Në shekullin e XX, bilanci i ushtrisë italiane, në
Shqipëri, nuk ishte aspak mbresëlënës. Në dy luftërat botërore, veç të tjerash,
marina italiane do të linte në brigjet shqiptare dhe dy nga anijet më të mëdha
të flotës së saj. Njëra prej tyre, “Regina Margerita”, një anije e rëndë lufte,
e cila në vitin 1916 do të përfundonte në thellësinë e detit të Vlorës. Tjetra,
anija-spitali “PO” do të fundosej në vitin 1941. Ndërkohë që edhe SS Lins, i
mbiquajtur “Titatiku austriak” në vitin 1918 u bombarduua dhe u mbyt vetem pak
milje nga Kepi i Rodonit. E megjithëse të zhytura në afërsi të brigjeve
shqiptare asnjë prej anijeve të mëdha të flotës italiane, dhe as ajo austriake nuk
u dëmtua nga forcat vendase, por nga kundërshtarët në rrethanat e përplasjeve
të armatosura...
“Regina
Margerita”, kryqëzori italian shpërtheu në brigjet e Vlorës
Ajo njihej si anija më e fuqishme e flotës mbretërore
italiane. “Regina Margerita”, u projektua si një kryqëzor. Me një gjatësi.6
metra, gjerësi 23.8 metra e lartësi 8.9 metra, ajo lundronte me shpejtësie 20
nyje e barabartë me 37 km tokësore. Ishte e armatosur me topa të kalibrave të
ndryshëm ku më të mëdhenjtë ishin 4 topa 305/40 mm, 4 të kalibrit 203/40 mm,12
copë 152 mm, 20 copë 76 mm, etj. Si një anije pa të dytë të atyre përmasave
deri në atë kohë, “Regina Margerita” do të luante rolin e flamurmbajtëses të
flotës italiane. Ishin ditët e Luftës së Parë Botërore. Dhe veç kësaj kryqëzori
në fjalë do të përfshihej edhe në Luftën Italo-Turke.
Në radën e Vlorës
Në muajin prill 1916 “Regina Margerita” mbërriti në radën
e Vlorës nën komandën e kapitenit Giovanbattista Bozzo Gravina duke marrë
funksionin e anijes udhëheqëse të divizionit naval e cila udhëhiqej nga
kundëradmirali Cusani Visconti. Nuk ishte angazhimi i parë i këtij kryqëzori në
ujërat shqiptare. Italia kishte vendosur hegjemoninë e saj mbi ishullin e
Sazanit dhe mundohej të kontrollonte ngushticën e Otrantos. Mbas një cikël
operacionesh në Vlorë, në muajin dhjetor të vitit 1916 jepet urdhri për
rikthimin e “Regina Margherita” në bazën e Tarantos. Motivacioni fliste për
kryerje punimesh mirëmbajtje. Ditën që duhej të lundronte për në Taranto rajoni
i Vlorës u përfshi nga një mot me erë e dallgë e kushte shumë të vështira
meteorologjike. Rreth orës 21.00, pas zvogëlimit të shtrëngatës, “Regina
Margherita” me 889 burra në bord fillon lëvizjen për të dalë nga gjiri i Vlorës
e shoqëruar dhe dy nga anije gjuajtëse “Indomito” dhe “Ardente”. Thuajse 30
minuta nga nisja e lundrimit, rreth orës 21.34, ndërsa gjendej në korridorin e
kanalit të daljes së zonës së minuar ndërmjet Ishullit të Sazanit dhe Kepit të
Gjuhës, dëgjohen dy shpërthime të forta. Sipas dëshmive të kohës, të marra prej
të mbijetuarve, shpërthimi përfshiu pjesën fundorë të anijes dhe qendrën e saj
deri në lartësinë e kaldajave. Kjo shkaktoi shpërthimin e kaldajave me avull si
dhe të depos së eksplozivit. U deshën vetëm 5-6 minuta nga shpërthimi që anija
të përfundonte në fund të detit. Komandanti i kryqëzorit dhe 614 anëtarët e
ekuipazhit u mbytën. Vetëm 18 oficerë dhe 257 detarë u shpëtuan, falë ndihmës
së anijeve të tjera. Kjo ishte një nga humbjet më të mëdha të Flotës Italiane
në Luftën e Parë Botërore. E ndërtuar nga konstruktori Benedeto Brini, si një
anije moderne, “Regina Margerita” konsiderohej e pamposhtur. Por nuk ndodhi
kështu.
