Friday, October 20, 2023

Në ditën e Enverit, evropianet hanë e pinë në Tiranë dhe mbushin me para Serbinë


Nga 
Leonard Veizi
 
Çfarë u pa nga samiti?
Çfarë s’u pa thuaj.
U panë të gjitha në fakt. Se kamera kishte kudo. Dhe transparenca ishte maksimale
-Se ç’u tha e se ç'u bë unë s’mora vesh gjë. Por jot shoqe i mori vesh te gjitha. Po përgjonte prapa derës.
-Jo more.
Edi Rama edhe një herë e tregoi veten si organizator të paparë eventesh. I priti liderët e Evropës, dhe ata të Ballkanit Perëndimor, me këngë, valle e melodi. U ndez sheshi u ndez. Sepse dhe këta të fundit për herë të parë dilnin nga istikamet e tyre, për t’u mbledhur në një vend që deri dje e njihnin vetëm nga krismat e kallashit.
Po a i arriti qëllimet samiti?
-Besoj tani se ia arritëm qëllimit me këtë mbledhje. Ta mbyllim dhe secili prej nesh duhet të nxjerrë detyrat që i takojnë.
Thuhet se kur Bashkimi Evropian mbylli derën e anëtarësimeve, dhe i la ballkanasit në cep si jetimë të varfër, e gjendur ngushtë që kish përdorur sopatën, hapi Procesin e Berlinit me negociata. Dhe Procesi i Berlinit, - me pak fjalë dhe pa u trashur shumë,  - ka për qëllim që t’i bëjë vendet e Ballkanit Perëndimor të ndihen sikur janë pjesë e BE-së por pa u futur në BE.
-Është me një fjalë si një mashurkë e pabërë, - do të shkruante Shekspiri tek Nata e Dymbëdhjetë.
Kësaj i thonë të kënaqesh me lugën bosh.
-Jo mjaft i vjetër për të qenë burrë dhe jo mjaft i ri për të qenë djalosh.
Pare u dhanë boll se qëlloi që astari i një xhepi ishte grisur. Por përsëri u tha se Sebria mori pjesën e luanit. Dhe të mendosh që Presidenti Serb anashkaloi këtë takim të rëndësishëm, sepse kishte një takim akoma më të rëndësishëm. I kishte hipur avionit për në Kinë. Domethënë Evropa po e mban me të mira Serbinë dhe Vuçiçi vazhdon të hedhë vickla.
-Hidh vickla Lisimak Voci hidh, se të kanë lënë në hergjele.
Dhe meqë i kishte siguruar paratë e Evropës, vajti të hedhë një sy nga Lindja e Largët. Atje ku bën pjesë dhe Rusia.
-Në atë krah fli ti, një këtu e një atje. Një për dimër e një për behar. Nuk e pe që i ndritën sytë si të maçokut kur e pa atë që kaloi këtu.
Ndërsa kryeministri grek, edhe pse shumë i mërzitur që çështja “Beleri” nuk po merr zgjidhje, erdhi në Tiranë dhe pranoi të bënte një fotografi me kryeministrin shqiptar edhe pse i nxinte surrati.
-Nuk është mirë kështu. Të çarmatosësh patriotët nacionalistët.
Samiti kaloi në aheng të plotë ku vallëtarët e Ramës i valviti para syve Micotaqesit flamurin grek dhe atë shqiptar, si për t’i thënë se grekët e vërtetë kanë gjithë të drejtat e Zotit në Shqipëri e si nget kush. Por ata që kanë zell të madh të hiqen si grekë, - meqë kanë marrë një pasaportë të tillë, - i ka kapur ligji si hajdutë votash.
- Dhe ligjin e ka nxjerrë qeveria, nuk e bën Maliqi.
- Fjalë me vend. Nuk kemi asnjë ankesë. Na vret Zoti.
Evropianët u pritën si mos më mirë në Tiranë. Ata u shkulën së qeshuri ne shakatë e kripura të Duçes... të këtij Ramës, se u ngatërrova. Sidomos kur kryeministri, që luajti dhe rolin e një shefi kuzhine me specialitet brumrat, u dhuroi pjesëmarrësve nga një kuti picash ku brenda kishte nga një pjatë të stolisur me lloj lloj ngjyrash.
E pavarësisht se në gaz e sipër, Makroni, që ishte pjesë e Samitit por që erdhi dhe për vizitë zyrtare në Shqipëri, ia pat një thagme për mëdyshjen e liberalizimin e vizave të BE-së me Kosovën.
Epo Franca, si Franca. Ka të tjera terbjete.
-Po Evropi ç'thotë Ismail Bej?
-Po të jemi të bashkuar e në një mendje, do të na njohë.
-Aha, se ha atë pykë ajo rrospi, jo.
Samiti ishte i monitoruar e i fortifikuar. Policë në çdo kryqëzim. Gardistë majë pallateve me snajpera e dylbi. Dhe njerëzit e security-së me kostume të zeza ishin kudo. Nuk lëvizte miza e jo më ndonjë terrorist.
Pastaj si e qysh e tek, Samiti u zhvillua ditën e lindjes së Enver Hoxhës, pra më 16 tetor, në një ndërtesë që vazhdon të simbolizojë Muzeun e Diktatorit, dhe në një vizite tek vila 31 në të cilën ka jetuar Enver Hoxha, por që thuhet se është projektuar të shndërrohet në rezidencë artistësh... këto ose janë rastësira të patreguara, ose mbeten kode ende të pazbërthyeshme. Por me siguri do të  zbërthehen më vonë.
-Domethënë, qenka thënë të ngordh i shurdhër.
-Lëri llafet, ky është urdhër
Padyshim, Rama si mikpritës bëri maksimumin për t’i bërë të ftuarit të ndiheshin si në shtëpinë e tyre, me të gjitha llojet e performancave që ofroi. Dhe padyshim që në fund të fundit Samiti i Berlinit që kërkon të fusë brenda BE-së Ballkanin Perëndimor, por duke e mbajtur jashtë, mund të cilësohet i suksesshëm.
 


No comments:

Post a Comment