Leonard Veizi
Çfarë
do të thotë patriot? Fjalori i gjuhës shqipe e shpjegon në këtë mënyrë: Ai që
do atdheun dhe popullin e vet dhe që u shërben atyre me besnikëri, ai që lufton
me vetëmohim për të mbrojtur interesat e vendit e të popullit të vet... etj,
etj.
Tani
vjen pyetja e dytë: A jemi ne shqiptarët patriotë?
E
di anatemimin kur vihet në dyshim një gjë e tillë. Se tek e fundit: “kush je ti
që e vë në dyshim”. Po t’i pyesësh një e nga një të gjithë shqiptarët, - fjala
vjen të kishte një kategori tek censusi, - të gjithë dalim patriotë të kulluar
që jemi gati të sakrifikojmë laçkë e plaçkë, edhe paratë, në shërbim të kombit.
Si burrat një herë motit. Por në fakt, si tërësi, nuk është se dukemi fort të
tillë. Domethënë dalim patriot me fjalë.
Për
patriotizmin populli dhe figura të veçanta kanë nxjerrë plot aforizma: Për
shembull kjo është e shkrimtarit amerikan Eduard Abei: Një patriot duhet të
jetë gjithmonë i gatshëm ta mbrojë Atdheun nga qeveria e tij.
-Qyqja,
ç'na the!
Por
At Gjergj Fishta e ka dhënë më bukur me vargjet e tij: Flamuri kombëtar nuk ka
ç'ka ban nder ne, po kje se dashtni nuk kem' për Atdhe!
Fundi
i nëntorit na ka rezervuar ne shqiptarëve dy festa kombëtare ku njëra është më
e rëndësishme dhe që ka të bëjë me shpalljen e Pavarësisë, - pra me bërjen e
një shteti në fund të fundit, - dhe
tjetra ka të bëjë me çlirimin e vendit nga trupat naziste të Rajhut të Tretë.
Të dyja festat në kalendar shënohen me të kuqe, që do të thotë pushim.
Por
kjo është thikë me dy presa, se më shumë se simboli i festës shihet tavolina e
festës. Edhe 28-ta edhe 29-ta. Lë gjumë deri afër mesditës, e pastaj drejt e me
kokë në tryezën e mishit, po fundja dy të rrahura të bëjnë keq, se dy të
ngrëna... gjak e dhjamë të bëhen.
Ka
nga ata që për hir të festës së Shpalljes së Pavarësisë e nxjerrin nga një
flamur kuq e zi tek parvazi i dritares. Kjo edhe mund të quhet një element
patriotizmi. Por gjithsesi është një patriotizëm fasadë. Sepse mund të mos jesh
fare patriot, dhe sa për sy e faqe e nxjerr flamurin jo një a dy ditë në
dritare, por për inat të 365 ditët e vitit. Mirëpo kjo nuk mund të quhet trend
në Shqipëri, as modë. Ne qejf kemi të valëvisim flamurin kur fiton ekipi i
futbollit që përfaqëson kombëtaren, që në fund të fundit edhe ky është një
tjetër lloj i segmentit patriotik.
Por
a duhet të mjaftohemi me kaq.
Po
edhe me kaq mund të mjaftohemi se tek e fundit nuk do mendojmë 24 orë për
patriotizëm.
Kjo
puna e patriotizmit më kujton nja dy batuta të filmit “Përballimi”, me skenar
të Teodor Laços dhe regji nga Viktor Gjika, kur flitej për vitet e vështira të
një shteti të sapodalë nga lufta që ndodhej në vështirësi e i rrezikohej çapa e
bukës për nënshtetasit e vet.
-Çështja
e dorëzimit të bereqetit si detyrim bile dhe si tepricë është bërë jo vetëm e
domosdoshme që të jesh në rregull me shtetin, por është dhe si të them... edhe
detyrë patriotike. Kush i thotë vetes patriot nuk mënon të japi bereqetin. Vjen
puna kështu more vëllezër, njësoj si dje në luftë: nuk mund të rrish dot
mënjanë. O do të tregohesh patriot, o je...
-Shumë
thellë na fute djalë, shumë thellë. Mati fjalët se në ato thekra nuk hyjmë ne!