Historia e kryqëzorit
Viti 1901 është viti i përfundimit të ndërtimit të
kryqëzorit Regina Margherita me një peshë prej 14. 574 tonelatash. Më parë ky
kantier detar nuk kishte ndërtuar anije të këtij kapaciteti. Mbreti Umberto
vendos që anijes t’i vihej emrin e bashkëshortes së tij. Me këtë rast ai nxori
dhe një dekret mbretëror që mban datën 24 shtator 1898. Por Umberto nuk pati
fatin ta shikonte të përfunduar anijen, pasi u vra në Monza në 29 korrik. Në
vazhdim, do të ishte djali i tij, Viktor Emanueli III, që në 30 maj 1901 do të
prezantonte publikisht këtë vendim. Kjo anije i dorëzohet Marinës Mbretërore në
datën 14 prill 1904 dhe në datën 11 maj të të njëjtit vit, në bazën e marinës
në Spezia, i dorëzohet flamuri i luftës nga vetë Mbretëresha Regina Margherita
me motivacionin: “Për nderin e Italisë”. Për vetë rëndësinë e sajë anija
“Regina Margherita” mbeti një anije flamur dhe në dispozicion të admiraliatit
deri në datën 15 dhjetor të vitit 1910. Në fillim të vitit 1913 “Regina
Margherita” caktohet me Forcat Detare të Bashkuara për patrullim dhe vëzhgim në
Mesdheun Lindor në mbrojtje të ishujve të pushtuar të Egjeut
Konspiracioni mbi shkatërrimin e kryqësorit
Ende edhe sot nuk dihen shkaqet e vërteta të mbytjes së
kryqësorit “Regina Margherita”: ishte një silurë e lëshuar në det nga ndonjë
nëndetëse austriake që e shkatërroi, apo anija hasi aksidentalisht në ndonjë
minë. Në relacionin zyrtar për mbytjen e kësaj anije, autoritetet deklarojnë:
“Mbytja e anijes nuk mund të lidhet me veprime armiqësore, por më një fatkeqësi
fatale të lidhur me shumë rrethana që e kanë shtyrë Komandën në vlerësime dhe
vendime të gabuara“. Ndërsa të gjitha burimet dokumentare austro – gjermane ja
atribuonin mbytjen e “Regina Margherita” një nëndetëse gjermane që i përkiste
bazës detare austro -hungareze të Polas në Kroaci. Por këtë të dhënë e
konfirmonin edhe historianët më në zë të marinës austro – hungareze. Së fundi,
në një dokument gjerman të asaj kohe lexohet: “11 Dezembr 1916. Montag vor Valona sinkt Regina Margherita auf einer
von U C- 14 gelegten Mine (ca. 600 +)”, ku praktikisht thuhet se anija
ishte shkatërruar nga një minë e lënë në det prej nëndetëses UC -14. Ky version
i fakteve mund të jetë edhe shpjegimi thirrjes të bërë nga komandanti i anijes
Bozzo në çastin e shpërthimit të parë: “E kemi nga austriakët, ata na e kanë
bërë!”.
Rigjetja e mbetjeve
Për shumë vite mbi vendndodhjen e anijes nuk ishte mësua
asgjë. Në gushtin e vitit 2005 një ekspeditë italiane, me ish-oficerë marine e
zhytësa, mbërritën në Shqipëri. Qëllimi i misionit të tyre ishte të gjenin
reliken e anijes së Luftës së Parë Botërore. Ekspedita e IANTD kërkonte
rrënojën e “Mbretëreshës Margerita” me objektivin kryesor që të kishin një
mundësi e të përkujtonin njëqind vjetorin e fundosjes së saj. Nisur nga
rëndësia e përvjetorit, pas marrëveshjeve me autoritetet shqiptare, ekspedita e
IANTD filloi kërkimin në Vlorë nga 8 deri në 11 dhjetor 2005, me patronazhin e
Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë. Në këtë rrënojë, të cilësuar me rëndësi
të madhe historike, morën pjesë trajnerë, instruktorë dhe zhytës të IANTD,
ekspertë në përdorimin e përzierjeve trimix dhe nitroks dhe me aftësi të
dobishme për kryerjen e detyrave të ekspeditës; ato janë: Udhëheqësi i
ekspeditës Fabio Ruberti, Udhëheqësi dhe organizatori i ekspeditës Cesare
Balzi, video operatori Massimiliano Canossa, menaxheri organizativ Carla
Binelli, menaxheri i sigurisë Fabio Agostinelli, fotografi Andrea Bolzoni,
fotografi Nicola Boninsegna, zhytësi Michele Cocco, zhytësi Jacopo Ruberti,
zhytësi Ilir Capuni.
