Çfarë mesazhi na
ka dhënë Kinostudio “Shqipëria e Re” nëpërmjet filmit “Kapedani” me batutat e
të cilit kemi 50 vjet që qeshim?
Deri më tani xha
Sulon e kemi mbajtur si burrë zamani, me dy pëllëmbë mustaqe e dyfekun mbi sup,
nga i cili ishte dridhur sa i kishin shkuar poturet në fund të këmbëve, turkut,
serbit, grekut e gjermanit,... pale italianit. Dhe Suloja ishte nga ata që e rrëmbente
pushkën edhe kur çanga e kooperativës jepte alarmin se ujët e rezervuarit mund
të shpërthente e të prishte të mbjellat.
Liria e fituar me
gjak duhej mbrojtur qoftë dhe me djersë.
-Ele, ele, më kë
do ia shkrepim sot?
-Atë e di
kryetarja. Për mua kujt t’ia mbajë le të urdhërojë.
Ky ishte Xha
Suloja, që kur vinte puna për të mbrojtur Atdheun e kishte syrin në
thep-shqekës të pushkës. Kjo kishte të bënte me moralin e shëndoshë të
individit në mbrojtje të Atdheut.
Por ajo që merrte
vendimet në fund të fundit ishte kryetarja e kooperativës. Dhe kryetaren e
kishte zgjedhur masa. Domethënë masa nuk kishte preferuar një mashkull, por një
femër. Dhe xha Sulua i kishte zët femrat, po ashtu si dhe... Napoloni.
Mirëpo me
kryetaren e kooperativës e kishte zënë belaja. Sepse kur gjëmoi e binte shi sa
mund të shembej dhe një digë hidrocentrali, e ku populli u ngrit në këmbë si
një trup i vetëm në mbrojtje të pronës socialiste, ajo e anashkaloi xha Sulon,
Kapedanin, por aspak të shoqen që e mori ta kishte pranë vetes në frontin më të
vështirë, ku ishin rreshtuar burrat e fortë.
-Ti teto Shero
meqë je goxha e shëndoshë eja me mua në rezervuar. Edhe ti teto Frosa shko në
stallë te viçat.
Demek Sheroja e
Frosa si dosa.
-Po unë?
Pyetja shkëlqeu si
teh thike natën e errët ku bubullimat nuk kishin të sosur.
Me sa duket xha
Sulua i kishte bërë dorëzimet me kohë. Por burrëria se linte të rrinte në
krevatin e shtëpisë, ku nuk i hynte asnjë pikë uji.
-Ti xha Sulo shko
në shtëpi se je burrë plak e mund të ftohesh.
Joooooo..., po kjo
nuk kishte bërë vaki as në kohën e Tanzimatit e jo më në kohën e Partisë. A i
kishte hije një kryetareje, të fliste çapraz. Ishte fyerje e rëndë për një
burrë me dy pëllëmbë mustaqe. Por çfarë mund të bënte xha Sulua në një kohë kur
as kodet e as zakonet nuk e favorizonin një burrë që merrte hak mbi një grua?
T’i kthehej e të përleshej me të.
Dhe veç kësaj
kryetarka bën edhe një blasfemi të dytë. Këmbënguljes së xha Sulos për t’iu
përgjigjur frontit iu përgjigj: Shko tek kotecat e kujdesu për pulat.
Kësaj çfarë emri
t’i vësh???
Dhe këtë, xha Sulo
Kapedanit, - apo xha Sulo i Deçkës siç do ta quante më pas rinia e fshatit që i
ngjiti dhe një fletërrufe në këndin e emulacionit, - e kishte kandidate për
nuse. Sepse kur vazhdonte shkollën Bujqësore na ishte mpleksur me të birin.
-Bo, bo, ofendim
më të madh nuk ka, - i fut xixat xha Bequa që kishte humbur xhepin me gjithë
çakmak. - Të vesh ti e të ruash pulat.
Dhe kush pa. Ty që të kemi kapedanin e fshatit.
- Mos more!
-E o, kështu tha
ajo.
E ç’i mbetej pas
kësaj xha Sulos së Deçkës. Rruga ishte vetëm një: të ankohej si gratë për një
grua. Po a ishte një gjë për burrat të ankuarit për një grua? Epo në kohën e
Partisë nuk kish më burra si në kohën e turkut? Dhe nuk kish më burra as si në
kohën e grekut. Se burrat ishin rrezik politik.
Por ankesa e
kishte një vlerë, se gjithsesi ajo duhej adresuar në Komitetin e Partisë. Vetëm
Partia mund ta zgjidhte këtë problem. Me qetësi dhe dashuri. Dhe nevoja e bëri
xha Sulon të merrte rrugën për në Tiranë e t’i binte në qafë mikut të tij të
vjetër, shokut Rropi, - shpatullgjerë e me flokë kaçurela nga i cili dridhej
gjermani, - që ishte me pozitë në Komitet.
- O do ta bëj unë
atë të më lajë këmbët me lot, o s’ka...
Posi ore, d.m.th
shoku Rropi do t’i thoshte kryetares: laja këmbët, xha Sulua i Deçkës është
yni.
Po a ishte kjo një
fitore?
Absolutisht jo.
Nëse do të ndodhte, kjo në të vërtetë do të ishte një fitore e shokut Rropi.
Mirëpo Sulos në
pleqëri, i kishin mbetur vetëm kyçet e kashtës e s’kishte nga ia mbante tjetër.
Ndaj me gjithë pishmanllëqet gjatë rrugës i vajti Rropit atje ku bënte Punën
Prodhuese, në ndërtim.
-Llaç shpejt llaç.
-Shoku Rropi,
lëreni muhabetin, po pengoni punë.
Dhe Rropi, që
kishte lënë zyrën e partisë dhe si hamall ngjiste kovat e llaçit në katin e
pestë, s'e bëri dysh fare. Femrat ishin kthyer në një forcë të madhe aq sa të
urdhëronin të bëje stërvitje për biceps, triceps e muskuj këmbësh me kovat e
llaçit nëpër shkallë.
Ky ishte një
zhgënjim akoma më i madh për xha Sulon e Deçkës. Socrealizmi këtë e quante
emancipim. Dhe padyshim që ishte i tillë. Se ku ishte parë që një femër të
urdhëronte një burrë.
-Ja kështu është
kur urdhërojnë gratë.
Eh more xha Sulo,
ishe kapedan i fshatit, por përfundove si gratë e liga. Mirë që nuk ia more dot
hakun kryetarkës, nuk e bëre të të lante këmbët me lot dhe as e vure të fshinte
bajgat e lopëve, por e pranove si nuse të djalit duke i thënë xha Beqos që i
ishin thyer gjyslyket që nuk i mbante lotët nga gëzimi:
-Beqo, që sot e
tutje ke të bësh me familje kryetarësh.
-Të lumtë o Sulo!
Dhe plasin
përqafimet. Domethënë, familja e Kapedanit u konvertua në familjen e Kryetares
së Koperativës, që jepte 50 lekë të vjetra për ditë pune. Prap se prapë, të
parët e fshatit mbetën si në kohën e turkut dhe në atë të Partisë.
Dhe ja, kjo është
finalja e filmit “Kapedani”, që burrin me dy pëllëmbë mustaqe e silazhoi dhe e
bëri të bindur si qingjat që pijnë dy nëna.
Ky është dhe
morali i fabulës që Kinostudio na e faturoi me një film epope, i cili vazhdon
të shikohet me endje dhe sot e gjithë ditën në ekranin e televizorit.
No comments:
Post a Comment