Eduart Sulollari
Muzg
i thyer në portat e fund vjeshtës. Ngushëllon parkun e vetmuar era. Përkëdhel
mes lavdisë fodulle shiun e lehtë mbi gjethet e saporëna. Me hutimin e llambave
të verbra kaloj kryqëzimin e udhës "Western Ave". Nga thellësi e
pasdites, fjolla bore flijohen kangjellave të grisë së lumit Hadson. Shtyj
portën e orës shtatë. Yje meite kolliten ndanë dritares gjysmë të hapur. Rrëmbej
raftit librat e sapo ardhur nga Shqipëria.
Romani
"Orgji në famullinë e at Ludovikut" gris heshtjen. Faqet e para
përpij. Çasti kurdis akrepat e zhveshur. Goditje e fabulës është robëruese.
Triller. Veizi, ky romancier shokues godet me fuqinë e akullit. Faqet shastisin
kohën. Mesnata e largët kaq pranë. Vorbull fantastike e ngjarjeve. E paniktë.
Klithja. Kjo britmë që mban pezull tashmë ankthin tënd. Famulli e at Ludovikut
përpihet nga flakët. Qyteza e një province të harruar mes maleve gdhend krimin
makabër. Është shkrumbuar gjithçka. Në qiellin e verbuar nga dhimbja, ndihen
ende lebetitjet e viktimave të karbonizuara...
Inspektor
Edi po ecën jo mbi një vdekje? Kur kërkon të vesh pak rregull mbi këtë rrëfim,
shfaqet Viku. Prehrit të tij e motra këput frymën e fundit. Pena e Veizit
shkëlqen. Hedh tronditjen që shemb çdo qetësi. Ajgëton ankthi yt si lexues.
Përpin rreshtat. Kapitujt. Mesnata
çapitet sinorit të vet. Ti, je mes zallamahisë tronditëse shpirtërore. Fjollat
e borës shtojnë furinë jashtë. Gënjehesh nëse ke gjetur fillin e të vërtetës.
Qoftë sadopak. Eva, mbart në tempullin e rrëfimit të fshehtën përvëluese.
Kurthe.
Personazhe
që hyjnë pa bujë, por gatuajnë bujshëm fatet e tyre.
"Zinxhiri
i mëkateve dhe i pendesave sillej përreth
për t'u lidhur nyje në një pikë. Prej aty gjithçka bëhet e
pazgjidhshme" citon në faqen 73 autori.
Dukesh,
po kalbesh nga goditja. Kaq e thjeshtë dukja. Mesnata shuan ankthin dhe
pushteti i plotë i frikës shfaqet gërryes.
Dua
ta gris këtë fletë, ta flak romanin oxhakut mëkatar që djeg drurët e moçëm
ngeshëm. Zhytur thellë në tmerr shpirti i at Ludovikut. Prerë copash rehatia.
Vëshon, shkelmon mëkati i vetëm... me Evën.
E
largët kënaqësi rraskapitëse. Ka kaluar çerek shekulli. Mbuluar ajo dalldi
erotike me koren e trashë të harrimit. Dinake, tradhtarë, shkëndi e mëkatit kacavirret gjasme e shkretë
dhe endacake famullisë.
Vuajtja
çjerr plagën e pashëruar kurrë.
Viki
braktis shtëpinë. Gjyshi dhe gjyshja ronitur nga ikja, vakët presin kthimin e tij. Krejt i
vetëm përgjatë kërkimit të babait që nuk e
ka njohur kurrë, mbetet i tromaksur nga fati kur gjendet në dyert e
famullisë dhe babai, është, ah!
AT
LUDOVIKU.
Asnjë
dashuri nuk gjallëron në zemrën e tharë si eshkë. Djegur nga dëshira marrake
të gjejë babanë e munguar, por ka vdekur bulëz vezulluese se është pa baba.
Ardhur në jetë prej mëkatit...
Nata
e ftohtë mpin shpirt dhe trup të atit.
Kapërdin
zjarrminë e tërbimit. Lumturi e egër ngre velat gjakut në kaos. I fanitet e
nesërmja mes mashtrimit para besimtarëve. Tradhtia heshtën mban në duar.
Ënjtur prej braktisjes. Zoti me qetësi ulëritëse do t'i shkulë ajrin e mbetur
dhomës së rrëfimit.
Si
një pishtar tek dridhet në bedenën e rrënuar të kështjellës së largët, në zemrën
e lyrosur nga gënjeshtra lebetitëse që realiteti ia vërvit, vjen i verbuar
mëkati i ri.
Katandisur
në kafshimin e dhimbjes së beftë, dhembshuria rrokulliset honit të krimit
makabër.
Shastisur
si drita je nëse mes brishtësisë që fêrgëllon, ke gjerbur gllënjkën e kënaqësisë
së rrëfimit nga Veizi.
Në
tradhti të vogla copëton, shtrydh kapitjen tënde. Ke ende minuta që do të
rrjepin durimin përgjatë leximit tek duan të të
përkundin zjarrmisë. Çohu pra shfletoje dreqin edhe pak. Në djall kjo natë që u
rrokullis pagjumësisë. Shihi mirë zaret e hedhura të rrëfimit, nëse nuk do që
ta ngarkosh ende me mëkatè atin Ludovik.
Leonard Veizi |
No comments:
Post a Comment