Nga Leonard Veizi
Të
qeshësh mbi fatin tënd, apo më mirë të thuash mbi fatkeqësinë tënde. Të qeshësh
sepse nuk qan dot. Sepse po të qash bëhesh edhe më qesharak. Të qeshësh duke
parë fytyrën tënde në pasqyrë. “Kalorësi i fytyrës së vrerosur: do të shkruante
Servantes 500 vite më parë. Kjo e jona nuk është e vrerosur. Është e salduar.
Por shëmtia e fytyrës nuk të alarmon më, sepse ti je mësuar me të. Të bën
thjesht të qeshësh. Dhe nuk ka shans që për shkak të deformimeve ti ta mbash
frymën drejt e tek kirurgu estetist. Të bësh ndonjë korrigjim hunde a buzësh.
Të zvogëlosh veshët e të mbjellësh ca flokë të rinj. Apo në fund të fundit t’i
fusësh një “ritaç” në kompjuter. Ti kërkon të qëndrosh ashtu siç je, i paepur
në shëmtinë tënde. Normal. Sepse nuk do të ishe më ti. Megjithëse në këtë botë
për shkak të ndikimit psikologjik, - qoftë dhe për shkak të teknologjisë, -
gjithçka kurohet, shqiptarët vazhdojnë me avazin e vjetër: të çjerrin fytyrën e
tyre.
Këtë
na mëson dhe një komedi, që sot nuk është fort e njohur se sapo është është
ngjitur në skenë, por me siguri në të ardhmen e afërt do të afirmohet si e
tillë tek spektatori i gjerë.
Në
ditët e Festivalit të Teatrit Shqiptar “Moisiu”, në pamundësi për të ndjekur të
gjitha shfaqjet zgjodha njërën prej tyre: “Dëshira e tretë” e vënë në skenë nga
Teatri “Petro Marko”, Vlorë, me dramaturg Ferdinand Hysin e regjisor Roland
Mingën. Çështje shansi, apo më mirë të
themi kjo ra kur u hodhën zarat.
Interesi
ishte i madh. Jo vetëm për këtë shfaqje sigurisht. Sepse jemi në ditë festivali
dhe skenografitë ndërrohen njëra pas tjetrës për të pritur trupat pjesëmarrëse.
Ne presim zgjedhjen tonë. Dhe futemi me urgjencë brenda për të zënë vendet, gjë
që tregoi se ishte një sukses i pritshëm. Dhe imagjinoni sa zhgënjyese do të
ishte nëse suksesi nuk do të ishte ai që pritej. Por jo: Këtu nuk kemi të bëjmë
më me hedhje zaresh dhe as me bixhoz. Fillimisht këtu shihen emrat: Garanton
dramaturgu Hysi dhe regjisori Minga, garantojnë aktorët Mamaj, Thomaraj por dhe
Islami e Çaushi, garantojnë.... të gjithë në fakt.
Në
pamje të parë komedia duket me një fabul të thjeshtë: Një Xhind kërkon t’u
plotësojë ca njerëzve tre kërkesa. Eh, e njohur fabula,... ohu, që nga “Një mijë
e një netë”. Por si është motivuar komedia: Në ditëlindjen e gjyshit të
shtëpisë, e gjithë familja është mbledhur si për një ngjarje të zakonshme,
shpejt e shpejt dhe kaq. Ikja e dritave do të provokojë kërkimin e një kandili
të vjetër, i cili nuk është gjë tjetër veç… llamba proverbiale e Xhindit që
plotëson tre dëshira. Por cilat do të jenë tre dëshirat, kur kushti i vetëm për
realizimin e tyre është që e gjithë familja të jetë në të njëjtin mendim.
Këto
tre dëshira ne si spektatorë të thjeshtë nuk i marrim dot me mend, përderisa
dhe autori nuk na i ka vënë përpara në pjatë. Se aty u fol që njëri donte të
bëhej president, një tjetër ministër, njëri deputet, dhe një si punë
zëvendës-shefi që nuk ia varte njeri të bëhej shef tek e fundit, në mos po ambasador.
