Friday, November 17, 2023

Panairi i shëmtuar i një libri të bukur

















Nga Leonard Veizi
 
Libra të bukur ka sa të duash por s’ka më lexues.
Sentenca për nisjen e këtij shkrimi duket sikur i mbivendoset shprehjes aq të popullarizuar: Punë ka por s’ka profesionistë. Mirëpo ka një non sens në këtë mes. Sepse sentenca që nënkupton marrëdhënien punëdhënës - punëmarrës është një gjë e dukshme, pasi në çdo fasadë xhami do të ndeshësh në letra formati A4 që shkruajnë: kërkojmë punëtorë. Për librin është ndryshe. Nëse shkon të bësh një xhiro në ambientet e Panairit të Librit, do të gjesh aq shumë lexues saqë përmbledhja kundërshtuese në nisje të shkrimit bie kokëposhtë.
Tim-tamet për panairin e përvitshëm të librit nisën që në tetor. Sepse tetori ka mbetur tashmë si muaji i letërsisë, ohu... që nga koha e diktaturës. Jo se na e la në testament Enveri, por sepse përkoi që përgjatë tetorit të kishin ditën e lindjes disa nga poetët më në zë të gjuhës shqipe.
Ndërkohë kemi muaj letërsie, kemi dhe panair libri. Por nuk kemi lexues. Ç'të them më shumë: ndonjëherë këto gjërat e vogla e si të parëndësishme të bëjnë hatanë.
Sërish po ngul këmbë si mushka, edhe pse e di që rrezikoj.
Sepse libra kemi e kemi, por paskemi dhe lexues me bollëk. Këtë e tregon Pazari. Nuk ka nevojë për njësi të tjera matëse.
Lexuesi në fakt është tretur si kripa në ujë. Se nuk mund ta barazosh me sheqerin për t’i dhënë ca vlerë më tepër një lexuesi që e ka hedhur librin në kanalin e ujërave të zeza ngaqë shpejtoi të blinte një smartfon për t’u ngërdheshur me shakatë e tik-tokut kinez.
Hajde zdap hajde. Ti qenke për thikë... drejt e në sallën e operacionit. Pa narkozë fare madje.
Zakonisht njerëzia kur dëgjon për organizim panairesh ia ther vrapit e zë radhën të hyjë: Mbase del ndonjë gjë qyl. Po çfarë qyli do dali nga libri a derëzi? Nuk është si te panairi agroushqimor, që vete, pi një birrë, i hedh barkut dhe ndonjë copë djathë dhe e heq nga menuja gjellën e shtëpisë. I vetmi qyl me librin ka të bëjë me perspektivën. Që do të thotë: e lexon sot por mend të vijnë mot. Domethënë të duhet njëfarë kohe që ta ndjesh.
Ç'është e vërteta Panairi shet. Dhe ky në plan të parë duket si tregues. Pavarësisht se çfarë ndodh më pas. Sepse dardha e ka gjithmonë bishtin nga mbrapa.
Dhe ne në fakt nuk ka ç'na duhet Panairi i Librit ku shitet me shumicë, përballë faktit që në Shqipëri nuk ka më librari. Madje edhe Tirana si kryeqendër e qytet i një milion banorëve i numëron libraritë me gishtat e dorës. Në qendër gjithmonë. Se në periferi mund të gjesh vende për të luajtur bixhoz me zara, po librari e biblioteka... as në ëndërr nuk dalin.
-Ç'na përrallis, panik do të bësh?
Ore nuk ka lexues po u them. Libra po, sa të duash.
Ca thonë se lexuesi i librit, sidomos i atij artistik është elitar prandaj dhe janë të paktë në numër. Të jetë kjo thua? Edhe mundet. 
Sot është bërë e udhës që bukinistët e rrugës janë më të suksesshëm me shitjen e bibliotekave personale të njerëzve që i heqin ato nga banesat e tyre. Tek e fundit libri në shtëpi nuk është ndonjë orendi për t’u marrë parasysh. Sidomos kur në ambientin familjar ke një minibar me të gjitha etiketat e uiskit.
Që këtu fillon e bie numri i lexuesve.
Panairi nuk bën gjë tjetër veçse prish tregun. Sepse për snobizëm, një pjesë e njerëzve shkojnë dhe e blejnë nga një libër që më pas të bëjnë një foto për ta hedhur në rrjetet sociale, por që kjo sjell dhe prishjen e raportit të atyre pak lexuesve të kultivuar që u drejtohen librarive të mbetura. Jo më kot, libraria më e madhe në kryeqytet prej muajsh i ka vënë drynin derës.
Në fund të fundit, Panairi ka një tjetër qëllim dhe nuk realizon atë për të cilën zhvillohet: Takime me shkrimtarët dhe kontrata për botime. Atëherë po, do kishte vlerën e një manifestimi kulturor. Ndërsa ai është kthyer në një markatë ku interes ka vetëm shitja.
Shit, shit, shit... Jo në anglisht vëlla, shqip po flasim.
Dhe për këtë ka ca makinacione të vogla që kanë të bëjnë me politikën e çmimeve. Dhe shitjet kryhen. Me këtë mbulohen ca defiçite... si dhe hapen ca të tjera.
Po ka dhe yçkla të tjera.
Për panair janë turrur të dalin me botime ca e ca që o ju duket vetja “burra me mend” o ua kanë mbushur të tjerët që janë “burra me mend”. Zatem, përderisa për njërin prej tyre, një idiot klasik thotë së, është i krahasueshëm me tre nga korifenjtë e letërsisë botërore dhe po aq i denjë për të marrë çmimin Nobel. Dhe me këtë qershi përmbi tortë duhet me e marr Panairin dhe me e hedh shuk, dhe jo tek koshi i mbeturinave, por drejt e te makina e plehrave, që kjo e fundit ta çojë sa më parë tek inceneratori.
Deri diku jam dakord me lëpirjet që një takëm i bëjnë njëri-tjetrit, por jo kaq shumë se në këto raste infektohet gjuha e s’ka xherah që të bën derman. Veç me ta shkurtu fare.
Libra ka, lexues jo.
Ne jemi kthyer në një shoqëri argëtimi. Shou dhe kabare. Televizionet janë mbushur me emisione që marrin shikueshmëri maksimale por që në fund të fundit mbetet veç fasadë. Impakti është Zero. Libri ka mbetur në fund. Panairi në fillim. Janë ngatërruar rolet keq. Moda e varavingove nëpër korridoret e stendave mbushur me libra, të burrave me dosje në dorë dhe grave me çanta në krah, ngjan me personazhin e Vaskës që plotësonte kilometrazhin tek filmi “Ëndërr për një karrige”. E rëndësishme është një foto me një libër në dorë. Se dukesh i mençur shumë. Me tre libra akoma më mirë se nuk dukesh pabuks. Po hodhe një foto të tillë në rrjetet sociale të gjithë do të të përgëzojnë e do të japin për motiv një gisht të ngritur përpjetë. Jo atë të mesit, por atë të madhin e të trashin e kam fjalën. E do të thonë: Bravo ti që lexon! Paske durim derri.
Por në fakt teëi ke hapur smartfonin se nuk të durohet sa të shohësh kush u përputh dhe kush u divorcua. Le kur lajmet flasin për vrasje nga frëngjia. Atëherë vete ç'vete. Të mbetet bateria në dorë... dhe libri nën sqetull.
Libra të bukur ka, lexuesit kanë mbaruar.

No comments:

Post a Comment