Leonard Veizi
Të
rinj të pamësuar me dhunën e një regjimi diktatorial siç ishte ai i së majtës
ekstreme komuniste, por dhe të tjerë që e besojnë si ideal, - që pikërisht ky
regjim politik do ta lulëzojë botën dhe do bëjë që njerëzit të jenë të barabartë,
- e mbajnë portretin e tij të stamposur nëpër bluza pambuku ose e kanë bërë
tatuazh në një nga pjesët më të dukshme të trupit...
...Tanimë
ai është kthyer në një mit. Revolucionar idealist, ai ishte një komunist që
mbeti i papërlyer me pushtetin, paratë dhe favoret. Por iu përkushtua kauzës.
Për këtë dhe u vra. Ndaj fytyra e tij me mjekër tipike dhe beretë në kokë ku
bie në sy ylli i kuq pesëcepësh, është një simbol që shfaqet dukshëm kudo ku ka
grupime me idealë të së majtës.
Fidel
Kastro, pas fitores në Kubë, nuk arriti ta mbante dot pas tavolinën e ministrit
në kabinetin kuban. Guevara zhveshi kostumin, veshi rrobat ushtarake, mbathi
kambalet, vuri përsëri në kokë beretën dhe u nis për revolucionet e ardhshme.
Ai ishte i prerë për të qenë një luftëtar edhe pse Amerika Latine nuk arriti të
bëhej e Kuqe ashtu si Lindja me Bashkimin Sovjetik në krye e Kinën në bisht.
Në
vetvete Guevara, apo Komandanti Çe, mbeti një rebel i pakthyeshëm, një komunist
idealist që me sa duket nuk arriti ta kuptojë thellësisht, ose nuk pati kohën e
mjaftueshme për të kuptuar se sa viktima solli regjimi për të cilin ai dha
jetën.
Nëpër Amerikën Latine
Për
Ernesto Çe Guevarën gjen informacione pafund, në gjithfarë botimesh ku flitet
për jetën dhe bëmat e tij. Për të thuhet se u lind në Rosario të Argjentinës më
14 qershor 1928. Ishte më i madhi nga pesë fëmijët e një familjeje të shtresës
së mesme. Babai, por më shumë nëna e tij, ishin aktivistë politikë. Në vitin
1948, Guevara hyri në Universitetin e Buenos Aires për të studiuar mjekësi, por
u largua për të nisur atë që do të njihej si "ditarët e tij me
motor".
Udhëtoi
i vetëm nëpër Argjentinën veriore në vitin 1950 me një motoçikletë të
improvizuar. Mes viteve 1951-1952, me mikun Alberto Granado bëri një udhëtim
8000 miljesh, tetë muaj në pjesën më të madhe të Amerikës së Jugut dhe në veri
në Majami. Guevara ishte dëshmitar i varfërisë dhe padrejtësive ekstreme.
Udhëtimi nxiti interesin e tij në rritje për komunizmin - dhe një urrejtje për
kapitalizmin. Ai nisi të besonte se një zgjidhje mund të arrihej vetëm me
revolucion të dhunshëm.
Guevara
u kthye në shkollë dhe mori një diplomë mjekësie në vitin 1953. Ai shpejt
udhëtoi përsëri nëpër Amerikën Latine dhe përfundimisht në Guatemala, iu
bashkua një përpjekjeje të armatosur të pasuksesshme për të mbrojtur përmbysjen
e presidencës së reformistit të majtë Jacobo Arbenz të mbështetur nga CIA. Kjo
përvojë çimentoi angazhimin e tij ndaj marksizmit, si dhe përbuzjen e tij për
Shtetet e Bashkuara.
Me Kastron
Guevara
mbërriti në Mexico City, ku u martua me Hilda Gaeda. Në vitin 1955 takoi
udhëheqësit rebelë Fidel dhe Raul Kastro, të cilët po planifikonin revolucionin
e tyre të armatosur për të rrëzuar qeverinë e diktatorit Fulgencio Batista. Më
1 janar 1959, komunistët përmbysën qeverinë dhe morën kontrollin e Kubës.
Guevara u bë shtetas kubanez, u divorcua nga gruaja e tij e parë dhe u martua
me një kubane të quajtur Aleida Març. Ai u emërua president i Bankës Kombëtare
të Kubës, dhe më vonë kreu i Ministrisë së Industrisë, e cila përfshinte
udhëtimet globale si ambasador për Kubën. Por në vitin 1965, Kastro njoftoi se
Guevara i kishte shkruar një letër lamtumire, ku e linte Kubën dhe shtetësinë
kubaneze për të luftuar imperializmin në vendet e tjera të Amerikës së Jugut.
