Thursday, September 1, 2022

Në Linin e “Liqenit të Dritës”, fshati me 7 kisha dhe një xhami

Shënime udhëtimi
 


Nga Leonard Veizi
 
Nëse do të shkosh në Lin, e mirë është që destinacionin përfundimtar ta kesh aty, dhe jo si ndodh në shumicën e rasteve, kur si destinacion ke Pogradecin apo Korçën, dhe kthehesh në këtë fshat të bukur piktoresk, vetëm për një kafe a për të ngrënë një “çapë buke”. Padyshim, edhe kjo e fundit funksionon. Sepse nuk është e thënë se duhet me patjetër të qëndrosh një natë në Lin, apo më shumë se një të tillë, për të marrë të gjithë atmosferën që të dhuron ambienti në 24 orët e tij. Mjaftueshëm janë dhe disa orë, aq sa të mund të shohësh themelet e Kishës Paleokristiane të shekullit V dhe të bësh një xhiro nëpër rrugicat e fshatit, por të mos mungojë në këtë axhendë të shkurtër dhe një shëtitje me varkë në Liqenin e Ohrit i cili njihet po aq dhe si Liqeni i Pogradecit....
 
 ...Si zbret nga Qafa e Thanës, para se të hysh në rrugën piktoreske buzë liqenit që të çon në qytetin e Pogradecit, mund të marrësh në të majtë atje ku tabela të orienton: Lin.
Një rrugë e asfaltuar, por jo fort e mirëmbajtur të çon deri në hyrje të fshatit, por që më së shumti ngjan me një qytezë. Më pas rruga e brendshme që përshkon fshatin mes për mes është e shtruar me pllaka.
 

“Lindi” vs “Lyhnidas”
Etimologjia e fjalës Lin, mesa duket rrjedh nga latinishtja “Lyhnidas”. Materiale të botuara kudo i atribuojnë ushtarëve romakë të Jul Çezarit emërtimin e vendit “Lyhnidas” e që në shqip vjen si “Liqeni i Dritës”. Por ka dhe një teori tjetër që qarkullon më së shumti nga gojëdhënat e kaluara brez pas brezi, për të ardhur deri tek ne: Thuhet se dikur fshati i vjetër, që ishte në krahun tjetër të gadishullit, u përmbyt. Më pas u krijua fshati i ri për të cilin të gjithë thoshin: “Lindi fshati”. Që atëherë u quajt Lin, si shkurtim i fjalës “Lind”.
Ky fshat, që i përket komunës Udënisht të Pogradecit, është ndërtuar mbi një gadishull të vogël në brigjet perëndimore të Liqenit të Ohrit që është një vendndodhje natyrale shumë interesante, me dalje drejt e në liqen. Kur vjen puna tek terminologjia, me fjalën gadishull nënkuptojmë një rrip toke që futet në det si fjala vjen Apeninet, apo gadishullit Skandinav, ai Iberik, pse jo dhe gadishulli Ballkanik. Megjithatë jo domosdoshmërish një gadishull duhet trajtuar me përmasa gjigante. Sepse ka dhe gadishuj shumë më të vegjël, si në rastin konkret në buzën e ujit në të cilin frymon Lini.
 

Peizazhi panoramik
Nëse do të frymëzohesh për të pikturuar peizazhe dhe “natura morte”, apo kërkon qetësinë e mjaftueshme për të shkruar një roman thurur me vargje lirike, shko në Lin.
Një rrugë jo fort e ngushtë, që ndan fshatin në dy pjesë, tanimë është e shtruar me pllaka. Këpucët nuk të bëhen me baltë, dhe as shkelin mbi bajga lopësh, siç mund të mendohet rëndom se ndodh në një fshat tipik shqiptar.
Shtëpitë në Lin më së shumti janë të ndërtuara prej guri ka dhe prej tullash, madje ka dhe disa ndërtime sipas teknologjisë së re me kolona betoni, që në fakt, nuk është se i bëjnë nder këtij fshati. Kudo nëpër bahçe sheh zgjatimin e hardhive që mbulojnë tendat prej teli. Mbi fshat, terreni është shkëmbor duke e bërë edhe më piktoresk peizazhin. Ndërsa përballë shkëmbinjve syri të sheh ujë deri në largësi, aty ku vargëzohen malet që i takojnë bregut tjetër. Në një ditë të qetë aty dëgjohet zhurma e valëve të liqenit, trazimi i ujit prej rremave të varkëtarëve dhe klithmat e pulëbardhave që fluturojnë aty rrotull.
Dhe Lini sot është një fshat turistik, përveçse një qendër arkeologjike. Rruga jo fort e gjerë, nuk i ndalon turistët që me makinat e tyre të futen deri në thellësi. Dhe kjo është mundësia e vetme pasi mundësi zgjerimi nuk ka. Ah po, e vetmja ndërhyrje që i vjen në ndihmë fshatit është ca zift më shumë mbi rrugë hyrëse, gjë që do ta bënte zonën edhe më atraktive. Por nëse do të kishte dhe pak më shumë investim, për rregullim fasadash dhe shtëpish të rrënuara, Lini do të bëhej një qendër turistike e cila me gjasa do ta xhelozonte dhe Pogradecin e mrekullueshëm.
 

