Sunday, November 26, 2023

Universali Zef Deda


Nga 
Leonard Veizi
 
Në historinë e teatrit shqiptar ka plot aktorë që kanë luajtur mjaftueshëm në skenë, por për fatin e tyre të keq nuk u mbahet mend as personazhi dhe as ndonjë batutë. Ndërsa ai do të kujtohet në vazhdimësi qoftë dhe se ishe aktori më i përshtatshëm që mund të luante “kunatin e shokut Xhemal”. Dhe një prej batutave emblemë të humorit shqiptar, - pjesë e materialit letrar të Paulin Selimit, - është lëshuar prej tij kur në rolin e Lonit iu përgjigj pyetjes së kandidates për vjehërr: Si e pini kafen?
-Të mesme me pak, si shoku Xhemal.
Ashtu si dhe në shumë raste të tjera, ikja e një aktori që ka lënë gjurmë të thella tek spektatori, nuk arrin ta dimensionojë të gjithë aktin e vet tragjik. Sepse për aktorin, më shumë se sa në të gjallë të tij flitet pas vdekjes, atëherë kur ai nis të jetojë në një tjetër dimension. Kështu që ai mbetet sërish mes njerëzve si një kujtim, që në tërësinë konceptuale ka më tepër vlerë se sa koha e shkurtër që ai kalon mbi tokë fizikisht, me mish e kocka.
Kështu do të ndodhë edhe me të. Sepse prej 24 nëntorit 2023 kur dha frymën e fundit, ai do të jetë përjetësisht mes njerëzve si një aktor i gjallë e plot humor dinamik edhe pse në fakt nuk jeton më.
Zef Deda iku paqësisht nga kjo botë. Ishte 73 vjeç. Nuk ishte koha më e mirë për të ikur. Por meqenëse thuhet rëndom se kjo punë nuk ka rradhë, edhe ai nuk e priti rradhën. E ndoshta për shkak të tipit sanguin dhe plot energji, iku ca më shpejt nga sa mund të mendohej. Kohët e fundit nuk ishte ndjerë fort mirë me shëndetin. Por kjo nuk e bëri aspak pesimist dhe humori që i buronte e mbante me moral të lartë.
Tanimë ai është ngjitur në panteon. Ai na sheh, ne jo.
Dashuria ime vetiake për aktorin Zef Dedën nisi që atëherë kur ai në bashkëpunim me Gjosho Vasinë, në natën e ndërrimit të viteve, solli për fëmijët personazhin aq të dashur, Altinin. Nuk kishte mundësi që ne të prisnin aq gjatë, një vit të tërë, ose 365 ditë, që të mund të shihnim sërish aventurat e Altinit çapkën me xhaxhi Gjoshon që e vinte në lojë vazhdimisht. Dhe kjo do të vazhdonte vit pas viti.
Sot ky aktor universal, i batutës dhe pantonimës, i interpretimit dhe i imitimit nuk është më në jetë. Por edhe me vdekjen e tij ai solli sërish buzëqeshje. E trishtë sigurisht, por jo tragjike. Sepse sa herë do të kujtohet Zef Deda patjetër që bashkë me imazhin e tij do të shfaqet plastika e fytyrës së tij që përshtatej aq mrekullisht me rolin dhe do të kumbojë zëri me batutat e skajshme si në rastin e skeçit “Kushëriri nga Amerika” kur në një pako të shumëpritur nga përtej oqeanit, kushëriri i largët erdhi si hi në një qese, por që nga kushëriri shqiptar u mor si një pluhur supe, bashkë me testamentin sqarues:
-Ooooo.... Po pse s’tregon, ne qenkena tuj hangër kushurinin.
Në jetëshkrimin zyrtar për të thuhet se ai u lind më 27 korrik të vitit1950, pikërisht në Shkodër. Talenti i tij spikati qysh herët. Me shkathtësi dhe me një plastikë të shkëlqyer psiko-fizike, ai arrinte të realizonte pafund figura artistike. U shkollua në qytetin e lindjes, dhe më pas në Politeknikumin e Ndërtimit në Tiranë. Më pas nis shkollën e lartë në degën Gjuhë – Letërsi, por nuk e përfundon dot për arsye shëndetësore.
Për tre vite Zef Deda bashkëpunoi me Estradën e Ushtarit në Tiranë. Pas kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak, më 13 janar 1973, u emërua si aktor profesionist në Estradën e Shkodrës. Për më shumë se 40-vjet ka qenë pjesë e Teatrit “Migjeni”.
Mbante titullin e lartë “Mjeshtri i Madh” por më së shumti njihej si Çaplini shqiptar, për shkak të imitimit në perfeksion të aktorit të madh britanik.
Për Zef Dedën nuk ke pse flet gjatë. Për të ka folur vetë puna e tij. Mjafton të ndjekësh pjesët ku ai interpreton, përmes ekranit të televizorit dhe do mbash ijet me duar. Duket sikur është thjesht një aktor humori, por në fakt ai është po aq dramatik në humorin e tij.
-Doruntinë motër, dhashë fjalën që do të vija për urim për shtëpinë e re dhe erdha. Kapërceva 9 male me tulla, 9 gropa me ujë, 9 grumbuj me llaç. Shpirti im e din se ç’hoq, NSHN ta paça borxh.
Zef Deda ka lënë personazhe të pashlyera në memorien kolektive. Mjafton të kujtojmë këtu Lonin me shkollë të mesme, apo shokun Loni në qoftë se motra e tij do të ishte martuar me shokun Loro. Por e motra fatkeqësisht iu martua në fshat me Xhemal Katundarin, që çuditërisht pas ca vitesh erdhi me punë në Komitet. Që nga ai çast Loni nuk ishte më Loni, por kunati i shokut Xhemal. Kjo është një nga pikat kulmore të interpretimit të Zef Dedës. Veç asaj që “shoku-miku” si kishte ngrënë e pirë në shtëpinë e nëpunësit të tij dërgon shoferin për të thënë që gjatë darkës i kishte rënë një buton ari nga mënga e xhaketës. Së fundi, vjen batuta kur çifti Katerina Biga e Zef Deda kuptuan lojën e shefit:
-Ajjjj. Ai shoku-miku, i ka pat të gjitha mundësitë që të thoshte se nji ktu i ka ra dhe manjetofoni.
Por Zef Deda ka qenë dhe pjesë e kinematografisë shqiptare. Ai interpreton rolin e një piloti tek filmi “Gjurmë në kaltërsi”, ku dhe këndon me zërin e tij që kap një diapazon të lartë oktavazh, fragmentin lajtmotiv nga opera “Rigoleto”.
Zef Deda iku në amshim.
Në prurjet e statuseve ngushëlluese që u hodhën me këtë rast në rrjetet sociale, më tërhoqi vëmendjen një fjali ku thuhej: “Shkodra pa Zef Dedën sot ndihet më e vogël”. Përkundër këtij mendimi, më duhet të them se Shkodra rritet shumë më tepër edhe nga vdekja e aktorëve të saj. Sepse janë pikërisht ata që pasurinë e tyre ia kalojnë këtij qyteti magjik. Dhe ajo, kohë pas kohe bëhet edhe më e pasur, edhe më e fortë, edhe më e madhe sigurisht.
Sot ai nuk është më në jetë, por personazhet e tij jetojnë. Dhe deduksioni është i thjeshtë: Zef Deda nuk mund të ketë vdekur, ai do të udhëtojë si Konstandini, përderisa jeton përmes personazheve.
 

No comments:

Post a Comment