Takimi i fshehtë me Mehmet Shehun
Ernesto
Che Guevara ka mbërritur edhe në Shqipëri. Vizita e tij është zhvilluar mes
datave 3 dhe 5 Mars 1960. Ky është një fakt i bërë publik tanimë. Ishte një
ditë e ftohtë dhe binte një shi i imët kur heroi i luftërave ilegale të Kubës,
mbërriti në Rinas. Misioni i tij ishte i fshehtë dhe asnjëri prej atyre që
shoqëruan Çe Guevarën nuk e morën vesh se çfarë bisedoi ai me kryeministrin
shqiptar, Mehmet Shehu. Ky mision mbeti i kyçur për 50 vite me radhë në
kasafortat e arkivit të shtetit si edhe në kartotekën e kujtesës së Mehmet
Shehut.
Mehmet
Shehu e ka pritur me shumë përzemërsi luftëtarin e paepur të së majtës
ekstreme. Për Çe Guevarën, Kryeministri shqiptar, ishte luftëtar i shquar i
Brigadave Internacionaliste në Spanjë, ish-komandanti legjendë i Brigadës së
Parë Sulmuese Partizane, dhe udhëheqës i shquar i Shtetit Shqiptar. Në takim
ishin të pranishëm vetëm katër vetë. Në fund Kryeministri shqiptar kishte
përgatitur një dhuratë-surprizë. Dëshmitarët kanë thënë më pas se Çe Guevara e
mori automatikun e dhuruar nga Shehu, u ul në gjunjë dhe puthi armën.
Fundi i aventurës luftarake
Në
vitin 1965 Guevara u nis për në Kongon Afrikane, për të mbështetur dhe trajnuar
rebelët e të udhëhequr nga Laurent Désiré Kabila. Përpjekja për çlirim dështoi
keq, dhe Guevara shpejt u kthye në fshehtësi në Kubë. Më pas ai udhëtoi për në
Bolivi, ku u bashkua me rebelët guerilë në një përpjekje për të rrëzuar René
Barrientos. Mungesa e mbështetjes lokale, ardhja e CIA-s dhe një gjueti e
udhëhequr nga “Rangers” bolivianë të stërvitur nga Amerika, do t'i sillnin një
fund të shpejtë misionit.
Më
8 tetor 1967, forcat “Rangers” të Bolivisë kapën Guevarën dhe, më 9 tetor, ai u
ekzekutua në La Higuera me urdhër të komandës së lartë të ushtrisë. Sipas The
New York Times, një oficer i CIA-s ishte i pranishëm për ekzekutimin e
Guevarës, megjithëse operativi më vonë tha se CIA e donte atë të gjallë.
Fotot
e trupit të vrarë të Guevarës u bënë publike dhe duart e tij u prenë dhe u
dorëzuan në Kubë për të vërtetuar vdekjen e tij. Megjithatë, vendi i varrimit
të Guevarës u mbajt sekret deri në vitin 1997, kur eshtrat e tij u identifikuan
dhe u kthyen në Kubë. Ai u rivarros në një mauzoleum në Santa Clara.
Udhëheqësi
revolucionar komunist, ishte 39 vjeç kur u ekzekutua.
“Përgjithmonë komandant”
“Hasta
siempre” është titulli i këngës së kënduar nga Natali Kardone, si versioni më i
qarkullueshëm.
“Hasta
Siempre, Comandante,” “Përgjithmonë komandant”, është një këngë e vitit 1965
nga kompozitori kuban Karlos Puebla. Teksti i këngës është një përgjigje ndaj
letrës së lamtumirës të revolucionarit Çe Guevara kur ai u largua nga Kuba, në
mënyrë që të nxiste revolucionin në Kongo dhe më vonë në Bolivi.
Teksti
tregon çastet kryesore të Revolucionit Kuban, duke përshkruar Che Guevara dhe
rolin e tij si komandant revolucionar. Titulli është pjesë e thënies së njohur
të Guevarës "Hasta la victoria siempre!" (“Deri në fitore,
gjithmonë!”).
Një mit i suvatuar
Guevara
u kthye në një nga ikonat më të diskutueshme të shekullit të XX. I romantizuar
si martir dhe hero nga shumë njerëz, fytyra e tij është stampuar në monedhën
kubane. Jeta e tij ka qenë temë e filmave, librave dhe dokumentarëve. Një imazh
tashmë i famshëm i Guevarës i veshur ushtarak, me një beretë me yll është bërë
një simbol ikonik i rebelimit, i suvatuar jo vetëm në bluza e postera por dhe
në shumë mure qytetase. Por të tjerë e konsiderojnë atë një tiran të
pamëshirshëm që promovoi komunizmin, fajtor për shkeljet e të drejtave të
njeriut.
Pesëdhjetë
vjet pas vdekjes së Guevarës, The New York Times shkroi se, “në mënyrë
paradoksale, rebeli ishte bërë një simbol i ndryshimeve historike me të cilat
ai nuk identifikohej, për të cilin ai nuk luftoi dhe që u rrit vetëm pas
vdekjes së tij.”
No comments:
Post a Comment