E
kush nuk e mban mend Makun, atë që zëvendësonte gratë në ndërmarrjen e
grumbullimit, i cili nuk arrinte t’ia merrte mirë dorën punëve, por që drejtor
Miti e kishte mik, ndërsa shef Nesimi i financave e quante “hiç njeri”.
E
kush nuk e mban mend Lithanin, asketin në ishullin e gjarpërinjve i cili helmoi
piktorin Andrea që zbukuronte kishat e Kazazë, por që theu rregullat dhe u
dënua nga Peshkopi Athanas.
E
kush nuk e mban mend Zimon, pensionistin qejfli që la paratë me telefonatat e
0900-tës, e që Semi, proletarja e shtëpisë së të moshuarve “Lulet e Vjeshtës” e
quante: të degjeneruar.
Por
ai ishte dhe mësues Nardi që i bënte presion zysh Norës që t’i rregullonte
notat djalit të Kristoforit, i cili ishte me pozitë në Komitet. Dhe po aq ishte
sociologu Apostol, i cili vërtet nuk lëshonte receta dashurie për vajzën e tij
por nuk donte që ajo të martohej me një këngëtar.
-Pu,pu,
pu... Artist. Këngëtar. Tralalalala këtu, tralalalala atje. Pa karakter.
Profesion shumë i dyshimtë për moralin familjar.
Ndërkohë
ai ka interpretuar dhe një nga batutat emblemë të filmit shqiptar kur luante në
rolin e “mësju” Braushit, shokut të burgut të Besim Shkëmbit, që duhet të lante
borxhet e hajdutit Spahi:
-Më
kanë thënë se ke bërë kthesë, i je futur studimeve, i je përvesh hekurave. Ah,
jo profesor, të rre mendja. Po Braushin e di ç’do të thotë “bishti i qenit”. Ia
ka pirë lëngun jetës Braushi profesor. Bishti i qenit është i shtrembër dhe atë
sado që ta tërheqësh, hop, ... prapë i shtrembër mbetet. Kështu dhe puna jote.
Derisa ke qenë një herë i dënuar, deri në varr bisht qeni do të mbetesh.
Tanimë
Mirush Kabashi, ky aktor aq i dashur për publikun e me aq shumë klas, nuk do
jetë më mes të gjallëve. U largua fizikisht pas mesnatës së 5 dhjetorit të
vitit 2023, për të na lënë si trashëgimi në pelikulë gjithfarë karakteresh e
personazhesh të cilat ai i interpretoi me aq mjeshtëri.
-Jam
dezinjator.
-Çfarë
the more, dezertor?!
-Jo,
jo shoku partizan. Jo dezertor. Dezinjator... Domethënë piktor.
Këto
ishin batutat nga filmi “Ne vinim nga lufta” ku Mirush Kabashi do të kishte
rolin e Stilianit. Dhe po aq ai shkëlqeu në rolin e topografit Veniamin tek
“Emblema e Dikurshme”, që hapte gropa e fuste shishe nën tokë dhe që për pak e
shqyen qentë e fshatit.
-Unë
duhet të vendosja thellë nën tokë sinoret e çifligjeve që po zhdukeshin. Ata
shpresonin që do kthehej përsëri koha e tyre dhe tokat që po u ndaheshin
fshatarëve t’i merrnin përsëri.
Artistët
po ikin një e nga një. Është një hemorragji e vazhdueshme. Vetëm një javë më
parë u ngjit në panteon Zef Deda. Sepse kështu është jeta, e s’mund të ndodhë
ndryshe. Po ikin edhe yjet e brezit të dytë të aktorëve të mëdhenj shqiptar.
Plejadë e mahnitshme. I dhanë aq shumë kinemasë dhe teatrit. Sepse Mirush
Kabashi ishte dhe një aktor që shkëlqeu në skenën teatrore.
Pakkush
e kujton që Mirush Kabashi bëri epokë edhe në komedinë “Kartela e verdhë”
shkruar nga Haxhi Rama. Ndoshta sepse hija e Toger Shazivarit, që mbante rendin
në qytetin e Lushnjës, tek “Koncert në vitin ‘36” do të ishte shumë më e madhe
se sa ajo e një tifozi sporti. Por ai dinte t’i luante mjeshtërisht të dyja, si
në skenën e teatrit po aq dhe në sheshin e xhirimit. Ndaj po aq të njohur do
t’i bënte ai dhe batutat e filmit “Gëzhoja e Vjetër” ku si shofer pijanec i
premtonte bashkëbiseduesit Pandi Mylla që e dendi me raki:
-Mos
çaj kokën hiç. Ke Baken ti ore. Po kam “Tarponin” aty jashtë, atë bardhoshin.
