Putini e ka bërë
Evropën të flasë me vete. Jo se do fillojë luftën bërthamore, por se ka mbyllur
rubinetin e gazit. Dhe kjo ka sjellë frikë sa s’thuhet. Por ka sjellë dhe një
hare të madhe mes njerëzish. Dhe hareja njerëzore vjen nga budallallëku
njerëzor.
Ajnshtanji thoshte:
Vetëm dy gjëra janë të pa kufij, universi dhe budallallëku njerëzor...
Nëse një anëtare e kabinetit
të një shteti jo fort të zhvilluar ballkanik siç është Shqipëria tha se për të
kursyer energjinë rrobat duhen larë me 30 gradë, një homologe e një shteti të
zhvilluar si Zvicra shkoi edhe më tej duke rrëmbyer stafetën. Edhe kur flitet
për krizë, që nuk vjen nga ne por është e importuar, duket më e lehtë çështja.
Në këtë pikë, budallallëkut tonë, na i erdhi në ndihmë edhe një budallallëk i
importuar. Dhe kur na vijnë nga importi ne na pëlqen sepse përsëri konsiderohet
mall i huaj, nga jashtë shtetit. “Made in Europa”.
Parë nga ky
këndvështrim Zvicra mori mjaft pikë të vlefshme duke na spostuar në
budallallëkun ku kemi rënë. Sepse mendonim që vetëm ministret tona thoshin
thagma. Ndërkohë që zvicerania ia dha pallmës: lahuni bashkë që të kurseni
energjinë.
-Ku Sotiri e ku
Shekspiri, - do të thoshte kunata e shokut Apostol tek filmi “Edhe kështu edhe
ashtu”.
Që e ardhur në
kontekst do të thotë: Ku lavatriçja me rroba të palara e ku larja masive nëpër
dushe.
Të kuptohemi drejtë,
nuk besoj se e ka pasur idenë që të lahemi me komshinjtë, por ja ashtu si
familje, të gjithë në një vaskë, me djalë e me nuse, me nipër e me mbesa.
Mirëpo nuk do të
thotë që në emër të kursimit të energjisë të dëgjojmë gjithfarë thagmash, ca
perverse e ca gjysmë të tilla.
Se dhe në diktaturë,
ku kishim dushe me vajguri, e të sajuara vetë, dhe ujin me orar, laheshim një e
nga një. Partia nuk nxori asnjë qarkore për larje me tufa. Nëse donte të
kursente energjinë, thjesht ulte çelësin e të linte në errësirë ashtu
gollomesh. Por që të laheshim në masivitet, këtu na i ruajtën nderin dhe
namuzin.
Çështja është te
mungesa e energjisë në netët e mëtejshme. Vera e nxehtë dhe me ditët e gjata
shtyhet, lahesh edhe me ujë të ftohtë dhe kalit trupin, por dimri është i
vështirë pa ngrohje.
-Të kishte bërë një
banjë. Të shkoj ta ndez dushin?
-Pse mos mbaj gjë era
vathë?
Sentenca e shkëputur
nga filmi “Dritat e qytezës” m’u kujtua teksa lexoja gjithfarë komentesh rreth
mungesës së ardhshme të energjisë dhe këshillave të njerëzve me pushtet që më
dilnin para syve çdo çast. Demek, asokohe të luteshin të bëje dush. Tani të
kërcënohen: ndize po ta mbajti!
O ju shpëlaftë...
Putini po e bën
Evropën, të dalë nga vetja e të flasë budallallëqe me okë. Përditë burra shteti
dhe gra shteti, japin konsulta falas se si mund të kursehet energjia.
-Fikni kondicionerët
e bëni dashuri që të nxeheni!
Ja një këshillë që ia
vlen. Mirë ata që ia dalin se u punon pompa, po ata që s’ia dalin dot... si i
bëhet? Apo të kallkanosen nga temperaturat minus?!
Flisni jerm, flisni!
Dimri s’ka filluar
ende, por këshillat po vazhdojnë bashkë me thagmat që e ngrenë stekën çdo ditë.
