Me
hirin e Zotit, fushata po ecën mirë e po shket si mbi dhjamë. Ajo më së shumti
është kuadratuar në kornizën mediatike, larg ulërimave patetike të militantëve.
Takimet e liderëve janë të qeta, pa shtrëngime duarsh, përqafime e puthje
pasionante. Premtimet po bëhen me tone të zbutura.
Jemi
në ditët e fundit të fushatës, përderisa 2/3 e kohës në dispozicion ka kaluar
dhe nuk ka mbetur më shumë se një javë nga mbyllja përfundimtare e saj.
Pastaj,
drejt e tek kutia e votimit me kartën e identitetit në dorë.
Me
hirin e Zotit shqiptarët janë bërë ca më shumë indiferentë ndaj zhvillimeve
politike në vend. Dhe duket se kjo nuk i prish punë kurrkujt. Në Itali, fjala
vjen, politika sherroset e qeveritë bien pa e mbushur vitin, por kjo s'e pengon
këtë shtet në hartë, i kufizuar të jetojë në gadishullin Apenin, të jetë vendi
i pestë më i industrializuar i botës. Dhe po qe se edhe industria e gadishullit
do të ecte me ritmet e politikës vendase, padyshim që do të ishte andej nga
fundi, ose më mirë pas Shqipërisë. Por ata e kanë zgjidhur shumë më përpara se
ne këtë çështje. Dhe punët shkojnë vaj. Ndërsa ne si shqiptarë kemi një
specifikë tjetër. Por nuk është ky subjekti i temës.
Televizionet
na paraqesin një panoramë rozë të aktiviteteve politike që gjithsesi prishen
nga ndonjë e shtënë arme që përfundon me vrasje, e që ka të bëjë ose me larje
hesapesh ose për motive të dobëta. Epo... “dasmë pa mish nuk ka”, thotë
populli. Pandeminë po e vëmë poshtë, paçka se ka fatalitete ende. Por dhe
vaksina ka sa të duash. Ruse, kineze, britanike e amerikane. Pra, turlillojesh.
E
në këto ditë çlirimi nervash, sidomos dhe pas shtyrjes së afatit të liridaljes
me plot dy orë të tjera, jemi në pritje të të mirave që do na vijnë pas 25
prillit. Se qeveria e re është si dhëndurët e rinj, thonë: e papërmbajtshme.
Punët
po na shkojë mbarë. Të korrat do t’i kemi po aq të mbara këtë vit. Edhe turizmi
pritet të çajë dyert. Do të rritet cilësia e shërbimeve bashkë me... cilësinë e
diellit. Do të rriten dhe pagat e pensionet... por edhe taksat, më duket.
Eh...
lum e lum, pas 25 prillit, lum kush të rrojë!
No comments:
Post a Comment