Leonard Veizi
Një
ditë m’u tek për byrek. Ndoshta ngaqë nuk është një ushqim që mund ta konsumoj
shpesh, m’u krijua dhe një neps i paparë çuditërisht. U ndala në tre vende që
paralajmëronin me gërma të mëdha BYREK. Në të treja gjeta radhë aq sa...
Ne
shpesh marrim në konsideratë radhën e vajgurit në kohën e diktaturës. Radha për
byrek në ditët e ekonomisë së tregut m’u duk edhe më keq. M’u duk vetja si
idiot duke mbajtur radhë për një byrek, për më tepër që pas meje erdhën dhe të
tjerë të cilët gjithashtu po bënin hesap se sa byrek do merrnin dhe me çfarë
shijesh.
Joooo,
po kësaj i thonë t’ia heqësh vetes: bam...
Që
bota është duke u futur në krizën e ujit këtë e kuptoj unë. Por që të bësh
“luftë” për byrek me gjizë këtë si ta kuptoj?!
20
minuta në radhë për një byrek të formatit trekëndësh. Shfryva nëpër dhëmbë dhe
u largova. Tek e fundit nuk ia vlente barra qeranë.
Dhe
meqenëse m’u bë fiksim kjo punë, në vend t’i kërkoja bashkëshortes të na bënte
një byrek familjar, të nesërmen sërish u ngrita me mendimin. Do gjej një byrektore
e do ha byrek, ja rashë e vdiqa. Nuk të lë njeri as të vdesësh, por as të blesh
byrek.
Radha-radhë.
Që në pikë të mëngjesit. Byrek or byrek. Nga ata trekëndëshit, që në menu janë
ose me gjizë, ose me qepë e domate, ose me spinaq. Ka dhe me kungull. Si tek
Ollga e “Zonjës nga Qyteti”:
-Ha kungullin Lefkë, ha!
Mirëpo
te “Mëngjese Lufte” ndryshonte puna, se aty peshkatari i justifikohej ushtarit
gjerman që dyshonte se ç’donin 10 fëmijë në një varkë që mezi mbante katër
veta:
-Koran, sa më shumë koran!
-Koran gud, - ia ktheu pushtuesi me pamje të
vrerosur.
Tani
batuta ka ndryshuar. Se nuk jemi më të pushtuar.
-Byrek, sa më shumë byrek!
Ore,
po do na vdesë gluteni, edhe yndyra...
Mirëpo
radha vazhdon. Ushqim i shpejtë. Mirë e lirë.
Atje
në Amerikë për mëngjes duan dy vezë të fërguara. Ne duam byrek. Ku qëndron
problemi këtu? Edhe amerikanët rrinë në radhë për dy vezë. Nuk është se kjo
është një risi shqiptarësh?!
Merr
more bukë me vete më mirë. Si në kohën e xhaxhit kur hipnim në autobuzin
“Shkodra” me bukën nën sqetull, të mbështjellë me gazetën Zëri i Popullit. E
rëndësishme ishte që gazeta të mos kishte fotografinë e udhëheqësit. E në vend
të haje bukën mund të haje burgun.
Ikën
e vanë ato kohë. Thamë se radhat do mbaronin. Por jo.
Ç’t’i
bëj nepsit. Ore po një neps i paparë. Për byrek, e merrni vesh apo jo. Kur e
pret e nuk e ha, bëhesh më keq.
I
dhashë karar. Do qëndroja në radhë derisa të blija një byrek. Po ke parë ti që
nuk më eci hiç. Herën e parë sa vajta te banaku shitësja e lodhur, por me fytyrën
që i shkëlqente nga djersët, ia pat: U mbaruan! Por kemi futur të tjerat. E sa
të pres moj motër? Po nja 10-15 minuta o vëlla. I ke taze
Unë
për vete asnjëherë nuk e kam blerë një byrek pa mbajtur radhë. Ngaqë ai është
produkti më i kërkuar në treg. Më i kërkuar dhe se diamantët. Sepse ne or
tungjatjeta jemi të thekur për të ngrënë byrek.
Në
pikë të mëngjesit poshtë pallatit, në një byrektore të hapur prej vitesh i shoh
të gjithë, kalamaj që shkojnë në shkollë, burra që e duan një byrek sa për të
ndezur cingaren apo edhe gra që u përton prapanica të gatuajnë dhe i futin 8
copë byrek për 4 anëtarët e familjes. Mirëpo byrektorja dy punonjëse ka, bëj
byrek e shit. Njerëzia vazhdon në radhë.
Duket
sheshit që ne si shqiptarë vdesim për byrek. E kemi dhe gatim tradicional pa
le. Pyes lart e poshtë dhe më të vjetrit nisin e bëjnë ironi. Tradicionale
zeza. Byrekun na e ka lënë Turqia. Po ore po, ashtu ai na ka lënë bakllavanë
por dhe rakinë. Po ndonjë gjë tonën kemi mo? Kemi opingat.
Të
paktën i kemi. Nëse i kemi gjithmonë?!
Në
Maqedoni, sa herë kam shkuar menuja e shqiptarëve ka qenë: byrek me jogurt.
Domethënë byrek i shoqëruar me kos. Dhe kjo më kujton një batutë tek filmi
“Streha e re”, ku ndihmës traktoristi Tasi këndonte duke treguar gavetën e
groshës bosh:
Pa dëgjoni ju katundarë/ Është mor për të qarë hallë/
Të mjerin ju ta kujtoni/ Se me të mor do punoni!
Dhe
një nga personazhet e tjerë të filmit i jep haberin:
-Mos u mërzit o Tasi se sot për drekë do kemi byrek!
-Aty më rri Ferhat, se edhe me fasule na u bë barku
daulle.
Pranë
redaksisë ku punoj në të dy anët e saj janë tri byrektore. Plot ore plot. Të
duket si në epokën e pandemisë kur doli vaksina e covidit dhe të gjithë u
turrën të shpëtonin nga makthi që i mbante prej muajsh shtrënguar. Të gjithë në
radhë për byrek.
-A
ke byrek me gjizë? - ia pat pallmës tjetrit që nuk i durohet.
Dhe
vajza e byrektores ia kthen kujdesshëm: Dy të fundit. Presim të tjerat të dalin
nga furra.
Të
keqen e furrës! Nuk dihet sa byrekë pjek çdo ditë. Një mal, a ndoshta vetëm një
kodër, se e zmadhova shumë.
Tek
e fundit kërkesë tregu.
Të
gjithë shesin byreqe. Është bërë si modë tashmë. Byrektoret po e po se janë të
licensuara për të bërë një gjë të tillë, por dhe furrat e bukës. Dhe nuk është
çudi të futesh në ndonjë dyqan me materiale ndërtimi e të gjesh byrek dhe aty.
Se fitimi është i garantuar sigurisht. Shqiptarëve bukën dhe byrekun nuk duhet
t’ia heqësh nga tavolina, se për të tjerat bëjnë si bëjnë.
No comments:
Post a Comment