Shqiptarët janë bërë
keq. Po jetojnë ditë stresante. Dhe kjo nuk vjen nga pandemia dhe ora policore.
As nga dimri me të ftohtin polar. Tjetërkund rreh çekani.
Nuk gjejnë dot nuse.
Kërkojnë ndihmën e masmedias,
një herë të gazetave e më pas të televizioneve.
Një mëngjes, sapo
nisa të informohesha se çfarë mund të kishte ndodhur natën, - se atëherë bëhet
ndonjë vrasje me silenciator, - më bllokojnë sytë një lajm që zë gjithë faqen e
ekranit. "Nis rrugën çifti i parë i lidhur gjatë emisionit..."
-Hajd për hajër na
qoftë, me trashëgime!
Algoritmi tregonte se
ai ishte dhe lajmi më i lexuar, përderisa më preu dhe rrugën e informacionit. E
mbylla ekranin. Dukej që nuk kishte pasur zhvillime të kronikës së zezë. Se dy
janë lajmet që lexohen më shumë këto kohë, ose ai i vrasjeve te dera e shtëpisë,
ose ai i shprehjes së dashurisë në mënyrë televizive.
-Eh si vijnë kohët.
Ndonjëherë më duket
vetja burrë zamani që nusen e gjeta me forcat e mija e s'ju luta kujt për
ndihmë. Se në kohën tonë, shprehja më në modë ishte: Duhet të prishësh një palë
këpucë që të gjesh një nuse. E sipas kësaj teorie preferova të prishja këpucët,
madje edhe një palë sandale, por të mos shkoja në atë farë derexheje sa të
mbesja në ditë të hallit e të lëshoja britma ndihme, si ata që futen në det e
nuk dinë not. Se pastaj njerëzia do të ma kujtonte edhe pas 20 a 30 vitesh.
-Të bëmë me nuse
qerrata, se as për kaq gjë nuk ishe i zoti.
Tobekstrakfrullah!
Mirëpo ujërat
rrjedhin. Dhe shyqyr që rrjedhin se do ishin qelbur fare. Tani nuk e ka për gjë
njeri të kërkojë ndihmë.
Fillimisht u krijuan
rubrika të veçanta ku kërkoheshin njohje e lidhje dashurore. Ca vite më parë
shqiptarët u fiksuan tek gazetat në rubrikën “djemtë kërkojnë vajza” dhe “vajzat
kërkojnë djem”.
Plasi gallata.
Lexoheshin aty-këtu
thagma të tipit: Të pres te 15-katëshi me një banane në dorë.
Ja ky ishte një
lajtmotiv për jetën.
Pastaj kërkesat u
zhvendosën në një emision mëngjesi televiziv. Se ekrani ka tjetër atraksion.
Asgjë nuk ndryshoi nga kërkesat dhe haberet për takime intime.
-Të pres te
Skënderbeu. Në dorë do mbaj një karafil.
Jallah... Pika që
s’të bie! Alamet burri me karafil në dorë. Epo, do jesh karafil edhe nga
mendja. Se italianët që ne i njohim për shumë të kulturuar, karafilat i
përdorin tek kurorat për në varreza. E zakonisht për çështje të zemrës mbahen
trëndafila në dorë.
-Opo pa gjë mos
mbesësh, pa si karafil si trëndafil, lule janë tek e fundit.
Epo si u bënë kështu
këta shqiptarët. As një nuse nuk gjejnë dot vetë, po duan ndihmë nga të tjerët?!
Nëpër kronikat e
kohës shqiptarët e dikurshëm kanë bërë namin. Në mesjetë Tanushi e rrëmbeu
pinjollen e Anzhuinëve, dhe nuk pyeti në plaste lufta, po ashtu si në Trojën
antike. Se grekët na mbytën me historinë e Helenës së tyre me Paridin. Mirëpo
po aq mbresëlënëse ishte historia e kontit nga Durrësi, Tanush Topiajt dhe
Helena Azhusë, që ishte vajza e Robertit, mbret i Napolit.
Pastaj shqiptarët
kudo ku kanë vajtur nëpër botë, e kanë sjellë me vete nga një nuse. Erdhën në tokën e shqiponjave nuse ruse e
rumune, greke e italiane... Për kineze nuk kemi të dhëna, por me sa duket nuk
donin kinezkat të vinin në Shqipëri. Çështje klime me siguri.
Dhe kanë lënë nam
shqiptarët më të vjetër nëpër botë, me rrëmbime grash dhe mbushje mendje në
mënyrë spektakolare.
Meshkujt modernë janë
ndryshe. Ata shohin përgjigjet te rubrika mos u ka dal fati. Të njëjtën gjë
bëjnë dhe femrat sigurisht. Se është bërë keq edhe për burrë, jo vetëm për
nuse.
Nejse... vajti dhe
kjo punë. Ishte kohë amatorizmash. E meqë ujërat rrjedhin, në vazhdimësi iku
dhe moda e gazetave ku lihej gjysma e parë e numrit të telefonit. Për më tej
takimi në redaksi.
Sot lidhjet bëhen të
hapura. Sepse tani është sofistikuar gjithçka. Ka emisione televizive or të
keqen, që të propozojnë nuse me katalog. Si ma do, të gjerë a të gjatë, brune a
bionde... me lesh a pa lesh... Ndoshta ka të bëjë me emancipimin. Por këtu nuk
jam kondra unë. Sepse tek e fundit humbi dhe nocioni aq romantik “gjiri i
kurvave”, ku për të bërë seks larg syve të botës ishte zgjedhur pika ekstreme e
Parkut të Liqenit Artificial. Tanimë seks mundësisht duhet bërë te lentja e
kamerave që ta marrë vesh dynjaja se emisioni e realizoi misionin bamirës.
Por, ky brezi i
tanishëm e paska keq. Nuk gjen dot nuse për qamet. Shqiptarëve të sotëm u është
holluar gjaku fare.
Mirë që ka dalë High
Tech. Emisionet kanë startuar në rivalitet me njëri-tjetrin.
- O të bëj me nuse
unë ty, o pëllcas.
Epo... pushka top t’u
bëftë!