I pari që kontaktoi me anijen e mbytur ishte Cesare
Balzi, i cili përcaktoi dhe thëllësinë në të cilën ndodhej relika: 68 metra. Udhëheqësi
i ekspeditës Fabio Ruberti me këtë rast ka publikuar dhe një artikull ku flet
me detaje rreth historisë së kryqësorit “Regina Margherita” dhe zbulimit të
relikeve në afërsi të Vlorës prej ekspeditës së IANTD Zbulimi, shkaktoi një
interes të madh në mjaft media ndërkombëtare, ndërsa u pasqyrua fjalë në të
gjitha gazetat kombëtare, si dhe edicioni i lajmeve në kanalin kryesor të
informimit për Italinë TG1.
-----------------------------------------------------
Historia e anijes spital “Po”
Edda Ciano, si i shpëtoi vdekjes në brigjet e Vlorës vajza e Musolinit
Ajo fle vetëm, 33 metra nën det, dhe vetëm një milje larg
bregut të Radhimës. E shtrirë në pozicion lundrues, me bashin në drejtim të
Sazanit dhe kiçin nga Radhima, vendndodhja e saj nën ujë është vetëm një milje
nga bregu. Mbetjet e saj janë ende në gjendje mjaft të mirë ku strukturat e
sipërme arrijnë deri në 17 metra nga sipërfaqja. Është anija spitalore
"Po", e cila për nga madhësia cilësohet dhe si “Titaniku i
Adriatikut”. E ndërtuar mes viteve 1909-1911 ajo pati një jetë 30 vjeçare.
Ndërsa në vitin 1941 u mbyt në mënyrë tragjike, në brigjet e Vlorës.
Fronti
Lufta e Dytë Botërore kishte nisur ethshëm. Pas zbarkimit
më 7 prill 1939 të ushtrisë italiane në Shqipëri, Musolini hodhi shikimin më
tej. Në gusht 1940, ushtria fashiste, me rreth 120.000 trupa, sulmoi Greqinë,
përmes territorit shqiptar. Pas një përparimi të përkohshëm, italianë u ndeshën
në një territor tepër të thyer dhe në rezistencën e forcave greke. Dimri ishte
i ashpër. Në lojë u fut dhe aviacioni britanik. Ushtria Italiane po shkonte
drejt disfatës. Në kushte të tilla në dhjetor 1940 – janar 1941 filloi tërheqja
nga fronti grek. Riatdhesimi i të plagosurve ishte në rend të ditës. Një nga pikat
operative që u caktua në këtë periudhë, për sistemimin e të plagosurve, kurimin
e riatdhesimin e tyre ishte edhe Radhima, në të cilën ndodheshin të dislokuara
disa reparte ushtarake. Për këtë arsye në lug të Viroit u ndërtua një spital
fushor. Meqenëse morali i ushtrisë italiane, veçanërisht i të plagosurve kishte
rënë shumë, në prag të pranverës 1941, ata i vizitoi vetë udhëheqës fashist
Benito Musolini.
Angzhimi
Imazhet që tregojnë Musolinin gjatë vizitën në Shqipëri e
paraqesin atë të zymtë e të mposhtur. Ministri i Jashtëm, Galeazzo Ciano, i
cili është dhe dhëndri i tij, e shoqëron kudo. Italia kishte sulmuar Greqinë
por gjërat kishin shkuar shumë keq. Kishte filluar përmbysja e fashizmit. Ato
muaj të ftohtë dimri, fronti grek ishte gjëja më e rëndësishme në axhendën
italiane. Deri në ato çaste boshti Romë-Berlin-Tokio, nuk kishte humbur asnjë
luftë. Ndërkohë që Italia po tregonte se ishte pika më e dobët e këtij boshti.
Dhe kjo ishte një gjë shumë e rëndë për egon e Musolinit. Për të ndalur ekspansionin
e ushtrisë greke e cila duke thyer në vazhdimësi trupat e ushtrisë italiane,
dhe ishte futur në thellësi të territorit Shqiptar, Benito Musolini u nis drejt
Shqipërisë. Ai e viziton të gjithë vijën e frontit nga Vlora deri në Tepelenë.
