Wednesday, July 13, 2022

Nga Tirana në Amerikë me një avion britanik

 Shënime udhëtimi
 

Nga Leonard Veizi
 
Në konceptin tërësor, - pa iu referuar rasteve të veçanta, - të gjithë duan të shkojnë në Amerikë. Ca për të punuar e për të rregulluar jetën e tyre, sepse ai është vendi ku bëhen para, - e plot të tjerë për turizëm, - sepse edhe një vend pa histori të lashtë e sërish ke çfarë të shikosh. Tanimë, shumë e shumë shqiptarë e kanë dikë që i pret përtej oqeanit ndaj kërkojnë të shuajnë kureshtjen për “Eldoradon” të cilën e njohin më së shumti nga ekrani i televizorit me filmat “uestern”. Si ke aplikuar në ambasadë dhe je pajisur me një vizë, merr rrugën për në kontinentin e largët. Në udhëtimin e përgjithshëm, - në mungesë të një linje të drejtpërdrejtë, - do të të duhet të shpenzosh të paktën 16 orë kohë nga jeta jote. Por duke qenë se një kohë shumë herë më të madhe njerëzit e kalojnë krejtësisht kot, 16 orë janë të papërfillshme...
 ...Nëse merr udhëtimin me avion e ngrihesh nga toka 3000, 8000 por dhe 11 mijë metra mbi nivelin e detit, - ku asgjë nuk sheh se je mbi re, - ke mbetur veç në dorë të Zotit, dhe të pilotit sigurisht. Por sipas statistikave, udhëtimet me avion janë ku e ku më të sigurta se sa kur merr rrugën me makinë në autostradë dhe je vetëm 30-40 centimetra më sipër nga toka.
 
Në Rinas
Nëse ke zbritur në aeroporte të tjera të botës, padyshim do të bësh dallimin mes një aeroporti si ai i Rinasit, madje dhe i Prishtinës, - pa e klasifikuar fare atë të Kukësit, - që për të thënë të vërtetën janë aeroporte të vegjël, ose më mirë të themi: modest. Hyn nga para del nga prapa. Por me terminale gjigante si ai i Mynihut, Stambollit, apo i Parisit nuk bëhet shaka. Dhe mund të humbasësh po s’e pate mendjen.
Në Rinas procedurat e kalimit të kufirit janë standarde, gjithsesi ato nuk të vonojnë, pasi aeroporti me emrin e madh “Nënë Tereza” ka gjithsej 6 “gate” apo porta dalëse, të cilat e bëjnë më të lehtë organizimin e fluturimeve në kohë. Sapo avioni merr lartësi stjuartët të instruktojnë se si duhet të veprosh në rast rreziku. Pra, nëse avioni merr ndonjë goditje të papritur e nuk ke ku mbahesh. Procedurë e zakonshme standarde deri në mërziti. Nga sipër mund të shohësh relievin e vendit tënd, për aq sa mundesh, një pjesë nga treva e Tiranës, por dhe bregdetin, plazhin e Durrësit, Portin, si dhe vetë qyteti dallohen mjaft qartë. Udhëtimi nuk është i shkurtër, si të shkosh në Fjumiçinon e Romës apo Venizellosin e Athinës, por të kërkon gati dyfishin e kohës për të mbërritur në Heathrow të Londrës, si pika tranzite ku duhet të ndërrosh avion.
Në fluturimet brenda kontinentit, prej vitesh bordi nuk të ofron më një drekë të bollshme si një herë e një kohë, por gjëra të vogla sa për t’u eglendisur. Në rastin konkret një pako patatina dhe një bidon uji.
-Fushatë kursimesh vëlla. Se ne kujtonim se këto ishin shpikjet e Enverit. Edhe në Perëndim kursehet. Duhet të shtrëngosh rripin e barkut. Jo për gjë por tualetet e avionit nuk të bëjnë derman.
Meqenëse këta avionë nuk kanë mundësi të tjera argëtimi, - jo ndonjë koncert rroku, kuptohet, - o duhet të dremitësh ose do të gjesh ndonjë lojë në celular. Sepse edhe pse ka një sinjal që të paralajmëron për internet në bord, nuk ke akses ta përdorësh atë.
Por sot pasagjerët nuk mund të thuash se janë aq modestë sa 30-40 vite më parë, sepse statistikat tregojnë se një shumicë njerëzish udhëtojnë disa herë në vit. Dhe kjo i bën ata pasagjerë të kualifikuar. E megjithatë kjo nuk do të thotë domosdoshmërish se meqë di të lexosh tabelat saktësisht dhe nuk e humbet orientimin, në një tranzit të shkurtër të mos e humbasësh avionin. Jo çdo gjë është në dorën tënde. Ti shpejton të gjesh Terminalin dhe Gate-n, por të duhet të hipësh edhe në autobus, edhe në tren, sepse aeroportet ndërkombëtarë janë sa një qytet. Kjo do të të vonojë ca dhe humbjet e fluturimeve tashmë janë kthyer në trend. Kështu që do të të duhet të marrësh avionin e radhës. Mund të vonohesh 2 orë në rastin më të mirë, por dhe 24 orë në shumë raste të tjera.
-Hajde për të mira e në gëzime!
Në fakt unë jam një pasagjer modest, por që gjithsesi orientohem aq sa për të lexuar tabelën elektronike të udhëtimeve e të gjej portën time të hyrjes. Me një bindje të tillë mora rrugën për në Amerikë. E megjithatë nuk isha përplasur me një aeroport si ai Heathrow i Londrës.
Avioni  i linjës British Airways, nga Tirana në Londër dhe anasjelltas, është një Airbus A321 reaktiv me rreze të mesme, me dy motorë që transporton 185 deri në 236 pasagjerë.
Në faqen e internetit kompania të sqaron se distanca prej 1898 kilometrash bëhet në një periudhë kohore prej 3 orë e 5 minuta, ku fluturohet me një shpejtësi prej 666 kilometra në orë. Numri i djallit, për djall. Dhe kështu ke mbërritur në aeroportin Heathrow të Londrës.
 
