Në
këtë jetë duhen bërë mirë llogaritë, që të kesh mundësi të përfitosh ç'të
mundesh. Se pastaj të thonë se nuk je i zoti e nuk e nxjerr qimen nga qulli.
Dhe po të jesh i zoti fare edhe dhjamin nga pleshti arrin ta nxjerrësh.
Ndaj
duhet peshuar mirë puna sa pa u mbyllur sipari i votimeve, se pastaj mbetesh me
gisht në gojë.
Mirëpo
unë i kam nja dy dilema të mëdha në këto ditë të vështira: t’i bojkotoj
zgjedhjet apo të shes votën?
Po
e nis me të parën.
Politika
shqiptare ka mëkate pa fund. E kam fjalën për politikën e 30 viteve të fundit,
se ajo e mëparshmja, u vërtetua katërcipërisht se ishte nëna e mëkatit.
Të
paktën dy herë, grupimet politike të ndarë majtas e djathtas janë ndëshkuar me
votë plebishitare. Pra në Kuvend e qeverisje kanë ardhur të tjerët me shumë
bujë e premtime e sërish kanë ikur me bisht në shalë. Por në 30 vite pako gjë
ka shkuar ashtu siç duhet e kjo punë nuk na ka marrë mbarë për së shumti.
Reformat vazhdojnë e s'kanë të mbaruar dhe ne vazhdimisht cilësohemi si shoqëri
në tranzicion. Me demek: hyr e dil e tund peshqirë.
-Pse
bojkoti??? – do pyesni ju.
-Po
pse votimi??? – do të bëj unë kundër pyetjen time.
Sepse
sipas meje bojkoti është një mundësi që politika të vërë mend apo që aspirantët
politikanë të ulen me këmbë në tokë, sepse deri tani na janë shitur rëndshëm
sikur janë pjesë e Tempullit të Zeusit.
Kur
u shpreha për herë të parë se më mungonte dëshira të votoja dhe nuk do merrja
pjesë në votime, hasa në një kundërshti të përgjithshme që në fund u kornizua:
“Bëje
votën të pavlefshme, por e rëndësishme është të shkosh të votosh”.
Ouuuu,
çfarë sugjerimi interesant! E pse kështu? Çfarë argumentesh përmban ky
togfjalësh që në thelb është moralist, as më pak as më shumë? Cili është
dallimi midis të mosshkuarit në votime dhe të një vote të pavlefshme?
Demek,
po të shkosh e t’u vësh një kryq të madh të gjithëve quhet pjesëmarrje. E çfarë
përfiton Atdheu nga kjo??? Se ti vetë e ke humbur davanë, madje thonë se po nuk
more pjesë në votime duhet ta mbyllësh gojën e të mos u kërkosh llogari
qeveritarëve.
Të
keqen e mendjes.
Amerikanët
ngrejnë gishtin e madh përpjetë për të thënë “ok”, paçka se ne si shqiptarë
anapulla që jeni e kemi shqiptarizuar “hip këtu të shohësh Stambollin”. Por në
Romën e lashtë gishti i madh kur shkonte poshtë të penalizonte. Kështu, ndoshta
duhet të jetë për politikën tonë e cila po vazhdon të na mbajë peng dhe të mos
penalizohet për mëkatet e saj.
Epo
... mjaft me kaq. Kalojmë tek pjesa e dytë e dilemës. Tek ajo që aq shumë po
anatemohet sot: Shitja e votës.
Të paktën të mos dal pa gjë nga këto zgjedhje, se mbase as bojkoti nuk funksionon.
Qetësisht
e pa inate ekspresive: A është vota një objekt i kuotuar në bursë? Nuk është se
duhet të habitemi fort për një këtë gjë. Gjithçka e ka një çmim. Madje të bësh
pazar me votën më duket një gjë fort e drejtë. Pazar të pastër, jo spekulativ.
Çfarë problemi ka këtu?
Në
të gjitha rastet vota blihet dhe shitet. Pra është një send ofertues. Ti, që ke
nevojë për të ofron 50 euro në shkëmbim të votës, dhe kjo është mënyra klasike
e shit-blerjes. Për këtë ti je i anatemuar, sikur të kishte bërë një krim
pasioni. Ndërkohë një kandidat tjetër për deputet ofron të të bëjë një rrugë te
pragu i avllisë dhe një basen për të mbledhur e shpërndarë ujë të rrjedhshëm.
Edhe kjo në këmbim të votës.
Ouuu,
po kjo çfarë është? Korrupsion pasiv?
Jo,
jo, jo... Do ta shohim në një këndvështrim tjetër. Se këtu përfiton komuniteti.
Të gjithë nga pak. Po nga sa? Po... plus, minus, shumëzim pjesëtim, duhet t'i
bjerë nga 50 evro për shoq.
Gjatë
i re byrazer, bjeri ore shkurt: Lekët mua në dorë, ato që më takojnë se nuk më
plas hiç për rrugën. As për ujësjellësin. Se nuk paske ndonjë ndryshim nga ai i
pari.
Pra,
sërish ofrohet diçka në shkëmbim të diçkaje. Thuaje troç mor vëlla i dashur që
do ta paguaj votën, por me paratë e buxhetit. Dhe kjo blerja e dytë na qenka më
e zgjuar, më finoke, më... në modë tek e fundit. Sepse këtu luhet dhe në emër
të komunitetit, demek. Pra përfitojnë të gjithë. I paske bërë mirë llogaritë.
Duket që ke dalë me 10-ta në shkollë. Lum familja që të ka.
Mirëpo
ja që ky përfitim mua nuk ma mbush synë. Unë nuk dua rrugë zoti kandidat, se
kam blerë një palë opinga të reja për të çarë llucën. Edhe ujë, shkoj te burimi
e mbush nja dy bidonë. Mua më duhet një thes miell që të shtyj dimrin. Si i
bëhet??? Se thasë me miell kanë dhënë të gjithë, mos bëni sikur e keni
harruar?! Pavarësisht se me miellin bëjnë shaka ca e ca. Dua të them që ka
rezerva shteti, miell për të tërë. Sidomos për raste të tilla ku buka e gojës,
- siç ka thënë dhe njëri, - është “çështje e të gjithëve”.
Atëherë
të bëjmë një përmbledhje se mbase nuk jemi kuptuar si duhet:
Nëse
një subjekt politik të ofron 50 dollarë për një votë, kjo është një ofertë
klasike. Edhe kur ky subjekt të ofron ujë dhe drita sërish është një blerje,
por jo klasike.
E
shikoni... iu futa kot gjithë këtyre llogarive.
S'po
di nga t'ia mbaj, t'i bojkotoj zgjedhjet për inatin tim, apo ta shes votën?
Koha po skadon.
Eh...
Po i hedh një sy bursës më mirë. Mbase rriten aksionet.
No comments:
Post a Comment