Për t’i dhënë moral ushtarëve, Musolini angazhon të gjithë familjen e tij duke
i sjellë në Shqipëri. Ishte Musolini i cili rekomandoi që edhe vajza e tij, e
cila ishte gruaja e ministrit të Jashtëm Ganeazzo Cianno, të angazhohej me
Kryqin e Kuq për tërheqjen e të plagosurve të luftës. Ndërkohë që edhe vetë
Galeazzo Ciano ishte i pranishëm në Shqipëri gjatë kësaj periudhe.
Spitalieri
Në Shtator të 1940, “Po” ishte anija e parë spitalore që
u dërgua në Shqipëri. Kreu një mision transporti për të lënduarit dhe të
sëmurët, si pjesë e operacioneve të pastrimit të spitaleve shqiptare në
përgatitje të sulmit ndaj Greqisë. Ky plan "evakuimi mjekësor" u
përfundua nga anija “Po” me një mision të dytë të të njëjtit lloj, në tetor
1940. Në mbrëmjen e 14 marsit 1941, “Po” mbërriti në Vlorë për të marrë të
plagosurit dhe të sëmurë që kishin mbërritur nga dy spitale fushorë, numri 403,
dhe një tjetër që ndodhej në kodrat përpara gjirit të Vlorës. Operacioni që do
të zhvillohej të nesërmen në mëngjes. Pas mbërritjes, anija u ndal në gjirin e
Vlorës, rreth një milje e gjysmë nga bregu. Edhe pse e pajisur me shenja për
njohjen gjatë natës, anija u detyrua nga Komanda e Marinës së Vlorës të mbante
dritat fikur, duke pasur parasysh frikën nga identifikimi i anijes “Po” në rast
të një sulmi ajror, i cili do të përfshinte edhe vendndodhjen e njësive të
tjera ushtarake dhe tregtare të ankoruara në afërsi.
Sulmi
Pas orës 23.00 të së njëjtës mbrëmje, kur shumica e
ekuipazhit të njësisë ishin duke pushuar në ambientet e tyre, gjiri i Vlorës iu
nënshtrua një sulmi nga ana e “Fairey Swordfish” të skuadronit 815 të Flotës
Ajrore Britanike e cila ishte nisur nga aeroporti grek i Paramithisë.
Luftanijet italiane “Luciano” dhe “Stampalia”, përdorën perde zjarri për
vetëmbrojtje si dhe për të mbrojtur spitalierin. Por në orën 11:15 spitalieri
“Po” u godit përpara në anën e djathtë nga një silur 730 kg, i lëshuar nga
bombarduesi i togerit Michael Torrens Spence. Anija filloi të fundoset me
shpejtësi. U dëgjua alarmi dhe ekuipazhi e personeli mjekësor u mblodhën në
kuvertë, pas së cilës u ulën barkat e shpëtimit. Gjatë braktisjes së anijes,
një prej varkave të shpëtimit u rrëzua: dy vullnetarë të Kryqit të Kuq, Wanda
Secchi dhe Emma Tramontani, u plagosën, ranë në ujë dhe u mbytën. Maria
Federici, gjithashtu një tjetër vullnetare e Kryqit të Kuq u mbyt edhe pas
përpjekjeve të një oficeri, i cili u hodh në det për ta ndihmuar. Vetëm pak
minuta pas bombardimit anija ishte fundosur.
Bilanci
Disa prej të mbijetuarve u kapën në pjesët e shkëputura
të anijes, të tjerët notuan drejt bregut. Disa të mbijetuar, mes të cilëve dhe
Edda Ciano, e hipur në anije si vullnetare e Kryqit të Kuq, u morën nga një
varkë peshkimi, teksa ishin kapur pas copave të një varke shpëtimi të dëmtuar,
e cila mbeti gjysmë e zhytur sepse ishte ende e lidhur me anijen spitalore. Në
fundosjen e anijes “Po” nga 240 njerëz në bord, humbën jetën 23 prej tyre, 3
punonjëse të Kryqit të Kuq dhe 20 detarë. Propaganda italiane nuk fliste për
një sulm të qëllimshëm, sepse anija “Po” ishte lënë në errësirë, por nxori në
pah vdekjen e 23 personave, veçanërisht vullnetarëve nga Kryqi i Kuq. Ndërsa u
bënë përpjekje me urdhër të drejtpërdrejtë të Mussolinit, për të mos nënvizuar
praninë e Edda Ciano-s midis të mbijetuarve. E megjithatë lajmet u përhapën në
mënyrë të shpejtë.