Në Heathrow
I bukur, i organizuar, me një “duty free” të pasur ku mund të gjesh dhe qumësht dallëndysheje, - por me një çmim më të kripur. - Aeroporti i Londrës të duket si një çudi më vete. Edhe për shkak të një greve të një pjese të personelit, që s’u mor vesh mirë si qysh e tek, shumë pasagjerë humbnin udhëtimet e tyre. Radha për të konfirmuar biletat ishte një tmerr. Dhe për çudi nuk ecte fare. 90 përqind e personelit kishin mbërritur nga India. Domosdo, përderisa ka qenë pjesë e Komunuelthit, i kanë dhe ata ca të drejta nga Buckingham Palace...
Por gjende mirë. U rregulluam me një fluturim që duhet të nisej një orë më pas, por që pas dy njoftimeve për shtyrje të orarit u nis dy orë më pas.
-Bir Selman i nënës... Epo i ka këto tranziti. Merre me zbritje... i dhashë kurajë vetes. Tek e fundit unë turist isha. Pasha, e shapkën mbi sy.
Meqë je pasagjer që udhëton për në Amerikë, formalitetet të bëhen edhe një herë, por kësaj radhe jo vetëm duhet të heqësh hekurishtet që ke në dorë, - ndonjë orë a byzylyk sermi jarebi, - por duhet të zbathësh edhe këpucët, gjë që nuk ndodhi në Rinas.
-Po brekët vëlla... do na i hiqni gjë?
Nuk vajti puna deri aty. Pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 mbi kullat binjake masat e sigurisë janë përforcuar së tepërmi. Ka 20 vjet që skanohesh nga para e nga prapa. Prandaj bëje mirë hesapin para se të hipësh në avion.
Në përfundim, ne që kalonim të kaptonim Atlantikun na hipën në një Boeing 777. Siguri e lartë demek. Avioni ishte gjigant e komod. Që të gjesh vendin tënd në “economy class”, - se aq para ke pasur në kuletë, - fillimisht duhet të kalosh përmes “business class”. Qejf o qejf! Megjithëse avioni donte dhe 30 minuta të ngrihej, ata të cilët i kishin xhepat me “argumenta të forta” dhe ishin rehatuar në sediljet e para, mbanin në dorë nga një gotë shampanje, me të cilën bordi u uronte mirëseardhjen. Për të tjerët... shyqyr që shpëtuam pa një shqelm në prapanicë.
-Ca të nënës e ca të njerkës... Edhe pse bileta nuk ishte fort e lirë me thënë të drejtën, qoftë dhe po të uleshe në vendin e fundit pranë WC-së.
Por, kështu e kanë këto punë.
Me të drejtë. Ca e ca marrin qetësues për të përballuar stresin, ca të tjerë ia marrin me shampanjë e uiski. Se njëlloj shkon në fund. Stjuardesat servirnin gjithë delikatesë.
-Kur do nisemi vëlla se na zuri nata...
Ehu... Dikur avionët mbaheshin se ishin korrekt në orar. Ka ikur ajo kohë. Por nuk është se e ka në dorë piloti këtë punë, si shoferi i autobusit tek agjencia.
-Autobusi nuk është tren, - guxon e i thotë shoferi Arsenit që priste të dilte kandidatja për nuse nga hotel turizmi i Pogradecit. Nga filmi “Të duash emrin tënd” është huazuar batuta.
-Orari i nisjes është njëlloj për të dy, - ia kthen pasagjeri Arsen, sepse ende nuk kishte siguruar... atë që duhej siguruar.
Është kulla ajo që ul e ngre me përpikëri avionët që përbëjnë shumësinë e trafikut ajror, i cili vitet e fundit është shtuar aq shumë sa nuk dihet me saktësi bilanci i atyre që përdorin makinat në tokë përballë atyre që fluturojnë në ajër.
Nga dritarja e avionit që dergjej në pistë dhe vetëm vonohej, shihja me zili avionët e tjerë që ngriheshin njëri pas tjetrit, me një avancë të shkurtër kohore. Ndoshta vetëm 1 apo 2 minuta.
-Kemi rrugë të gjatë xhan i vëllait. Sikur t’i jepje ca levës...
Dikur avioni ngrihet. I rëndë e me shpejtësi marramendëse. Makinat dhe godinat poshtë barkut të tij u zvogëluan me shpejtësi dhe vetëm në pak minuta humbi kontakti me tokën, sepse në mes ishin futur retë.
Në vetvete, udhëtimi me avion është i mërzitshëm dhe bukurinë e ka vetëm gjatë uljes dhe ngritjes. Sa për udhëtimin mbi oqean, që të kushton nja 6-të orë të mira, nuk të ofrohet gjë tjetër veç një panoramë të bardhë. Ndaj sapo avioni shtrohet e duket sikur nuk lëviz, pasagjerët i futen me kokë ushqimit të paketuar që ta sjellin te hunda.
Nga Londra ngritja u bë me një mot të mugët por mbi re dielli shkëlqente.
Në lartësinë prej 11 mijë metrash, boeing fluturonte me një shpejtësi që i kalonte 1000 kilometrat në orë. Poshtë dukej një shtrat gjigant prej pambuku.
 
