do të sjellë vështirësi në lidhje me industrinë e
librit?
Sigurisht
që po. Mendoj se të gjithë botuesit janë në situatë të vështirë, sikurse dhe
shumica e bizneseve të tjera. Rënia e ekonomisë na vë të gjithëve në
vështirësi; shumë aktivitete librash u anuluan… ja së fundi Panairi
Ndërkombëtar i Librit për Fëmijë në Bolonjë, ku do të bënim disa marrëveshje
për blerjet e të drejtave të disa librave, Panairi i Librit në Prishtinë etj. Ndihet
një rënie e madhe e shitjeve, duke bërë krahasimet me situatën para pandemisë.
Por më e rëndësishme për ne si kompani botimi është të ruajmë të paprekur të
gjithë stafin që e kemi shumë të kualifikuar. Dhe kur shoh se sa mik i mirë për
njerëzit ka qenë libri në këtë situatë të vështirë, jam e bindur se do të
durojmë dhe do të vazhdojmë të sjellim tituj të mirë dhe cilësorë edhe këtë
vit, që si zakonisht do t’i i prezantojmë në Panairin e Librit të Tiranës, në
nëntor.
No comments:
Post a Comment