Komuniteti
Nga qendra e Pogradecit, Lin është rreth 22 kilometra, por nga Tirana është të paktën 105 kilometra të cilat përshkohen për të paktën 90 minuta. Pra është jo aq larg për t’u marrë në konsideratë.
Vendasit janë fort miqësorë dhe dinë të të presin me butësi. Jetojnë me ato që u jep toka dhe liqeni, por dhe emigracioni. Muajt e verës shfrytëzohen në maksimum dhe shumë shtëpi buzë detit janë kthyer në hotele apo bujtina, ku shumëkush që pëlqen liqenin dhe klimën e freskët, - por nuk do të ngatërrohet me zhurmën e Pogradecit, - preferon që ditët e pushimit t’i kalojë pikërisht në këtë fshat.
Vendasit thonë që gjatë beharit bëjnë gjithçka munden, për të grumbulluar rezervat që do t’u duhen gjatë dimrit, i cili edhe pse është zbutur ca sërish vazhdon të jetë i ashpër. Dhe këtu flitet për zahiretë ushqimore dhe për drutë e zjarrit. Se me kondicioner, aha, nuk ia del të ngrohësh aq qoshen e dhomës.
Edhe pse të krijohet përshtypja se Lini është një fshat ortodoks, komuniteti i tij është thuajse i ndarë përgjysmë, megjithëse myslimanët përfaqësohen vetëm nga një xhami. Ndërsa janë së paku 7 kisha: ajo e Shën Marisë, e Shën Varvarës, e Shën Dhimitrit, e Shën Nikollës, e Shën Ilias, e Shën Thanasit, e Shën Andonit, por dhe Bazilika paleokristiane mbi kodër.
Gjëja më e bukur që mund të të ndodhë - pasi ke vizituar dhe bazilikën e shekullit V, - është një shëtitje me varkë. Nga tej liqenit, gjithçka duket edhe më mbresëlënëse. Një qetësi admiruese e prish vetëm zhurma e imët e motorit të varkës. Ujët e Ohrit është i kristaltë dhe mund të shohësh në thellësi.
Ky fshat, ashtu si e gjithë zona e Pogradecit, është i njohur për traditën përpunimit të disa asortimenteve gatimi si dhe i punimeve artizanale. Nëse gratë vazhdojnë të ruajnë traditën e thurjes së qilimave, në qëndisje, apo punimet me grep, në “markatën” natyrale të çdo prag shtëpie do të gjesh edhe shumë prodhime ushqimore, ku kryeson qepa e kuqe dhe e ëmbël të cilën e prodhon vetëm toka përreth.
Fshati Lin ka të paktën 300 familje dhe ndoshta po aq varka me të cilat sigurohet gjuetia e peshkut në liqen. Sepse liqeni është jeta e tyre. Dhe liqeni i Ohrit ka peshq të rrallë Koranin apo Belushkën, për të cilën njerëzit marrin rrugën me qëllim që të drekojnë në një nga restorantet e zonës. Por Lini ka dhe toka bujqësore të cilat japin prodhim të mirë.
 

Epilog miks
Në udhëtimin e shkurtër, teksa mundohesh të qëmtosh me fokusin e kamerës vend e pa vend, zbulon se në territorin e kishës Ortodokse në mes të fshatit, ndodhet edhe një lapidar, që kujton kohën e Luftës së Dytë Botërore. I ngritur në periudhën e Socializmit, ai nderon kujtimin e pjesëmarrësve në luftë kundër pushtimit nazifashist dhe dëshmorëve të rënë për këtë çështje: Jovan Shegani dhe Myredin Bashalli.
Një pjesë e filmit të njohur “Zonja nga qyteti”, të regjisorit Piro Milkani, përveç Tushemishtit dhe Drilonit, është regjistruar edhe në Lin.
Në Lin përveç plazheve të vegjël me ujë kristali, me rërë dhe guralecë të vegjël, ndodhet edhe qendra e rritjes së Koranit, peshku i famshëm që rritet vetëm në dy liqene të Evropës: në atë të Ohrit dhe në Bajkal të Rusisë. Korani njihet si peshku i ujërave shumë të pastra dhe të thella, dhe Liqeni i Ohrit kap thellësinë e gati 290 metrave me një qartësi uji ku mund të shquash deri në 20 metra.


No comments:

Post a Comment