E gjithë kjo fushatë bëhet që nesër të mos thotë njeri: s’dinim gjë.
Ne si shqiptarë i
thërrasim kujtesës dhe dimë ta shtyjmë me pako gjë. Po si do t’ia bëjnë ata të
Evropës Perëndimore se?
Domethënë, kur të
japin mend se rrobat duhen larë me 30 gradë, duhet marrë si komandë dhe s’ke
pse bën të zgjuarin duke kundërshtuar: jo po duhet 90 gradë se nuk ikin
njollat. Kur thuhet se dushi duhet përdorur një herë në javë, sërish mund ta
marrësh në konsideratë, sepse tek e fundit nuk po punon si shoku Salë në
sektorin e blegtorisë.
-E zeza grua thuaj,
si ia del me të larë, si e fut në dyshek...
Shumica e njerëzve
sot punojnë përballë një kompjuteri. Jetohet edhe po të lahesh si një herë e
një kohë. Se shumëkush nuk e ka harruar që laheshim të shtunave, ashtu si
garnizonet romake të luftës, rregull i vendosur këtu e 2000 vjet më parë.
Në fund të fundit ne
20 vjet kemi që kemi vënë kondicionerët. Se ngroheshim me shkarpa e qymyr. Edhe
furnelën e vajgurit e ndiznim në banjë për të bërë gjellën e drekës.
Pavarësisht se tani kemi soba me taç. Por po t’i thërrasim kujtesës, nisim e
bëhemi të ndërgjegjshëm se me fushata kursimesh kemi kaluar 45 vite jetë
socialiste. E ç’u bë se kursyem edhe një dimër?!
-Se nga pranvera,
thonë që do shporret dushmani. Do çlirohemi.
Dhe po u fut Ushtria
e Kuqe në kazerma, edhe Putini do lirojë dorën. Do ta hapi atë të shkretë
rubinet që ta shpëtojë Europën nga të ftohtët dhe nga budallallëku njerëzor.
Sepse njeriu, në
panik e sipër, sado i mençëm me qenë, thotë budallallëqe.
Europianët janë të
terrorizuar nga mungesa e supozuar e energjisë. Dhe s’kanë faj. Sepse
shqiptarët si mesdhetarë që janë ia hedhim paq dimrit. Por në veri të Evropës
ku ditët me diell konsiderohen si kreshme, jeta pa energji është si nata kozmike.
Ec e ec e s’ka të sosur.
Ndaj evropianët po
mundohen të nxjerrin gjithfarë mënyrash, për të shkuar te qëllimi kryesor, që
me pak energji të bëjnë një jetë të pëlqyeshme.
Mbase ia dalin?!
Mbase u bie më mirë
të kursejnë energjinë duke larë rrobat me 30 gradë e duke u larë bashkërisht në
dush, se sa të presin t’i bjerë inati Putinit.
Ore, vërtet na ka
hipur kaq shumë tangërllëku. Nuk i bëjmë dot dy ditë pa larë. Se helbete, jemi
pastërtorë të mëdhenj. Dhe na duhet ujë dhe energji pa fund. Ka edhe më thjeshtë.
Mos u lani fare more, gjithë dimrin, deri sa të dalë sythi e të vijë vera.
Ngrohuni me batanije mo se nuk u bë qameti, deri sa të dalë sythi e të hapet
koha. Se jemi mësuar me temena të mëdha këto vitet e fundit.
Thuhet se Zoti kur e
pa që njeriut i hipi vetja në qejf i futi ca ditë shi dhe e niveloi majën e
malit me ujët e detit. Inshallah nuk e kemi zemëruar aq sa t’i fusë një të
shkundur tjetër. Me sa duket këtë herë ka lënë Putinin të na trembi ca.
Si përfundim, cili
është morali i fabulës, kur një Evropë e tërë mendon se do kallkanoset nga
dimri: asgjë s’ka të bëjë me energjikë, ka të bëjë me budallallëkun.
No comments:
Post a Comment