Wednesday, May 5, 2021

Guljelm Radoja, ikja e aktorit që varfëroi jetën dhe pasuroi vdekjen


In memoriam
 
Nga Leonard Veizi

Elegant si ai. E kush më mirë do të luante rolin e sinjor Albertos me mustaqe spicë e flokë të krehura me brilantinë?!
I sertë si ai. E kush më shumë do t’i futej nën lëkurën një virtyti kombëtar si Petro Nini Luarasi, me mustaqe burrash, vështrim impozues, që nuk rrëzohej përtokë as nga plumbi e as nga helmi.
Dhe jo vetëm kaq, sepse ai ishte po aq dhe Lym Kepi, besnik e i çartur sa të vinte kokën atje ku Ismail Qemali vinte këmbën në rrugëtimin e tij të vështirë për ta bërë Shqipërinë.
Ndërkohë që askush më shumë se ai nuk do të mund të skaliste portretin e një mësuesi të gjuhës shqipe si Stefan Bardhi, në përballje me armiqtë më të betuar të shqipes dhe Shqipërisë.
E pra, rolet e tij, dje dhe sot na bëjnë të ndihemi po aq shqiptarë, madje edhe kur luante i futur nën veladonin e një prifti që vinte me mision nga përtej detit, për të nxjerrë nga toka eshtrat e ushtarëve të një ushtrie të huaj që ishin vrarë si pushtues...
 
 ...Guljelm Radoja nuk është më në jetë, por gjithsesi ai mbetet po aq pranë nesh me të gjithë galerinë e personazheve dhe karakteret që i ka dhuruar filmit shqiptar.
U lind në qytetin e Shkodrës më 2 korrik të vitit 1945. Dhe vetëm dy muaj para se të mbushte 76 vitet e tij u nda nga jeta në një spital periferik të kryeqytetit, në 5 Maj 2021. Ishte ende në modë, sharmant e plot energji, i aftë për të luajtur në skenën teatrore, dhe po aq i gatshëm për të marrë një rol të ri në kinematografi. Por fati nuk e ndihi në përballjen me virusin më të çuditshëm të 100 viteve të fundit, i cili para tij kishte sakrifikuar dhe jetën e disa kolegëve të tjerë, po aq ikonikë, pjesë e plejadës së artë të kinemasë shqiptare.
Vetëm pak ditë më parë trupa e Teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, pjesë e të cilës ishte prej vitesh, i bëri një apel shtetit shqiptar: Mos e lini këtë aset kombëtar të na iki! Dërgojeni në një spital të specializuar jashtë vendit!
Ishin ende në kohë.
Në fakt, rrugëtimi i tij i fundit, nuk ishte me avion çarter, por me një ambulancë prej spitalit rajonal të Durrësit, ku qëndronte prej gati një muaji, në një nga shtretërit e spitalit “Shefqet Ndroqi” të Tiranës. Jetoi vetëm tre ditë në një intubim të thellë e me injeksione venoze gjithfarësh. Por nuk ia doli dot. As ai dhe as personeli që kujdesej për të.
Kështu ishte “e shkruar”.
Tani që iku, dhe diagnoza në kartelën mjekësore, në ishte virusi Covid shkaku i vërtetë apo një sulm kardiak i papërballueshëm, ka vlerë vetëm për të mbushur bazën e të dhënave, ku Guljelm Radoja mbetet veç një emër në listën statistikore. Në të vërtetë, tek krevati i Senatoriumit, intubuar me maskë e rrymë të fortë oksigjeni, u shua një nga aktorët më të ndriçuar të skenës dhe ekranit shqiptar.
Por kush ishte Guljelm Radoja?
Kjo vlen për ata që ekranin shqiptar e kanë braktisur dhe janë zhytur me kokë të marrin vëmendje me sentenca banale nga rrjetet sociale.
Në jetëshkrimin e tij zyrtar thuhet se ka studiuar për Dramaturgji dhe në vitin 1972, pas diplomimit në Institutin e Lartë të Arteve, nisi punën si aktor profesionist në Teatrin e Librazhdit.
Do të largohej më pas nga ky teatër për të punuar si aktor dhe regjisor pranë Teatrit "Bylis" të qytetit të Fierit. Dhe, si për ta vërtetuar thënien “e treta e vërteta”, lëvizja e tij e fundit do të ishte në Teatrin "Aleksandër Moisiu" në Durrës ku u stacionua përfundimisht si aktor i trupës.
Ndër interpretimet e tij në teatër mund të përmendim rolet në dramat “Bourgeois Wedding” e Bertold Brehtit, “Me syrin e një klouni” e Heinrich Bëllit, “Trojanët” e Vasilis Theodoropulosit etj.
Por shkëlqimin më të madh ai e ka në kinematografi ku në pelikulën e Kinostudios apo në shiritat manjetik të Televizionit Shqiptar ka mbetur i gjallë në të paktën 38 role.
Do ta niste karakterin e tij të parë si një inxhinier pyjesh tek filmi "Gjurma", i prodhuar në vitin 1970. Do të vazhdonte me rolin e fotografit Taf, në vitin 1974 tek filmi “Shtigje lufte”. Më tej do të vazhdonin si Tenente Aleko Gruabardhi në filmin "Në fillim te verës" prodhim i vitit 1975. Por do ta mbyllte si babai i Albanit tek filmi "Dashuria s'mjafton" një prodhim i vitit 2019.
Nuk mund t’i numërojmë të gjitha rolet që ai ka interpretuar, sepse ato janë vërtet shumë, të gjitha të spikatura, të gjitha të realizuara me mjeshtëri e shumë dashuri njëherazi.
Për së fundi Guljelm Radoja ishte pozicionuar si një nga mbështetësit e nismës për ta mbrojtur godinën historike të Teatrit Kombëtar, edhe pse përpjekja e tij dhe e shumë aktorëve të tjerë shkoi kot.
Për meritat e tij artistike Guljelm Radoja është nderuar me titullin “Artist i Merituar”. Padyshim, kjo ishte pak për një artist të kalibrit të tij. Dhe ajo që mbetet tanimë, është një vlerësim pas vdekjes, që gjithsesi do të kishte vlerën e vet.
Dhe në epilog, nëse ka një gjë ngushëlluese ajo do të përmblidhej në një tjetër sentencë: Kur ikën një artist jeta varfërohet, dhe ajo që pasurohet prej tij është veç vdekja.

No comments:

Post a Comment