Në avion
Destinacioni i Boeing 777 që çohet nga terminali 5 i Heathrow është terminali 7 në John F. Kennedy, të Nju Jorkut. Ka një diferencë kohore 8 orë e 5 minuta midis aeroporteve. Dhe distanca e fluturimit është 5536 km. Avioni oqeanik me rreze të gjatë mban deri në 360 vende një kapacitet mallrash prej 28 ton dhe mund të jetë autonom në një distancë deri në 15,840 kilometra.
Në një udhëtim të gjatë, duhet të menaxhosh kohën tënde. Ose do të shohësh filma në monitor, ose do të luash me celularin tënd. Unë e kam me të thjeshtë sepse mendoj të mbaj ca shënime me të cilat të mund të shkruaj përshtypjet e udhëtimit.
Ndërkohë kam shkarkuar faqe nga interneti të cilat kam kohë të mjaftueshme për t’i shqyrtuar me vëmendje. Kur vjen fjala për udhëtimet ajrore informacionet vërshojnë lumë. Aty informohem se rreth 25 për qind e popullsisë së përgjithshme botërore vuan nga aerofobia, ose thënë ndryshe frika nga fluturimet. Por statistika na vënë në dijeni se avioni është mjeti më i sigurt i transportit…
Por çfarë thonë tjetër këto statistika? Po ua përmbledh me pak fjalë:
Në botë ka mbi 50 mijë rrugë ajrore në të cilat kryhen mbi 100 mijë fluturime çdo ditë. Në vitin 2021, për shkak të pandemisë së koronavirusit, numri i vlerësuar i pasagjerëve që preferuan të lëviznin me linja ajrore arriti në pak më shumë se 2.2 miliardë njerëz. Kjo përfaqëson një humbje prej 50 për qind në trafikun global të pasagjerëve ajror krahasuar me vitin 2019. Sepse sipas përmbledhjes paraprake të statistikave vjetore globale, numri i përgjithshëm i pasagjerëve në 2019 ishte në kuotën 4.5 miliardë. Sipas këtyre të dhënave i bie që çdo ditë të udhëtojnë të paktën 12 milion pasagjerë në rrugë ajrore.
Gërmoj më tej në faqe. Gjej një thënie të Arnold Barnett, profesor statistikash në “MIT” të Bostonit. Në vitin 2013 kur ai kishte bërë publike një material të tij, kishte konkluduar se rreziku i vdekjes për pasagjerët e linjave ajrore civile është 1 në 45 milionë fluturime. Ndërsa sipas “New York Times”, një udhëtar mund të fluturojë përditë për 123 mijë vjet dhe të jetë sërish i sigurt.
Shtrihem në ndenjësen time të marr një sy gjumë, pasi u sigurova që do të mbërrija gjallë deri në Nju Jork. Tjetër gjë se atje më priste një oficer emigracioni, dhe hyrja ime në tokën amerikane varej prej tij dhe askujt tjetër.
 
