Thursday, October 12, 2023

Nga Hrushovi te Makroni..., shqiptarët paguajnë tavolinat


Nga Leonard Veizi
 
Shqipëria po ia bën fora. Po hedh lek të madh për të nderuar veten. Nuk është hera e parë. Se kemi pasur dhe raste të tjera. Fjala vjen: ia kemi bërë fora kur na ka ardhur për vizitë tavarish Nikita. Mish e raki pa hesap. E gjezdisëm edhe ku deshi. Deri në Butrint e çuam. Por atij nuk i hyri në sy antikiteti i Butrintit. Ta bëjmë bazë nëndetësesh, tha.
Kulmi.
Më pas na erdhi shoku Çu i Kinës. E pritëm me limuzinë të hapur. Pastaj u shtrua vençe, aq sa dhe shokët e nderuar të Partisë: Enveri, Hysniu e Mehmeti u ngritën në valle për të shoqëruar Çu-në.
Por si burrat ia kemi bërë edhe kur na erdhi Shtrausi i Bavarisë. Hajde si ka valuar mishi i pjekur në hell asokohe. Një qengj të tërë e hëngri Franci, fill i vetëm. Dhe la për kamerierët që lëpinin buzët vetëm garniturën: Ç’i dua, - u tha atyre kur e pyetën se përse nuk i konsumoi karotat e marulet. - Të gjitha këto, i ka ngrënë ky, - dhe drejtoi gishtin nga kockat e qengjit. Barku po i ishte bërë kacek. Nënteksti ishte i qartë: Ai ka ngrënë ato, unë hëngra këtë. Zinxhiri ushqimor me një fjalë.
Dhe kur ndodhte kjo hata pa, pikërisht kur në dyqanet tona shkruhej “mish” e brenda gjeje vetëm një kasap, por pa hanxhar në dorë.
Tani së fundmi kemi mysafirë krerët e Evropës: Ursulën, Olafin, Emmanuelin... e të tjerë e të tjerë.
Mikpritje e paparë. Lajmet thonë se Samiti i Procesit të Berlinit që do zhvillohet në Tiranë do kushtojë 51 milionë lekë. Rrumbullak. Të reja ore, se mos e merrni jangëllësh. Shqipëria përsëri e zgjidh qesenë. Në djall të vejë, një herë vdes njeriu. Pse për kaq gjë do turpërohemi ne? E të mbahemi mend në Marenë e të thonë: Na ishte një herë një... Lëre fare. Më duket se ngatërrova regjistër.
Shkurt muhabeti: Për të tilla raste nuk kursehemi ne. Po pse si thoni ju, me kafe e ujë të gazuar do t’i përcjellim miqtë? Një herë “martohet” robi.
Dhe Samiti në fjalë mbahet për herë të parë jashtë kufijve të Bashkimit Evropian. Domethënë ata... evropianët po na bëjnë goxha nder. Dhe kujt pa...
Shqipëri hesapi.
Prandaj dhe ne nuk duam të turpërohemi e të na përflasin pas krahëve: Vajtëm te Rama po s’u tund vendit hiç. Na bëri një trahana për darkë mos na binte rëndë në bark. Një çaj me bustinë në mëngjes dhe na përcolli në aeroport. Ndaj më nuk shkelim asaj ane.
Jo, ne shyqyr që e kapëm zogun... rastin, e kisha fjalën. Tapete të kuq. Flamuj në çdo shtyllë elektriku dhe muzikë: baladë për violinë e orkestër nga altoparlanti.
Po paskemi pasur paratë e dynjasë ne si buxhet?! Pse qahemi? Ja, mezi u ngritëm ca rrogat deputetëve dhe gjyqtarëve, por nuk na del për pensionet, jo po, po dështon skema e sigurimeve shoqërore... jo po... ujku të të çajë.
-Ka pare Hekurani, ka pare. Mos e bëni qejfin qeder, – u thoshte të ftuarve majë karrocës Hekuran Romalini që ishte dhe baba e MaoCeDun-it e që kish ftuar në ditëlindjen e të birit dhe vetë ambasadorin e Kinës së Madhe.
Në Fletoren Zyrtare numër 146 saktësohet se efekti financiar, prej pesëdhjetë e një milionë lekësh, përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2023.
Birinxhi. Ja u zgjidh edhe kjo punë.
Një herë e një kohë u bë “Dasma e Malos”. E mbani mend besoj. Për ata që s’e njohin historinë e gjejnë pa vështirësi në youtube. Ahengu për Malon zgjati një javë. Dasmorët lanë punën dhe shkuan të hanin e të pinin sa t’u mbante barku. Dhe për këtë u ngrit edhe një këngë, që u bë e famshme e mori dhenë.
 
Po martojmë Malon
Harxhet shkojnë lumë
600 dasmorë
Gjashtë net pa gjumë.
 
Dëme solli dasma
Harxhe nga sikleti
Më shumë se këto dëme
Solli veç tërmeti.
 
Veç kur dasma mbaroi i zoti i shtëpisë që kishte zgjidhur qesen, ku pa që në qese nuk i kishte mbetur asnjë qindarkë, vuri gratë e shtëpisë të mblidhnin para sa të mundeshin duke i vënë një çmim të kripur edhe kafes së çikores edhe gotës me ujë pusi.
-Duhet të dorovisim gjë?
-Epo e do zakoni.
Dhe monedhat e fundit përplaseshin mbi tabaka.
-Me jetë të lumtur. E me një borokoç mashkull.
Ne si vend me sa duket e kemi kaluar periudhën e tranzicionit. Ndaj nuk na e bën më syri tërrt. Po ecim përpara me hapa gjigantë. Madje kemi kaluar dhe periudhën e fukarallëkut. Plasi leku, plasi.
-Dhjetë franga e lart. Para jo llafe.
-Shtet i madh byrazer. Duçja e ka bërë Italinë xhenet mor xhenet.
Ore po kam hall se nesër do dalim përsëri për ndonjë eurobond andej nga pazari?! Se si shumë të zhytur jemi. E kështu si e kemi zënë do dalim e të lypim bankë më bankë ndonjë pare të thatë.
-Më jep dy lek zotni!
-Zoti të dhashtë!
 
 

No comments:

Post a Comment