Pastaj u ndez dhe më keq debati se filluan kërkesat për shtëpi e orendi, e më
the e të thashë...
Po
a ka mundësi që në kaq shumë kërkesa të shkunden e tunden dhe të rezultojnë
vetëm tre?
Vetëm
nëse autori kishte gjetur çelësin se si 7 shqiptarë mund të bëhen bashkë për të
dhënë të njëjtin mendim. Kjo e bëri edhe më kureshtare ndjekjen e vazhdimësisë
së komedisë.
Nisim
të bëjmë një llogari. Pra kemi tre dëshira dhe asnjë më shumë, që Xhindi,
- të cilin shqiptarët entuziastë e
pagëzuan me emrin Xhimi për ta bërë më kontemporan, - i realizon sa hap e mbyll
sytë. Janë 7 personazhe por që kanë të paktën 14 dëshira... ndoshta dhe 21 a 28
ec e ta marrësh vesh. Po cila nga dëshirat do të triumfojë, që t'i shkojë
Xhindit Xhimi për zbatim?
Kujë
e zezë.
Këtu
nis dhe kacafytja. Këtu nisin dhe skenat plot batuta dhe humor. Asnjëri nuk i
hap rrugën tjetrit. As babai vajzës, as vjehrra dhëndrit dhe as komshiu që
kishte shkuar në ditëlindjen për t'i rënë qylit e për të ngrënë ndonjë copë
torte. Kush të lë o vëlla? Të gjithë e kanë nga një ëndërr në sirtar. Mjerë
sirtari po u hap.
S’ka
burrë që mund të bëjë 7 shqiptarët bashkë në të njëjtën mendje. Dhe ky është
realiteti i përditshëm tek e fundit: konfliktualiteti, i cili shoqëron
shoqërinë tonë dhe jo vetëm, tash e shumë vite. Aq sa dhe Xhindi që po rrekej
të zbatonte misionin e tij tha: Vetëm në sherr qenkeni të gjithë të të njëjtit
mendim.
Në
fund të fundit një veti për të qenë bashkë të gjithë e paskemi ne si shqiptarë.
Dhe për kaq duhet gëzuar.
Trupa
e Teatrit të Vlorës, erdhi në Ar’Turbina me një skenografi interesante e krejt
fleksibël realizuar nga Drini Shehu i cili kish përzgjedhur dhe kostumografinë,
ndërsa formulimi muzikor ishte vepër e Artur Dhamos.
Falë
aktorëve me talent e plot përvojë, Astrit Mamaj, Artan Islami, Margent Çaushi,
Lavdimir Abilaliaj por dhe atyre më të rinjve në moshë, Eliona Thomaraj,
Matilda Avduli, Algiona Aga, Ermir Hoxhaj, trupa “Petro Marko” arriti të
përcjellë në mënyrë të shkëlqyer mesazhet e koduara të autorit të cilat ishin
çkoduar nga regjisori.
Dhe
përfundimi, - pasi Xhindi kthehet në shishen e tij si ka çuar në djall tre
dëshirat e 7 personazheve, është: Asnjë mrekulli e magji nuk mund të zgjidhë
hallet e një shoqërie, nëse zgjidhja nuk gjenerohet nga ndërveprimi, toleranca
dhe pranimi i ekzistencës së njëri-tjetrit.
Dhe
kaq.
Për
më tepër komedia duhet ndjekur në skenë, pasi një shkrim gazete as e rrënon dot
nga kritika dhe as e ngre dot në piedestal. Thjesht vepra duhet regjistruar në
shirit manjetik që të transmetohet për telespektatorin dhe atëherë kur aktorët
ta kenë "braktisur" atë sepse një vepër e re duhet ngjitur sërish në
skenë.
No comments:
Post a Comment