Leonard Veizi
A e keni parë
filmin dramatik e me shtrat politik “Nothing but the Truth” i cili i ardhur në
shqip mban titullin “Asgjë veç të Vërtetës”? Është një produksion amerikan i
vitit 2008, me skenar e regji nga Rod Lurie. Filmi është bazuar mbi një histori
të vërtetë, ku flitet për një nga parimet bazë të lirisë së shtypit: atë të
mbrojtjes së burimit konfidencial.
Dhe nuk është se
ky film është i vetëm në llojin e tij. Sepse filma me temë shtypin e lirë dhe
gazetarët nuk janë të paktë. Por ndoshta "Nothing but the Truth"
është më emblematiku mes tyre.
Filmi është
frymëzuar nga rasti i Xhudit Miller, - e cila në film interpretohet nga Kejt
Bekinseill me emrin e personazhit Rashel Armstrong - një gazetare e New York
Times, e cila kreu 85 ditë burg për refuzimin e përmendjes së burimit të saj.
Në jetën reale,
raportimi, saktësia dhe objektiviteti i Millerit u vunë në pikëpyetje të
mprehtë. Ndërsa Rod Lurie e anashkalon me mençuri historinë reale për t'u
fokusuar në pyetjen themelore: Cili është më i rëndësishëm, parimi i
konfidencialitetit apo siguria kombëtare?
Në korrik të vitit
2005 Xhudit Miller u burgos për shpërfillje të gjykatës për refuzimin dhe për
të dëshmuar para një jurie të madhe federale që hetonte një rrjedhje
informacioni që cilësonte Valerie Plame si një operative të fshehtë të CIA-s.
Dhe kaq me filmin.
Sa për citim. Sepse do vijmë në kushtet e Shqipërisë, e cila njihet për
brishtësinë e institucioneve të saj.
Në Shqipërinë e
mesdhjetorit të vitit 2023, një gazetar thirret në zyrat e Prokurorisë së
Posaçme dhe mbahet për orë të tëra në hetuesi me qëllim që ai të tregojë
burimin e një materiali konfidencial, të cilin e ka bërë publik. Deri tani
gazetari nuk e ka tradhëtuar profesionin e tij. Dhe për këtë ështê për t'i
hequr kapelen gazetarit Elton.
Ku qëndron
problemi këtu?
Se gazetari për
atë punë është. Të bëjë të njohur gjërat e panjohura, aferat e pista,
dallaveret e pushtetit politik dhe të vetë drejtësisë.
Dhe veç kësaj,
gazetarit i bëhet kontroll banese dhe i sekuestrohen mjetet e punës. Që do të
thotë, njësi kompjuteri e usb ku arshivohen materiale.
A është e drejtë
kjo?
Të gjithë thonë
që: E drejta është me mua. Por tanimë çështja është e hapur. Për fatin e saj do
të vendosë një organ edhe më suprem: Gjykata.
Për cilin gazetar
bëhet fjalë?
E ç’rëndësi ka se
kush është gazetari. Edhe pse ai e ka një emër në pasaportë e quhet: Elton
Qyno. Por këtu nuk po flasim për emrin rendor të Gjendjes Civile dhe as atë të
pagëzimit. Flasim për atë që ai përfaqëson, dhe ai është një gazetar i Shtypit
të Lirë. Kaq mjafton besoj. Dhe liria e shtypit mbrohet me ligj.
A kemi në
materialet e publikuara prej tij gjëra që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare?
Me cenimin e saj?
Kjo mbetet për t’u
vërtetuar. Por dhe nëse është i tillë materiali, cili është faji i gazetarit?
Që e publikoi? Kjo është detyra e tij. Nuk është ajo e gjetjes së fakteve dhe
arshivimit në dosjen Top Secret. Detyra e gazetarit është të gjejë mundësinë që
nga dosja Top Sekret ta publikojë në gazetë. Atëherë misioni quhet i kryer.
Përndryshe shtypi nuk do ishte pushteti i katërt.
Gazetari u la i
lirë pas më shumë se 10 orë hetuesie. Mund të ishte cilido prej nesh në dhomën
e errët të Prokurorisë. Pavarësisht se ajo realisht mund të jetë një zyrë plot
dritë dhe me ajër të kondicionuar, sërish mbetet një zyrë e errët. Në kohët të
caktuara për çështje të caktuara shumë gazetarë kanë publikuar materiale
konfidenciale. Ka pasur dhe procese ndaj tyre. Por me sa duket pakkush e di që
një gazetar bën të pamundurën për të marrë një material që klasifikohet “top
sekret”. Nëse ai bindet, e boton dhe nuk e ndalon kush. Po aq është dhe i
mbrojtur nga ligji. I gjithë problemi ka të bëjë me mbrojtjen e materialit pa
rënë në dorën e gazetarit. Sepse nga ai çast gjithkush është i zbuluar.
Pas kësaj,
proceset ku në qendër të vëmendjes është një gazetar i kryqëzuar i cili
kërcënohet me fjalën “trego”, duket më së shumti si filmat neorealist të
pasluftës së dytë botërore.
Detyra e shtypit
nuk është t'i nënshtrohet pushtetit, por të kontribuojë në kontrollin e tij
duke nxjerrë në pah, ku është e nevojshme, shtrembërimet dhe gënjeshtrat.
Ky shkrim nuk ka
për qëllim të mbrojë gazetarin në fjalë. Si Elton Qyno, e kam fjalën. Ky shkrim
thjesht kërkon të mbrojë profesionin, autori i të cilit aderon prej 32 vitesh.
Dhe në ditë të tilla, gazetarët duhet të jenë më solidarë me njëri-tjetrin.
Sepse, nuk është ndonjë gjë e pazakontë ajo që i ndodh një gazetari sot, t’i
ndodhë një gazetari tjetër nesër... dhe shumë shpejt të vjen radha dhe ty.
Mjafton një precedent. Ndaj nuk mund të qëndrosh duarkryq, duke ndjekur
spektaklin.
Më ka qëlluar të
jem i kërcënuar me procese gjyqësore. Më është kërkuar të tregoj burimin. Nuk
pretendoj që në të paktën dy raste kur e kam ndjerë veten ngushtë, të kem pasur
të bëj me materiale që cenonin sigurinë kombëtare. Por gjithsesi, ajo ka qenë
një punë hulumtuese e mirëfilltë që më kanë kryqëzuar. Përvoja të tilla kanë
plot gazetarë në Shqipërinë e post demokracisë. Shumë të tjerë janë vënë në
bankën e të akuzuarve dhe janë dënuar me gjoba nga gjykata. Përvojat janë të
ndryshme.
Kështu që sot e
ndjej edhe më shumë për detyrim që të jem në të njëjtin front në mbrojtje të
gazetarit, si emër i veçantë dhe si profesion, domosdoshmërish.
No comments:
Post a Comment