Nga avullore pasagjerësh në spital me 600 shtrerër
E ndërtuar mes viteve 1909 dhe 1911 së bashku me binjaken
“Helouan” për Lloyd Austriak, me qendër në Trieste, anija u quajt “Wien”. Ajo
fillimisht ishte me avullore, me 7357 tonazhe bruto dhe 3199 tonazh neto:
ndërsa valëviste flamurin austro-hungarez. Me gjatësi 134, gjerësi 17 metra,
anija kishte dy motorë me avull, mundësuar nga tetë kaldaja dhe kapte një
shpejtësi mjaft të mirë për kohën, 17 nyje. Në kabina mund të futeshin 185
pasagjerë në klasin e parë, 61 në të dytin dhe 54 në të tretin. Në funksion të
hyrjes së Italisë në Luftën e Dytë Botërore, anija “Po” në 21 maj 1940 u
regjistrua si anija ndihmëse e Shtetit, këtë herë si një anije e vërtetë
spitalore, me 600 shtretër. Anija, e pajisur me mjete mjekësore të përshtatshme
e cila përfshinte një dhomë operacioni, disa klinika dhe salla zhveshjesh,
dhoma të pajisura për laboratorë radiologjie dhe analize dhe staf mjekësor të
hipur në bord, hyri në shërbim në korrik të 1940. Gjatë kohës së shërbimit të
saj si anije spitalore, “Po” realizoi 14 misione, duke transportuar gjithsej
rreth 6600 të lënduar e të sëmurë, 2300 të plagosur, si dhe 4300 të sëmurë nga
Libia dhe Shqipëria.
----------------------------------------------------------------
SS Lins, “Titatiku austriak” që u
fundos në brigjet shqiptare
Ajo është cilësuar dhe si një nga tragjeditë më të mëdha
detare të historisë. Për më tepër se 100 vjet skeleti i saj me gjithçka kishte
brenda prehet në ujërat shqiptare. Ndërkohë, mbetjet e anijes së madhe
transportuese u zbuluan në Dhjetor 2000 nga zhytësit austriakë në një thellësi
prej 45 metrash... Gjatë Luftës së Parë Botërore, anija “Linz” e mbiquajtur dhe
si “Titaniku austriak” do të lundronte nga Kroacia drejt brigjeve të Durrësit
me mbi 1003 persona të regjistruar në bordin e saj që ishin ushtarë, personel i
kryqit të kuq, si dhe shumë robër lufte.
Udhëtimi i fundit
Lufta e Parë Botërore ishte në vitin e fundit por ende
nuk kishte përfunduar. Mesnatën e 19 marsit të vitit 1918, anija transportuese
e marinës Austro-Hungareze Linz, e cila ishte nisur nga Rjeka e Kroacisë po i
afrohej Durrësit. Vetëm 7.4 kilometra në veriperëndim të Kepit të Rodonit
transportieri u godit nga një silurë. Ky është edhe një nga versionet, pasi një
i dytë pretendon se aniha kishte hasur në një minë. Paniku ishte i madh, pasi
në bordin e anijes ndosheshim me qindra njerëz, civilë e ushtarakë që duhet të
zbrisnin në port. Në panikun e çmendur, ishte e pamundur të organizoje
shpëtimin e njerzve që ndodheshin në bord. Më kot oficerët e anijes bërtisnin:
"Gratë së pari!". Askush nuk i dëgjoi. Madje paniku nuk u zbut as kur
oficerët e anijes u përpoqën të ndalonin ushtarët në panik me të shtëna arme. Turma
e pavetëdijshme u hodhën sipër njëri tjetrit për të marrë varkat e shpëtimit.
Vetëm 20 minuta pas shpërthimit i janë dashur anijes transportierit të madh që
të përfundonte 30-40 metra poshtë sipërfaqes së ujit, e të përplasej me
fundërrinën e Adriatikut. Mbi sipërfaqe, me dhjetra njerëz që kishin arritur të
dilnin po kërkonin ndihmë, ndërsa shumë të tjerë anija i kishte marrë me vete.
Vetëm 300 persona u arrit të shpëtohen. Shkaqet e vërteta të mbytjes nuk do të
sqaroheshin dot kurrë.
