Shqiptarët, në
tërësinë e tyre kanë vetëm një festë që i bashkon të gjithë, aq sa i bën
xurxull e nuk dalin tre ditë nga shtëpia. Prandaj ata nuk i falen “Babbo
Natale”-s, por Babagjyshit të Vitit të Ri. Dhe i luten që përveç ndonjë qeni me
lesh a pellush, t’u sjellë dhe plot të mira të tjera, qoftë dhe një qen prej
vërteti brenda pakos së dhuratave.
Dhe pas kësaj jemi
mësuar ta nisim vitin me urimin klishe: "Qoftë një vit i mbarë!”. Me sa
duket kjo do të thotë se ai që lamë nga pas nuk ishte dhe aq i mbarë. “Shëndet,
begati e prosperitet". Kryekëput slogan. Këto sentenca njerëzit i kanë të
regjistruara në kokë si në një disk platini dhe i përsërisin papushim gjatë
gjithë kohës. Le më kur vazhdon ca me zhargon: “shnet e pare”.
Posi..., ja aty po
pret banka, me kartëmonedhat e reja fringo, të na japë nga një dorë në malore
meqë karburanti ka shkuar te pulla e kuqe e nuk tërheq fort.
Që ta nisim mbarë, e
ta ulim ca mllefin... Nuk është se kam ndonjë inat personal me përmbajtjen e
këtyre urimeve, sepse në thelb qëndrojnë. Dhe meqenëse s’mund t’i thuash dot
“plaç” një njeriu që teshtin, duhet t’i thuash të paktën “shëndet”. Ndaj urimet
për begati e para me shumicë do të jenë ngahera.
Por, në këto vite të
këtij mijëvjeçari, i cili na ka futur në një dimension të ri jete, urimi
kthehet me kokë poshtë, për t’ianë lë vendin një tjetri, që në fakt është i
fort i shëmtuar për t’u thënë.
-"Të rroftë
kollarja"... benzi GL Class... çanta Guçi, veshja Versaçe... dhe vila në
zonën rezidenciale me njerëz security-je pa kobure por ambient të vrojtuar prej
kamerave HD...
Dhe meqë Viti i Ri ka
hyrë tashmë, urimi fillestar që më erdhi ndër dhëmbë nga pështirosja që m’u
nakatos që prej mëngjesit të parë kur dola në rrugë, ishte: "O Zot, na
sill një vit më të pastër, pa përmjerjen kolektive në rrugë, shfryrjen e
hundëve si skrapamento makine, pastrim të gurmazit duke gërryer tubin ezofagial
sikur po pastron tubin e oxhakut,
pështytje masive në tokë dhe hedhjen e pecetave higjienike vend e pa vend”.
Domethënë,
babagjyshit të Vitit të Ri nuk është se duhet me i kërku gjithmonë pare: marka,
dollarë e lireta, si në tregun exchange.
Sepse për djall,
njeriu si qenie humane kërkon te jetë dhe qenie sociale, pra shoqërore. E si e
tillë duhet të përshtatet e të jetojë në komunitet. Pra të ketë pranë vetes ca
njerëz të tjerë. Por djall o punë kur nuk ia ke haberin asnjë prej rregullave
të përbashkëta të edukatës qytetare. Kjo lëndë, bëhet që në shkollën fillore
ndaj psikologët thonë se bazat e saj po t’u ngulën në mendje nuk të shqiten më.
Nëse ti nuk arrin t’i zbatosh, apo më keq i shkel me të dyja këmbët, dy janë
mundësitë: ose ke qenë ca pa qejf e s’ke shkuar në mësim ato ditë, ose me gjasa
nuk ke shkuar fare në shkollë e s’ka pas kush të t’i mësojë as në shtëpi. Treni
ka ikur dhe s’të bën punë as të hipësh tek vagoni i fundit i mallrave. Kështu
që ke mbetur i mangët nga kjo anë.
Tirana është një
qytet ku një herë e një kohë, - qoftë dhe për shkak të një ditë të diel kur
gratë dilnin e pastronin territorin, - dukej një vend për të qenë, i pastër, e
për më tepër pa mbetje organike. Sot në çdo hap që hedh, duhet të matesh mirë e
t’i bësh sytë katër, sepse jo rrallë do ndeshësh e do të shkelësh me këpucët e
sapoblera e llustrafinë, të pëgërat e qenve.
Të dhjefsha Tiranën!
“Ma mirë në pyll se n’qytet”... – thonë këndej nga Shqipëria e Mesme.
Nëpër rrugët e
kryeqytetit sot sheh djem me veshje sportive, nga dy metra të gjatë e gjithë
muskuj, por dhe plot gra bukuroshe e të
kuruara deri në detaj me kremra të që ta bëjnë surratin tas, që ankthin e tyre
më të madh e kanë tek çlirimi i zorrës së trashë të qenit. “Të keqen mami... “
Ndaj nuk pyesin se ku ndodh kjo performancë disgustoze, në bythën e ndonjë peme
apo tek rrotat e ndonjë makine. Mjaft që qeni të lirohet e bashkë me të të
çlirohet dhe i zoti.... se po plasnin që të dy.
Po mirë e kanë tek e
fundit: Qeni është kafshë besnike. Se mos njerëzit janë më të mirë. Edhe ata do
ta bënin në çdo cep pallati po t’u jepej mundësia. Por nuk i lënë kamerat, që
sot i gjen të instaluara ngado.
Në këtë mënyrë ne të
gjithë, kontribuojmë në mënyrë masive për ta ndotur sa më shumë këtë qytet.
Nuk është vetëm
karburanti e gazrat që emetohen në hapësirë. Janë dhe mbetjet ushqimore
trupore. Përroi i vogël i Lanës, që kalon mespërmes kryeqytetit është i
pafuqishëm të marrë me vete mbetjet e një milion njerëzve dhe të nja 500 mijë
qenve. Ndaj vetëm ndonjë rrebesh mund të bëjë ndonjë derman e ta shpëlajë ca
atë që ka ardhur nga zbatueshmëria e shprehjes aq romantike: U bë muti kala.
Ndaj lutja që i bëhet
babagjyshit thellohet në brazdë: O Zot, mos na e ndaj shiun mëngjes, drekë,
darkë. I bën mirë bujqësisë, nëpër arat e pluguara, por i bën mirë dhe asfaltit
e pllakave mbi trotuar se i shpëlan. I lemë për vitin tjetër qentë e leshit e të
pellushit...
Dhe kështu vendin e
Covidit, të Deltës e Omikronit me gjasa do ta zërë përsëri kolera. Ajo do të rikthehet
në vazhdimësi, për të na kujtuar se të jetosh me mbetjet organike nëpër brazdat
e këpucëve, e të shkelësh me to kudo, do të kesh edhe një kosto medoemos. Ndaj
përsëri do fillojë avazi i spërkatjes me klor e gëlqere, për të mbuluar me sa
mundet zhulin e llumin që e bëjmë bashkë të gjithë ne.
No comments:
Post a Comment