Friday, December 1, 2023

Dhuna ndaj grave, kënaqësia e burrave


Nga Leonard Veizi
 
25 nëntori është “Dita Botërore kundër Dhunës ndaj Grave” ose përndryshe “Dita Botërore për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave”. Me këtë rast media botërore i kishte lënë një vend të veçantë. Dhe me këtë rast u bënë publike plot shifra alarmante të botës së qytetëruar që flisnin për dhunën ndaj grave dhe vrasjen e tyre qoftë dhe nga dora e partnerit, bashkëjetuesit apo bashkëshortit.
Po çfarë përfaqëson kjo ditë?
Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave është vendosur më 17 dhjetor 1999, me rezolutën 54/134. Në fakt 25 nëntori shënon vrasjen brutale të tre motrave Mirabal në Republikën Domenikane në vitin 1960. Ato, të lidhura me Lëvizjen Revolucionare të 14 Qershorit, kundër diktaturës së Rafael Trujillo-s, u rrëmbyen dhe u rrahën për vdekje përpara se të hidheshin nga një shkëmb. Zhdukja e tyre u bë simbol i rebelimit, i institucionalizuar në vitin 1999 nga Kombet e Bashkuara.
Ja e sqaruam dhe këtë pikë.
Për dhunën ndaj grave dhe eliminimin e saj janë prononcuar shumë emra të njohur të botës së artit, gra e burra bashkë.
Shkrimtarja italiane Alda Merini shkruan: “Ne jemi dashur dhe urryer, adhuruar dhe mohuar, puthur dhe vrarë, vetëm sepse jemi gra”.
Ndërsa kanadezja Margaret Atwood shkon më tej kur thotë: “Burrat kanë frikë se gratë do të qeshin me ta. Gratë kanë frikë se burrat do t'i vrasin.”
Po Shqipëria?
Tek ne 25 Nëntori i vitit 2023 kaloi i vakët. Në vitet paraardhës janë nxjerrë nëpër shkallët e Pallatit të Kulturës dhe tek Sheshi Nënë Tereza këpucë të kuqe në simbol të tyre. Në vitin 2023 mezi u dëgjua se ishte një ditë e tillë me këtë motiv. Sepse për dhunën ndaj grave ne si shoqëri e kemi të vështirë të flasim. Temë tabu.
Do shihni ju ç'do të ndodhë për 14 shkurtin. Aty jemi zhveshur nga tabutë. Do të lozë qeni i kallajxhiut. Pa do të kërcasë dollia me dhallë, si atëherë kur gratë u mblodhën të hanin shalqin në oborrin e xha Shahinit se shoqja e tyre Vali do ikte me punë në Komitet.
Pastaj ç’i do llafet?! Ne si shqiptarë kur vjen puna për dhunë ndaj grave zëmë një vend të respektueshëm. Këtë na e kanë lënë të parët tanë. Që atëherë kur cucat martoheshin me fishek në pajë.
Që gratë ta sjellin në majë të hundës kjo nuk është ndonjë gjë e re, ndaj dhe ne burrat i biem shkurt: i rrahim sa na dhemb dora. Le kur grave u mbushet mendja se në familje kanë postin kyç të kabinetit, herë ministre e financave, herë ministre e brendshme... dhe harrojnë se familja ka zot. Një kryeministër. Aty nis prap e rrahura. Dru or dru sa të të dalin sytë vendit.
U bone ti...
25 nëntori kaloi në heshtje. Burrat futën kokën në rërë si struci... Po nuk u ndjenë as gratë. Le që janë mësuar me rrahje e s’u bën zemra të ndahen nga druri.
Hapim statistikat. Në një raport të fundit të Ministrisë së Mbrojtjes Sociale thuhet, se në vitin 2023, - sepse viti 2023 është në vazhdim - 4000 gra dhe vajza nga gjithë Shqipëria denoncuan nëpër komisariate policie dhunën me bazë gjinore. Po këtë vit u lëshuan mbi 2400 Urdhra Mbrojtje.
Ja kjo është statistikë për t’u marrë shembull.
Ne dimë të rrahim sa të të thyejmë kërbishtet. Por dimë dhe të vrasim. Pastaj, përse të vrasim një herë kur mund të rrahim përditë. Ose një herë në dy-tre ditë të paktën. Është një kënaqësi mazogiste që nuk ta fal kush.
Shqiptarët,  - në mungesë të thënieve të shkrimtarëve, - i kanë dhe nja dy shprehje folklorike të bukura fort për rrahjet.  Fjala vjen: “Kush të rreh të do”. Sintezë e përvojës popullore kjo. Pastaj vjen tjetra: “Druri ka dalë nga xhehneti”. Kjo ka edhe më shumë sens.
Opo në fund të fundit druri të bën njeri. Se ne mendojmë që njeriu u bë njeri nga evolucioni majmunor. Ka më shumë shanse të jetë bërë nga druri. Duke menduar ditë-natë si t’i shpëtosh hallit edhe truri fillon gjen zgjidhje. Domethënë punon. Nuk është i fokusuar vetëm te bananet dhe uji i pellgut. Dhe kështu majmuni, - nëse kemi qenë të tillë, - dru pas druri na u bë njeri. Dhe çfarë njeriu se.
Mirëpo druri vazhdon edhe pse evolucioni e bëri punën e vet. Ka mbetur si pjesë e instinkteve. Ose si zora qorre që në mjekësi quhet: apendicit. Me sa duket njeriu në kërkim të përsosmërisë vazhdon të ushtrojë zanatin e drurit. Por jo në kurriz të vet, por në kurriz të tjetrit. Dhe në kurriz të gruas është akoma më mirë, se duke qenë më të dobëta se meshkujt fizikisht, ulin kokën dhe e pranojnë drurin. Dhe burri ka ku e tregon trimërinë në fund të fundit.
-E ç’t'i këndojmë më parë burrërinë apo trimërinë?!
Ndërkohë, “Dita Botërore kundër Dhunës ndaj Grave”, presupozon se kohës së drurit e të vrasjeve, - që klasifikohen si çështje emocionale dhe krim brenda familjes, - i duhet treguar vendi. Këtë do ketë pasur parasysh dhe Noli i madh kur shkroi vargjet: Ngrehuni e bjeruni...
Ndaj burrat duhet ta tregojnë burrërinë për gjëra të tjera, e jo duke rrahur gratë e tyre.
Tani, ç'është e vërteta,  dhe ne si shqiptarë nuk jemi si 100 vite më parë. Po qytetërohemi.
Bereqaversën.
Tani edhe te ne ka plot burra që ose janë kthyer në gra ose bëjnë më keq se gratë. Por kjo është tjetër temë, e s’po e ngasim më tej. Se për këtë kategori shoqërore, OKB-ja ende nuk ka vendosur një datë përkujtimore.

No comments:

Post a Comment