22 nëntor 1963
Nga Leonard Veizi
E
premtja e 22 nëntorit 1963 në Dallasin e Teksasit rezatonte prej diellit. Nga
një makinë e hapur tip “Lincoln”, presidenti amerikan Kenedi dhe bashkëshortja
e tij gjysmë franceze Zhaklin, përshëndetnin qytetarët e shumtë që qëndronin
anash rrugëve. Para tyre ishte ulur guvernatori i Teksasit Xhon Koneli me gruan
Neli. Në ora 12.39, kolona iu afrua udhëkryqit të rrugëve “Elm” dhe “Houston”,
pranë ndërtesës së një biblioteke. U dëgjuan krisma. 46-vjeçari Xhon Fitxherald
Kenedi, që ishte dhe Presidenti i 35-të i Shteteve të Bashkuara, ishte qëlluar.
Bashkëshortja e tij, e veshur me “Chanel” të kuq, u mbulua nga gjaku. Kamerat
që ndiqnin vizitën presidenciale regjistruan atë çfarë ndodhi në makinën e
pambuluar që shoqërohej nga motorrët e policisë dhe sigurimi civil. Presidenti
i plagosur rëndë u dërgua menjëherë në “Parkland Memorial Hospital” tek Dhoma e
Traumës 1. Një gazetar që raportonte para spitalit dha lajmin: "Presidenti
i Shteteve të Bashkuara ka vdekur". Shumëkush mban mend fytyrën dhe
përlotjen e Uollter Kronkeit që trasmetonte nga “CBS News”
Ishte
ora 13.00 dhe Kenedi i shumëpërfolur
kishte 1063 ditë në detyrë si president...
...E
konsideruar si vrasja e shekullit, goditja vdekjeprurese ndaj presidentit
amerikan, vazhdon te jetë pa autor. Ç'është e vërteta autor i dyshuar i
ngjarjes u shpall Li Harvei Osvald, një ish ushtarak i rekrutuar në Korpusin e
Marinës, por që kishte bërë kërkesë për heqjen dorë nga nënshtetwsia amerikane
dhe për shkak të pikpamjeve të tij ultra të majta donte të jetonte në Bashkimin
Sovjetik.
Ngjarja
Pak
minuta pas atentatit, Osvald u arrestua në Teatrin e Teksasit. Policia më pas,
në katin e 6-të të bibliotekës, zbuloi pushkën që ishte përdorur për vrasjen e
Kenedit. U vërtetua se Osvald e kishte blerë përmes postës, dhe arma mbante
gjurmët e gishtërinjve të tij.
Sipas
hetuesve të qeverisë dhe hetuesve të pavarur, njëri plumb e goditi Kenedin
prapa qafës dhe i kaloi nëpër fyt, që më pas të vazhdojë nëpër shpatullën dhe
krahun e guvernatorit Koneli dhe të përfundojë në këmbën e këtij të fundit.
Plumbi tjetër e goditi Kenedin në anën e djathtë të kokës, duke e qëlluar për
vdekje. Kenedi vdiq, kurse Konoli mbeti gjallë. Ky më vonë u quajt "plumbi
magjik", një teori e mbështetur nga Komisioni qeveritar “Warren”.
Një
hetim 10-mujor nga Komisioni Warren arriti në përfundimin se Osvald kishte vepruar
i vetëm. Ndërsa në një akt që mbetet ende sot një mister, mafiozi Xhek Rubi e
vrau Osvald përpara se ky i fundit të mund të dilta para gjyqit. Dhe të dielën
e datës 24 nëntor 1963, në orën 13.00 në po të njëjtën urgjencë të “Parkland
Memorial Hospital” u bënë përpjekje të kota për të mbajtur në jetë vrasësin e
Presidentit, Li Osvald.
Por
a ishte vërtet Osvald ai që vrau Presidentin?
Në
kundërshtim me konkluzionet e Komisionit “Warren”, Komiteti i Kongresit
Amerikan për Vrasjet, në vitin 1979 arriti në përfundimin se Kenedi “ndoshta
ishte vrarë si pasojë e një komploti”. Komiteti pranoi përfundimet e Komisionit
Warren, se plagët vdekjeprurëse të Kenedit ishin shkaktuar nga tri goditjet me
snajper të Osvald, por ata gjithashtu përcaktuan ekzistencën e një arme zjarri
shtesë, bazuar në analizën e një regjistrimi audio, dhe për këtë arsye
ekzistencën e një “mundësie të madhe që dy persona të armatosur, të kenë
qëlluar në të njëjtën kohë mbi presidentin”.
