Leonard
Veizi
Nami
në rrjetet sociale. Aq nam sa njerëzit nisën e të flisnin përçart. Thonë se në
këto raste, çka barku nxjerr bardhaku. Po ec e ta vërtetosh...
Një
herë e një kohë Haki Stermilli shkroi romanin “Sikur të isha djalë”. Por sot ka
ardh puna me u shkrujt një tjetër roman por këtë herë me titullin: “Sikur të
isha vajze”. Po pse?, - do pyesë ndokush. Në fakt ky nuk është as ndonjë mendim
i im i drejtpërdrejtë, por rrjedhojë e humorit mbarëpopullor. Sepse ndodh
rëndom që kur merret vesh se sa paguhen eskortat e klasit të lartë, shumë
meshkuj tundin kokën të trishtuar dhe thonë: Si s’na boni Zoti femna por jahu.
Kështu
më ndodhi me një të njohurin tim, tek po ndanim një kafe dhe ai si si gjithë të
tjerët, - meqë përtonte të blinte një
gazetë, - kishte zhytur kokën brenda
ekranit të celularit nga ku mendonte se po merrte informacione me diapazon
ndërkombëtar.
Trapeza
e kafesë kishte mbetur pa tekst, por atë çast ai lëshoi pa kujdes aparatin e
celularit mbi syprinë, ngriti kokën e tundi pak e duke shqyer sytë tha
mendueshëm: Sikur të isha vajzë.
Duke
e menduar fillimisht si lapsus ia ktheva: E ke gabim. Haki Stërmilli ka shkruar
romanin: Sikur të isha djalë. Por ke hak, kanë kaluar vite dhe e ke harruar.
Tjetri
tundi përsëri kokën por këtë herë me një tjetër nënkuptim, si për të më thënë:
je në këtë botë ti apo jo.
-Lere
Hakiun, se ka 100 vjet që e ka shkruar atë roman. Duket që nuk je azhurnuar me
lajmet e fundit. Le po je dhe gazetar.
Pika
pllakave... Se u ngatërrova: pika gazetarit, - desha të them.
U
ndjeva në faj. E që të mos dukesha nul hapa dhe unë celularin që prej ca kohësh
kam vendosur ta përdor vetëm në rast rreziku. Po të le njeri... Që në ballë më
doli lajmi se një femër VIP nga Shqipëria i kishte shku nata në Dubai...
fififiuuuuu... O të keqen lala e t’u bofsha kurban.
-Prandaj
po të them, duhet shkruar një roman i ri tani, - vazhdoi i njohuri im. – Se ti
je dhe si punë kamelxhiu, si ai.... Nesti i Postës. Ndaj futju punës.
Unë
ngrita supet nga paaftësia aq sa u bëra për t’i ardhur keq gurit e drurit.
-Se
shkruaj dot, se jam mashkull.
Dhe
në mend më erdhi sërish një batutë nga filmi “Përrallë nga e kaluara”
-Pije
uratë, pije
-Po
jam prift njeri
-E
di urat, e di po pije.
Dhe
urata vuuuu... gotën e verës me fund aq sa nuk pa më nga sytë e ia mori valles.
Domethënë
na paska ardhur koha të shkruajmë romanin “Sikur të isha vajzë”.
Tobestrakurullah.
-Një
javë punë byrazer dhe i thua fukarallëkut tutje. 100 mijë dollarë nata. A e
sheh se ç'bëhet?
-E
shoh o Qazimo, e shoh.
Lek
vëlla lek. U shqepën shqiptarët me pare. Ca me shtëpi bari, ca duke u bërë
qefin sheikëve. E ca të tjera kriminelëve. Epo një punë do ta bëjnë tani se dhe
duarkryq nuk rrihet.
Pasaniket
e Dubait janë vënë në garë. Para me grushte për femrat VIP. Jo vetëm e bukur
dhe seksi, por të jetë dhe personazh publik. Këshu thonë axhanset, pa ç’rëndësi
ka në është e vërtetë apo një falsitet. Ku ka zë nuk është pa gjë. Se nuk është
hera e parë që flitet për femrat shqiptare të Dubait. Edhe po të jetë e vërtetë
sërish ç'rëndësi ka. Te e fundit me djersën e tyre të ballit po jetojnë. Të jep
njeri lek qyl? Asnjeri. As një gur me ça kokën s'ta jep tjetri, se i dhimset.
Një pjatë supe edhe mundet...
Tirana
tronditet herë pas here me lajme për femrat shqiptare që u çanë duke bërë para
të thata e të patatueshme në vendet e pasura me arin e zi. Lajme sekrete. Lajme
misterioze. Lajme që përbëjnë sekret hetimor, por kanë rrjedhur nga dosjet. Domethënë
flitet për njerëz me precedent. Se djemtë e mirë nuk përfundojnë tek dosjet e
SPAK-ut.
Po
kush i nxirrka këto lajme? Se nuk është hera e parë që na rrjedhin sekretet nga
dosjet e kasafortës. Kush është ai kodosh prokurori që hedhka në treg sekrete?
Se duhet të jetë goxha trim besoj.
-Jo,
duhet trimëri apo jo. Trimëri edhe aftësi. Ju i keni të dyja. Jeni dhe i pashëm
- i thoshte duke nënqeshur oficeri i OVRAS tenente Gurabardhit, teksa ky i
fundit po bënte hazër një duhan me të dredhur. Le po i kujtoi dhe shtratin e
butë të sinjora Bertinit.
Në
Dubai njerëzia shkon edhe pa viza. Hipi avionit dhe drejt e në vend të shpie.
Pazari po është kopsitur. S'ka tërci e vërci.
-Eh
sikur të isha vajzë, - psherëtinte bashkëbiseduesi im dhe vazhdonte të lexonte
lajme nga celulari.
Me
siguri po i kthehej në obsesion.
-Thonë
që bëhesh, por duhet me kapërcy ylberin, - ia ktheva.
Dhe
ec e ta gjesh ylberin. Rrugë e gjatë.
-Ore
po thonë që janë mashtrime pale... videot i paska bërë njoni me inicialet AI.
Di gjë ti?
Me
siguri e di prokurori nga dosja e të cilit ka rrjedhur informacioni. Sepse mua
atë çast m’u kujtua vetëm batuta e Çelos tek filmi “Nxënësit e klasës time”
-Dje
më kapi Çelo Kasapi. Kërkonte të ndërhyja mik për të birin “Më mirë një mik se
një çiflig”, - me tha. Ore Çelo, - i thashë, - unë nuk punoj në çiflig. Unë jam
agronom në fermë.
Kështu
dhe puna ime: unë gazetar në fund të rreshtit aty në gazetë jam. Nga ta di unë
i ziu.
Po
te e fundit ç’rëndësi ka nëse ishte i vërtetë lajmi në fjalë apo e kishte
prodhuar inteligjenca artificiale. Lajme të tilla ka boll, dhe janë krejt
reale.
No comments:
Post a Comment