Itinerari Rjeka-Durrës
Itinerari i zakonshëm ishte nga Rijeka për në portin e
Zelenikës në Gjirin e Kotorrit, dhe prej andej anija merrte rrugën për në
Durrës. “Lins” kryesisht transportonte trupa, dhe në udhëtimin e saj të fundit
dërgonte përforcime në frontin shqiptar, ushtarë që ktheheshin nga liridalja si
dhe 413 robër italianë. Kishte 30 gra midis udhëtarëve, që ishin gra të
oficerëve dhe infermiere të Kryqit të Kuq. Shumica e të burgosurve italianë
vinin nga kampi i burgut Ostffyasszonyfa dhe drejtoheshin të punonin për
ndërtimin e rrugëve në Shqipëri. Anija “Lins” ishte nën komandën e Kapiten
Tonello Hugo. Transportuesi zgjidhi litarët pasditen e 18 Marsin në 6:30 dhe u
nis nga skela Zelenika. Nisja u zhvillua në një atmosferë pothuajse paqësore.
Por fakti që nuk ishte një ekskursion u bë i qartë nga shoqërimi i armatosur, i
një torpediniere, e cila, që nga çastin e nisjes, shoqëroi anijen nga afër
përmes ujërave të rrezikshëm të Adriatikut. Ndërsa ishte në udhëtim nga Rijeka
në Durrës “Lins” shoqërohej gjithsesi nga nga tre anije të Marinës
Austro-Hungareze: Kryqëzori
“Balaton”, si dhe dy anije të tjera luftarake me silura TB-74 dhe TB-98.
Madje sipas raportimeve në komandën e lartë ushtarake Austro-Hungareze, dhe
TB-98 u sulmua nga një nëndetëse armike por pa sukses. Pas dëmtimit të “Lins”,
“Balaton” dhe dy torpedinieret, apo thënë ndryshe “anijet me silurë”, arritën
të shpëtonin 306 pasagjerë si dhe ekuipazhin.
Në bord
Anija kishte zyrtarisht në bord 1,003 pasagjerë, nga të
cilët 413 ishin italianë të burgosur lufte që transportoheshin në kampe pune në
Shqipëri. Pas një ndalese në portin e Zelenikës, Linz mendohet të ketë pasur në
bord të paktën 3000 frymë. Fillimisht u dha lajmi zyrtar se një total prej 697
pasagjerësh dhe ekuipazhi humbën jetën, përfshirë 283 italianë të burgosur
lufte dhe një infermiere Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq. Por mendohet se anija
mbante gjithashtu disa qindra pasagjerë të paregjistruar, kryesisht ushtarë
austro-hungarezë që ktheheshin nga pushimi, të cilët hipën në Linz ilegalisht
në Zelenika. Kjo do të nënkuptojë se numri i viktimave ishte shumë më i lartë
se 697; disa vlerësime shkojnë deri në 2,700 njerëz të mbytur në ujrat e
Adriatikut.
Të dhënat
“SS LINZ” ishte një anije tregtare prej 3820 tonë, e
ndërtuar në vitin 1909 dhe e zotëruar në kohën e humbjes së saj nga “Lloyd
Austriaco” në Trieste, Itali. Linz u rekrutua nga ushtria austriake dhe
përdorej për të transportuar trupa dhe të burgosur për në Shqipëri. Anija
kishte një gjatësi prej 105 metrash, e gjerë 13,3 metra, 3,819 GRT (tonazh i
regjistrit bruto) nuk ishte një nga njësitë më të mëdha, por nuk ishte menduar
për ujëra të largëta, dhe përfundoi kryesisht si anije poste dhe trafiku për
udhëtarë. Helika e tij e vetme mundësohej nga një motor me avull me 3.900 kuaj
fuqi, i cili e lejoi atë të arrinte një shpejtësi të fortë 12.5 nyjesh.
Epilogu
Në qytetin e Durrësit është përurua pranë mureve të
kalasë memoriali në përkujtim të 2700 viktimave të anijes “Loyd Linz” dhe
anijeve të tjera të Marinës Austro-Hungareze, të cilët humbën jetën gjatë
Luftës së Parë Botërore. Tragjedi të tilla kanë ndodhur edhe me disa anije të
tjera austro-hungareze. Ky memorial ku shkruhet në tri gjuhë: shqip,
gjermanisht dhe në gjuhën hungareze kujton pikërisht tragjeditë detare të asaj
kohe me motivin: Përkujtoni ata dhe të vdekurit e të gjitha luftërave – fati i tyre
na bën thirrje për pajtim.
No comments:
Post a Comment