Ndërkohë
vrasja e Kenedit mbetet ende subjekt i një debati të gjerë, duke prodhuar teori
të shumta konspiracioni dhe skenare alternative.
Filmi
Rreth
misterit dhe alternativave mbi vrasjen e Presidentit amerikan janë shkruar një
pafundësi librash. Por ajo që mbetet si maja e krijimtarisë artistike mbështetur
mbi një histori reale është filmi “JFK” i cili është trasmetuar dhe për ekranet
shqiptare. Ai konsiderohet si një film thriller epik politik i vitit 1991, me
regji nga Oliver Stone me aktor protagonist Kevin Kostner.
Oliver
Stone na ka përcjellë një histori ngjethëse. Ai është bazuar dhe mbi teori
konspirative për të na dhënë një dimension të fshehur të historisë. Në këtë
film vrasja e Presidentit duket më shumë se një komplot. Stone ka guxuar fort
të futet në thellësi të problemit.
Filmi
shqyrton hetimin për vrasjen e Presidentit Kenedi nga prokurori i qarkut të Nju
Orleans, Xhim Garrison. Skenari u përshtat nga Stone dhe Zachary Sklar mbi
librin “On the Trail of the Assassins” që në shqip vjen si “Në gjurmët e
vrasësve” me autor Xhim Garrison, i botuar nga “Sheridan Square” në nëntor
1988. Sepse Garrison besonte se kishte një komplot për të vrarë Presidentin dhe
se Li Harvi Osvald nuk veproi vetëm. Vetë Xhim Garrison ka qenë Prokuror i
Qarkut i Orleans Parish, Luiziana, nga viti 1962 deri në 1973. Ai është dhe
autor i tre librave.
Në
fund të fundit vrasësi është një emër, dhe kjo nuk merr ndonjë rëndësi të
veçantë. Por ata që e çuan atë drejt krimit me gjasa nuk mund të gjenden kurrë.
Oliver
Stone e përshkroi këtë rrëfim si një "kundër-mit" ndaj "mitit
imagjinar" të Komisionit Warren. “JFK” është konsideruar i diskutueshëm
për shkak të përqafimit të teorive konspirative. Shumë gazeta të mëdha
amerikane botuan editoriale duke kritikuar regjisorin e filmit për manipulime
historike, duke përfshirë nënkuptimin e filmit se zëvendëspresidenti Lindon
Xhonson, ishte pjesë e një grushti shteti për të vrarë Kenedin. Sepse prokurori
i rrethit misterioz i jetës reale të Nju Orlinsit, që interpretohet nga (Kevin
Costner) niset të hetojë vrasjen e presidentit të SHBA-së. Në këtë proces, ai
zbulon një komplot të ndërlikuar që përfshin një grup homoseksualësh dekadentë
të udhëhequr nga biznesmeni i dyshimtë Klei Shou interpretuar nga Tomi Li Xhons
dhe shumë bashkëpunëtorë të tjerë, nga mafia dhe kubanezët e krahut të djathtë
deri te CIA dhe presidenti i ardhshëm Lindon Beins Xhonson. Në film, Garrison
ndihet i detyruar të mësojë të gjithë të vërtetën, veçanërisht pasi komisioni i
Erl Uorren është ekspozuar si një mashtrim i motivuar politikisht. Një gjeneral
i paidentifikuar, interpretuar nga Donald Sutherland beson se e vërteta qëndron
në rolin politik të kompleksit ushtarak-industrial të Shteteve të Bashkuara,
një entitet jashtëzakonisht i fuqishëm që ka kaluar qeverinë amerikane.
Pavarësisht
polemikave, “JFK “mori vlerësime kritike për performancat e kastit, regjinë,
muzikën, montazhin dhe fotografinë. “JFK” u nominua për tetë çmime Oscar, duke
përfshirë filmin më të mirë, dhe fitoi dy prej tyre: për Kinematografinë më të
mirë dhe Editimin më të mirë të Filmit. Por filmi është vlerësuar dhe me çmime
nga “Academy Awards”, “Golden Globes” dhe “BAFTA”.
No comments:
Post a Comment