E
ja për kaq gjë flitet që të jesh patriot: të sakrifikosh diçka nga vetja për
tjetrin, që është po prapë i yti. Sepse të japësh për atë që është në nevojë
diçka që është e jotja, që e ke fituar me punë e me djersë, është edhe
solidarizim edhe altruizëm, por edhe patriotizëm. Se ka të bëjë me mbarëvajtjen
e punëve brenda shtëpisë tënde të madhe. Kjo do të thotë që duhet një
marrëdhënie e ndërsjellë e shtetit me individin. Të jap më jep, dhe sërish
mbetemi tanët. Por kur njëra anë rëndon mbi tjetrën edhe të qenit patriot nis e
merr tatëpjetën.
Natyrisht
në 70-80 vitet e fundit ne nuk jemi vënë në provë si popull për të treguar
patriotizmin. Në 111 vitet e shtetit duhet thënë se shqiptarët u treguan
patriot edhe në Luftën e Vlorës më 1920 edhe gjatë viteve të Luftës së Dytë
Botërore, por dhe në Luftën e Kosovës. Ashtu siç treguam dhe anën tjetër të
medaljes kur në vitin 1997 e shkatërruam shtetin, sikur ai të ishte armiku ynë
më i madh.
Epo
bëjnë vaki edhe gjëra të tilla.
Mirëpo
botës i ka mbetur në kujtesë shqiptari me antitank e kallashnikov... dhe jo më
me drapër në dorë duke korrur grurin dhe as majë traktorit “Stalinesk” duke
hapur toka të reja.
Në
të vërtetë Shpallja e Pavarësisë apo e ngritjes së Flamurit siç e njohim
ndryshe, çuditërisht kalon me një lloj heshtje. Nuk është se ka ndonjë
entuziazëm të dukshëm nëpër rrugë. Shumë më tepër ka për Shën Valentinin, ku
dynjaja shkulet për të kapur Kodrat e Liqenit Artificial. Lëre për Ditën e
Verës. Hajde babam, hajde. Vlon ballakumja dhe ahengu.
Kot
i biem në qafë popullit. Tek e fundit secili i di vetë punët e veta. Ne mund ta
tregojmë patriotizmin tonë jo vetëm në rrjetet sociale dhe kur shkojmë në
stadium, por duke shtrënguar çdokush familjen e vet, pra qelizën bazë. Ne mund
ta tregojmë patriotizmin si njerëz punëtorë e jo si spaçatorë. Ne mund ta
tregojmë patriotizmin duke kontribuar në shtet jo duke e rrjepur shtetin që
pastaj të themi: e çfarë bën shteti për ne?!
Mos
e teprova gjë duke bërë moral?
Edhe
kujt pa...
Vitet
e fundit nuk është se jemi shquar për patriotizëm. Sepse patriot do të thotë jo
vetëm ta duash vendin tënd me fjalë e duke bërë tatuazh shqiponjën dykrerëshe
në llërë, por dhe të kontribuosh në të gjitha hallkat dhe mbi të gjitha të
kërkosh të drejtat e tua nga shteti tek i cili investon. Po ke parë ndonjë
demonstratë civile për të drejta civile? Për çmimet fjala vjen, apo për ngritje
rrogash, për sistemin arsimor, apo atë mjekësor...
Mos
mor e fol.
Hajde
patriotizëm, hajde. Ndaj shqiptarët e kanë më të lehtë t'ia futin vrapit e të
kalojnë gardhin, duke thënë: ky vend nuk bëhet.
Çështje
e mungesës së besimit.
Ne
nuk para i besojmë shtetit tonë. Si gjermanët fjala vjen. Na duket sikur na e
ka gjithmonë me të futur. Sepse kur shkojmë për të mbaruar një hall, me shumë
gjasa nuk e mbarojmë atë. Dhe nis zhgënjimi. Na duken vetet e huaja më të mirë
se i yni. Ndaj preferojmë të flemë poshtë urës duke braktisur dyshekun e
shtëpisë.
Megjithatë
mund të jetosh jashtë shtetit dhe të jesh shumë më tepër patriot se sa ata që
jetojnë përditë brenda kufijve administrativë. Sepse patriotizmi nuk ka të bëjë
as me largimin dhe as me qëndrimin në vendin ku ke lindur. Në fund të fundit
patriotizmi është frymë.
No comments:
Post a Comment