Tuesday, April 27, 2021

Pije detin Ksant!


Nga Leonard Veizi
 
Ksanti jepte mësim filozofie në shkollën greke të lashtësisë, edhe pse në të vërtetë ishte vetëm një koqe gomari. Teorik dhe mendjeshkurtër. Por kur vinte puna për gjëra praktike zgjidhjen e gjente përmes trurit të skllavit të tij fort të mençur, Ezopit.
-Pije detin Ksant.
Kështu do ta pësonte Ksanti, i dehur e i bërë tapë, kur pasurinë e gjithë ç’kishte e vuri në bast me kapitenit të rojeve. Dhe basti e kapërcente ku e ku mundësinë e tij sepse në një letër të vulosur e dyllosur ai zotohej se do të pinte detin para gjithë popullit.
-Hajde Ksant, hajde.
Kur i doli pija, vuri duart në kokë dhe nuk po gjente dot rrugëzgjidhje për prapësinë që kishte bërë. E si gjithmonë për këtë i duhej ndihma e Ezopit. Po çfarë konsulence do t’i ofronte Ezopi?
-Unë kam thënë që do pi detin, por jo dhe ujin e lumenjve që derdhen në të. Ndajini dhe ndalini ato dhe unë do ta pi detin.
Kjo ishte e gjitha. Ksanthi shpëtoi. Populli mbeti pa e parë spektaklin dhe kapiteni i rojeve nuk ia mori dot shtëpinë e katandinë.
Kreu i shtetit, gjatë fushatës së fundit për zgjedhjet kuvendore, foli për sëpata, kosore e duar të prera, gjithmonë nëse do të vidhej vota. Dhe me të drejtë . Madje u zotua dhe për dorëheqje e dalje në opozitë nëse qeveria në vazhdimësi do të kishte të njëjtin shef.
Heshtja pas zgjedhore në fakt ishte më e thellë se ajo para tyre. E thellë, e zbrazët, medituese në fund të fundit. Qeveria, për djall do të ketë të njëjtin shef...
-Pije detin Ksant.
Por meqenëse vota nuk u vodh dhe procesi u zhvillua i qetë, edhe premtimi për veprime politike radikale ra.
-Po, por nëse do të ndalni ujët e lumenjve që derdhen në të.
 

 


No comments:

Post a Comment