Nga Leonard Veizi
Jetën e përditshme falna o Zot!
Nuk është se ka ndryshuar lutja në fjalë, por meqenëse vetë fjala është konvencion, të thuash “bukën e përditshme” është e barabartë me “ditën e zakonshme”.
Zgjedhjet mbaruan.
Shyqyr Zotit.
Ia hodhëm dhe këtë herë. Se në mendjen e shqiptarit çdo ditë zgjedhore përkthehet dhe me një “luftë të vogël civile”. Mirëpo jo. Duket që Zoti na ka marrë me sy të mirë këto kohët e fundit. Se edhe marrëdhëniet tona me të kanë qenë ca të diskutueshme. Sidomos që nga shkurti i vitit 1967, kur doli letra e hapur e Komitetit Qendror për revolucionarizimin e jetës në vend, e kur gjimnazistët e “Naim Fashërit” të Durrësit e çuan më përpara fuqinë e revolucionit: Të prishim kishat e xhamitë.
Zgjedhjet mbaruan.
Allah, allah...
Jemi në muajin e shenjtë të Ramazanit e të rrethuar nga Pashkët Katolike e ato Ortodokse. Kësaj i thonë të jesh si veshka mes dhjamit. Vetëm Covidi na i prish ca...
Na mbro o Perëndi...!
Njerëzit kanë marrë ngarkesa të mëdha këto kohë. Mirë shtetrrethimi, që na kujtonte ditët e errëta të Gestapos, ku mund të haje plumbin si gomari i Qazos që doli të kulloste pesë minuta para afatit, por veç të tjerave janë të detyruar të mbajnë dhe nga një maskë bezeje në fytyrë, e cila tani që ka nisur vapa, ua çon djersën në ulluk të... “fasadës së pasme”.
Zgjedhjet mbaruan.Lëvdue kjoftë Jezu Krishti!
Pa... “rrokje armësh”. Se vetëm Ti o Zot ua di mendjen atyre... trazovaçëve.
Jeta papritur u fut në normalitetin e saj të zakonshëm e monoton. Thirrjet emocionale të militantëve u zbehën shpejt. Karvani me makina të shtrenjta e të zbukuruara me flamuj partish, por dhe me ndonjë shqiponjë të zezë që na kujton si padashur se të gjithë jemi shqiptarë, si bënë ritualin e zakonshëm, ndaluan të “flinin” në parkingjet me pagesë.
Kush të fal sot?!
Asgjë nuk ndryshoi nga një natë më parë, kur ethet për fitore po i dridhnin militantët, dhe ata që shpresonin për ndonjë vend pune në administratë, më keq se ethet e Covidit. Jo... se mbase ëndërronin për ulje të tarifës së energjisë elektrike dhe ujët e Bovillës. Apo zerim të taksës së pastrim-gjelbërimit, me idenë novatore të aksionit vullnetar ditëve të diela, ku çdo shtëpi nxjerr nga një njeri për pastrim territori.
Zgjedhjet mbaruan.
Aman o se e morëm vesh.
Ditët paszgjedhore gdhinë plot diell dhe Facebook-u çuditërisht ishte i qetë, me përjashtim të një harte dyngjyrëshe të Shqipërisë me kufijtë e 13-tës, që qarkullonte rëndom për të treguar se rezultati zgjedhor na e paska ndarë shtetin amë ashtu siç ndahej një herë motit, e ku për bazë sinori merrej vija lumore e Shkumbinit.
Ja e futën dhe këtë kunj fejsbukistët e shkretë. Se mbase donin t'i jepnin pak zjarr situatës së nderë. Por duket se nuk u ndezi.
Më në fund zgjedhjet përfunduan.
E ke thënë nja pesë herë deri tani.
Nuk pati përleshje militantësh të supozuar, as duar të prera me kosore bari e sakica që përdoren për shkurtimin e druve të dimrit. Gjithsesi, ekranet ishin të zëna me takime liderash politikë, konferenca për gazetarët e batuta me shije të thartuar.
Por tani kemi rënë rehat në varfërinë tonë, por dhe në budallallëkun e pashpresë. Dhe kjo edhe pse mund të duket patetike është shumë jetësore: Të gjithë kemi nevojë për më të zakonshmen tonë deri në detajin më ekstrem. Të pimë një kafe mëngjesi, mundësish me çmim sa më të lirë. Të çekojmë te porta e ndërmarrjes e të futemi në vrap brenda se mos na shohë shefi vërdallë e formon opinion të keq se ne nuk e duam punën. Të punojmë e të bëjmë sikur punojmë nga 8 orë duke ndezur dhe nja 10-12 cigare ndërmjetëse që të na përshpejtojnë 480-minutëshin që duket sikur nuk mbaron. Dhe pastaj t'i hipim autobusit urban të mbytur nga duhma, për të shkuar drejt familjes. A ka më bukur se kaq?
Zgjedhjet mbaruan.
Ohu... e teprove.
Jo, se dhe po të kesh 1 milion dollarë në bankë, ritmi ditor të kufizon të shpenzosh vetëm një 5-mijë leksh të vjetër: një kafe, një gotë raki, një paketë cigare dhe e shumta dy byreqe me gjizë e që kullojnë vaj, nëse gruaja nuk të ka paketuar me gazetë dy copa buke me pak djathë, domate e një rrotë kastraveci.
Nuk është e rëndësishme të kesh një milion dollarë në bankë, se dhe ditën e pushimit e shtyn për mrekulli me dy kërnacka Korçe e një gotë birre gati në të thartuar, për të marrë adrenalinën e munguar.
Zgjedhjet mbaruan.
Mos fol fare! E di, u bëra i bezdisshëm. Nuk do ta them më.
Tek e fundit, të gjithë u kthyem të bëjmë jetën e përditshme. Dhe vetëm tani e kuptojmë sa e rëndësishme qenka të pish kafen e mëngjesit në një lokal lagjeje me fytyra të njohura, ku dhe uji i çezmës të vjen falas në një gotë plot me akull. Dhe mbi të gjitha, nuk flasim më për politikë.
Jetën e përditshme falna o Zot!
-A ta vë një 50-çe për Juventusin? Mbase i bie në kokë.
-Mirë e ke. Ndeshjen e shohim te lokali i Toshes, se e ka ekranin më të madh se të kinema Mileniumit.
Ja kaq ishte e gjitha.
...të kemi shëndetin...!
No comments:
Post a Comment