Shi, shi, qenke budalla ti. Natën kontrolle s’ka. Po unë për dy orë e gjysmë
kam kap Korçën. Nuk çan kokën Bakja po të them unë ty.
Në
jetëshkrimin e tij zyrtar thuhet se Mirush Kabashi u lind më 17 prill 1948 në
Shkodër dhe u rrit në Durrës, por se origjina e tij është nga Gjakova. Me vitin
1970 u diplomua për Aktrim në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë dhe filloi
punë në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. Aty, vazhdoi deri në vitin
1994, duke pasur edhe rolin e drejtorit, mes viteve 1991-1993. Më pas punoi në
Televizionin Shqiptar, në departamentin e Programeve Artistike si ideator dhe
prezantues, kurse nga 2002 e në vijim në Teatrin Kombëtar. Nga viti 1985, është
aktivizuar dhe si pedagog i “Mjeshtërisë së Aktorit” pranë Akademisë së Arteve.
Mirush
Kabashi u largua nga jeta tokësore. Por pas la veten e tij në dhjetëra role. Ai
ka në arsenalin e tij të paktën 100 role, nga të cilat 20 janë në
kinematografi. Interesant është roli i interpretuar prej tij si gazetari Kujtim
tek “Telefoni i një mëngjesi”.
-Ja
për shembull unë. Pse shkrova një artikull për ata që përdorin motorin e
shtetit për punë personale më thyen xhamat e shtëpisë. Tani kam marrë masa, kam
blerë xhama rezervë.
Ndërsa
në rolin e Nikollaqit tek komedia muzikore “Karnavalet”, Mirush Kabashi shkon
edhe më tej.
-Sikur
të ma ngrinit ca rrogën. Ajo që më jepni nuk më del.
-Po
ti nuk e shikon se ç’bëhet o lumëmadh? Pastaj unë shpresoj që të ha ndonjë gjë
nga ti, e ti shpreson që të hash nga unë. Lëre Loni lëre, u katandis kokoshin
një thelë. Një Nikollaq Samarxhiu e di se sa rrota duhet të lyejë në ditë.
Mirush
Kabashi iku i ‘ngopur’ nga jeta tokësore. Veç duartrokitjeve pa fund dhe
mirënjohjes së spektatorit ai është vlerësuar me shumë çmime, e medalje.
Mirush
Kabashi, i cili në fund të vitit 2014 u nderua me titullin e lartë “Nderi i
Kombit”, më parë kishte titujt “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i
Punës”.
Më
1997 në edicionin e nëntë të Festivalit Eksperimental të teatrit të organizuar
në Kajro të Egjiptit, Mirush Kabashi është vlerësuar me “Sfinksin e artë” si
interpretuesi më i suksesshëm mes njëmijë aktorëve pjesëmarrës nga 46 vende të
botës. Ishte pikërisht “Apologjia e vërtetë e Sokratit” që do ta nghrinte atë
në piedestal.
Në
festivalin Kombëtar të teatrove profesioniste 1989 u shpall “Aktori më i mirë”
me rolin e Sadush Nezirit tek komedia “Hija e tjetrit” e Ruzhdi Pulahës.
Në
vitin 2002 fitoi çmimin e “Aktorit më të mirë” si protagonist në Festivalin e
Aktrimit “Apollon 2002”me rolin e Nokes në komedinë “Sa mirë bëri që vdiq” të
Ilir Bezhanit.
E
përveç gjithçkaje tjetër që ka të bëjë me rolet, recitimet dhe drejtimin e
spektakleve, - ashtu siç janë shprehur kolegët e tij, - Mirush Kabashi ishte:
etalon i një aktori jashtëzakonisht punëtor, njeri shumë familjar dhe shumë
korrekt në jetën shoqërore.
Por
ai do të mbahet mend jo vetëm për aktrimin e tij, por edhe për vitalitetin në
maratonën e notit që bënte thuajse çdo mëngjes, nga kalata e Portit të Durrësit
deri në plazhin Iliria.
Dhe
në çdo rast, si aktor shumërolësh, si njeri me të njëjtin karakter të
pandryshueshëm, ai do të ketë gjithmonë të njëjtin emër: Mirush Kabashi.
No comments:
Post a Comment