Teoria e Relativitetit
Koha është e ndryshme për vëzhgues të ndryshëm. Kjo është dhe baza e teorisë së relativitetit.
Duke udhëtuar m’u kujtua teoria e relativitetit e Ainshtajnit dhe formula e famshme e ekuivalencës masë-energji “E = mc2”. Këtë formulë, që është cilësuar si “ekuacioni më i famshëm në botë” çuditërisht e kam mbajtur mend gjithmonë edhe pse asnjëherë s’e kam kuptuar thellësisht, përveç gjërave elementare të teorisë së relativitetit.
Ajnshtajni konstatoi se një ngjarje nuk ndodhte njëkohësisht dhe në të njëjtën kohë për vrojtuesin dhe për pjesëmarrësin e saj direkt. P.sh., për vrojtuesin i cili e shikon aeroplanin nga toka si dhe për pilotin e aeroplanit koha nuk rrjedh njëjtë. Për pasojë dhe koha e pasagjerit. Pra koha ime.
Epo kjo, thashë me vete.
Të të kujtohet një teori shkencore në 11 mijë metra lartësi, në të njëjtën kohë kur pasagjerët e tjerë po mundoheshin ta bënin sa më të lehtë udhëtimin duke parë... filma me kartona.
 
JFK
Rrotat e avionit kanë prekur tokën amerikane por do duhej dhe nja 15-20 minuta ecje nëpër pistë derisa ai të mbërrinte në terminalin 7, atje ku zbarkojnë avionët British të Londrës. Një pjesë e terminalit 7 të Nju Jorku dukej si Hani i Stavros, por me porta. Edhe për freskim kishin vendosur ca ventilatorë të vjetër. Krahasimisht me Hithroun që shkëlqente, kjo pjesë e terminalit dukej më i vjetër. Gjithsesi ky ishte vetëm një segment, sepse pjesa e parë e tij, nga hyrja, gjithçka fliste për një terminal elegant e aspak konfuz.
Para se të kalosh kufirin, e të quhet se ke hyrë në New York City, i nënshtrohesh edhe një skanimi tjetër. Nuk është e lehtë të futesh në Shtetet e Bashkuara. Mund t’ia dalin ata që zvarriten në kufi me Meksikën, por jo ata që zbresin nga shkallët e avionit. Të verifikohen sytë dhe gjurmët e gishtërinjve. Dhe nëse e sheh të arsyeshme oficeri i emigracionit të bën pyetje shtesë aq sa e mendon ai. Nëse nuk bindet, të kalojnë në një dhomë tjetër ku verifikohet gjithçka. Cili është qëllimi i vizitës tënde në Shtetet e Bashkuara.
Me një autoritet të pavarur oficeri kufitar mund të të kthejë pas. Dhe të jesh i bindur se nuk do t’i telefonojë shefi për t’i thënë nën zë: Kaloje pak se e kam mik. Veç në i thotë ndonjë fjalë në vesh Perëndia.
 
Në kthim
Kthimi për në Tiranë, ku sërish Londra është në mes si tranzitore, udhëtimi duket më i lehtë. Distanca prej 5554 kilometrash përshkohet për 6 orë. Por nëse 6 orë janë në ajër duhet thënë se gjatë ngritjes dhe uljes, avioni rrotullohet nëpër pistë për rreth një orë.
Pra nga 30 minuta për aeroport.
Udhëtimi të merr një kohë të konsiderueshme, sepse fillimisht 2 orë para duhet të jesh në aeroport, 3 orë udhëtimi i përkasin Tiranë- Londër, 2 orë janë tranzit, 8 orë Londër-Nju Jork. Të paktën 1 orë për të kaluar pikën e kufirit..., është e barabartë me 16 orë. Nuk është pak, por gjithsesi është një pikë në oqeanin e ditëve të tua.
 

No comments:

Post a Comment