Thursday, May 6, 2021

Apel ndërkombëtarëve: Aman na bllokoni internetin!


Nga Leonard Veizi

Pse jemi marrosur të gjithë me veglën që e mbajnë tërë ditën në dorë, e alarmohemi nëse e harrojmë një çast mbi lavamanin e tualetit ku kemi hyrë për ca punë personale?
Në 70-të vitet e tij, komunizmi u lodh shumë për të formatuar njeriun e ri, por nuk ia doli dot. Sot njeriu i ri është i formatuar. U deshën më pak se 20 vjet, që kur eksperimenti i valët wifi të kufizuar, u shtri anembanë si “interneti pa kufi”. Një gjë e tillë pak nga pak po kthen qenien njerëzore në një algoritëm kibernetik.
Jarebi o Perëndi, sikur të ndodhte ndonjë blackout, një re kozmike a një tufan ndërplanetar, e të na i ulte automatin e internetit, çfarë do të ndodhte?
Pyetje me 1001 të panjohura.
Më ka qëlluar të ndjek gjithfarë informacionesh që qarkullojnë në youtube, ca të licensuara e shumë më tepër pa kurrfarë kontrolli. Aty ndesha dhe në disa mini-emisione me tituj bombastikë dhe krejt hipotetikë, si fjala vjen: “Çfarë do të ndodhë në Tokë nëse Dielli zhduket?”
Heu bre... a përnjimend a...
Dhe për ta bërë edhe më të besueshme, të gjitha këto formate nisin duke përmendur NASA-n, si t’i kishin zyrat e saj shtëpinë e tyre. Dhe fillonin: NASA beson se nëse dielli zhduket papritur, pas 24 orësh do të ulej temperatura në tokë. Pas 10 ditësh do të... ndërsa pas një muaji...
Klikoj mbi emisionin tjetër: “Çfarë ndodh me Tokën nëse Hëna do të zhdukej”?
Ore po si u zhdukërka Hëna me një të rënë të kalemit? Mirë Dielli, mbase i mbaron vajguri e s’ka çfarë të djegë. Dhe nis sërish nga arsyetimi: NASA beson se... detet dhe oqeanet do të ulnin nivelin e baticave dhe zbaticave. Netët në tokë do të ishin më të errëta... etj.
Në fund vinte qershia përmbi tortë: “Çfarë ndodh nëse Toka ndalon së rrotulluari”?
Hajde imagjinatë hajde. Ku të shkon mendja mor burrë i dheut. Femër ma ke të shkretën.
Dha vijon komenti hipotetik: NASA beson se atmosfera do të shpërbëhej dhe do të...
Ohu, ç’ia ke ngenë!
Por edhe pse kërkova me search askund nuk gjeta fjala vjen: Çfarë i ndodh Shqipërisë po t’i ulej automati e nuk do të merrte më internet?
Ruajna Zot! Kjo as është parë e as është dëgjuar. Je në metro ti?
Por unë them, - jo NASA sigurisht, - se atëherë me siguri njerëzit do të ishin më njerëzorë, do të ishin më të ngrohtë me njëri-tjetrin, do detyroheshin të takoheshin e të shihnin në sy, të dërgonin letra dashurie të shkruara me laps plumbi, t’i fishkëllenin dashnores me sinjale të njohura huazuar nga ndonjë këngë ritmike, madje mund ta thërrisnin shoku-shokun nga ballkoni:
-O Vasooooo... Kanë ardhur ata të xhamllikut të bëjmë një katërshe me porta të vogla. 100 lek dora.
Atëherë do vinte çdo vinte. Se që Toka do shpërbëhet një ditë, atë e di dhe bufi. Por që të mos ketë internet nuk ka buf që mund ta marrë me mend. Dhe pastaj, ç’është ky muhabet; pse duhet luajtur me porta të vogla, kur shkarkon një alamet loje dhe luan nga playstation-i me fanellat e kujt klubi të ta dojë zemra.
Po çfarë të mirash të tjera do të kishim nëse do të na fikej kandili i internetit? Kjo është edhe më hipotetike se sa mungesa e Hënës në sistemin tonë diellor.
Kryesorja është se do fitonim kohë, atë kohë që e humbasim për të parë numrin e like-ve kur marrim për postimet që bëjmë, duke deshifruar dhe emrat e gishtngritësve. Dhe kjo është shumë e rëndësishme, pasi çlirohemi nga një barrë e kotë, po aq sa sikur të të heqin taksat që t’i rrasin te fatura e ujit.
Mbase do thotë ndonjë prej jush se e kam personale e po pëlcas nga zilia. Po ore... edhe personale e kam. Se në këtë pikë ma marrin të gjithë. Mesatarja e shkrimeve të mija, kur i postoj është 30 like. Mesatarja e një pjate tortelini që e hedh një femër, e cila tek kategoria “about” shkruan: “person publik”, është 300 like e kacafiu... Dhe nuk po flasim për instagramin babe. Se aty merr dhenë...
Prit more djalë ta shkoqisim këtë punë. Nuk bëhet me inate personale kjo punë.
Ç’është kjo xhelozi publike? Si nuk e kisha kuptuar më parë? Po, po. Njeriu është pus i thellë dhe veten nuk e njeh dot kurrë.
-Na kënaqin ato shkrimet e tua kur i lexojmë, - më ishte shprehur në shumës një ditë, një dashamir, a thua se shkrimet e mija lexoheshin në mënyrë kolektive si dikur gazeta “Zëri i Popullit”. Ç’është e vërteta mua m’u bë qejfi, e veshët m’u rritën sa të Pinokut që deshi na u bë gomar. Po kur u ankova se feedback-u në facebook nuk ishte dhe aq i kënaqshëm dhe kjo ma ulte nivelin e entuziazmit, tjetri ia pat:
-Aman o po kush ka nge të lexojë shkrimet e tua!
Domethënë...
Nuk isha demoralizuar, isha xhindosur.
Më parë se kaq isha xhelozuar pa fund kur nja dy “persone publike”, për çdo bluzë të re që postonin, edhe pse e kishin blerë të “gabi” merrnin aq like sa unë s’i merrja për një vit të tërë duke ekspozuar herë kopertinat e librave, herë shkrimet dhe herë fotografitë e mija ku pozoja si kapadai, apo thënë ndryshe... si gjeli majë plehut.
Ore, femrave nuk ua marr dot unë, e di që e kam të humbur davanë, por për djall edhe turli meshkujsh që postojnë timonët e makinave, ma marrin në kthesë.
Jo... nuk i kam mirë punët kështu.
A ia vlen të xhelozohesh?
Ndonjëherë të vjen të plasësh, por meqë thonë se uthulla e fortë e prish enën e vet, nisa të bëja gjënë tjetër, të numëroja deri në 100. Andej nga 70 nisja të qetësohesha. Te 90 nisja të qeshja dhe kur binte gongu tek 100 më dukej vetja edhe më idiot. Kësaj i thonë të luftoj me mullinjtë e erës.
Ndaj jam me shpresën e ndërkombëtarëve të cilët edhe pse bëjnë sikur na ndihmojnë nuk është se na kanë fort me sy të mirë. Prandaj dua t’u nis një apel me portavoç: “Vini dorë e na i hiqni këto rrjetet sociale se na morën në qafë. Lërini zgjedhjet se ato nuk i prishin punë njeriu, aman na bllokoni internetin se u çmendëm”!
Ata po e kanë më të lehtë të na e heqin fishën, po aq sa dhe të anulojnë kalimin pa viza për në botën e lirë, e të na lënë të notojmë në gjolin tonë.

No comments:

Post a Comment